/ ATSH-Z.Tosku/- Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit Profesional, Agron Pullumbi, në një intervistë për ATSH-në nënvizoi rëndësinë që ka arsimi profesional në tregun e punës.
"Ne mendojmë se tregu i punës ka nevojë për njerëz të rinj që të mësojnë zanate dhe kjo për shkak se është krijuar hapësirë ndër vite, si pasojë e numrit të lartë të studentëve që vazhdojnë universitetin. Ne padyshim mendojmë se një nga çështjet që do të ketë arsimi profesional në këtë vit shkollor do të jetë rritja e numrit të nxënësve, për këtë vit shkollor, për vitin e parë", tha Pullumbi.
Gjatë trajtimit të aspekteve të arsimit profesional, Pullumbi nënvizoi se vetëm nëpërmjet rritjes së numrit të studentëve në arsimin profesional dhe trajnimit të mësuesve do të mund të ketë rezultat arsimi profesional.
"Ne do të përpiqemi të marim masa në drejtim të rritjes së cilësisë në mësimdhënie, duke ndërhyrë në infrastrukturën e shkollës, në përmirësimin e trajnimeve dhe cilësisë së mësuesve dhe shumë elemente të tjerë që lidhen me mësimdhënien", sqaroi Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit Profesional.
Ndërsa sa i përket pyetjes se çfarë synohet në këtë vit të ri shkollor për arsimin profesional, Pullumbi tha se "ne do të përpiqemi të ruajmë të njëjtin numër regjistrimi të vitit të parë, sidomos në zonat ku kemi përqendrim të madh të popullsisë, në qytetet e mëdha si Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë edhe Korçë".
Gjithashtu, ai siguroi se për nxënësit që duan të vazhdojnë arsimin profesional në drejtime të vështira do të sigurojnë bursa dhe për nxënësit e zonave rurale do të ketë kompensime të tjera./