TIRANE - Një bisedë telefonike me njeriun që rekruton artistët për fushatën elektorale në favor të PD zbardh skemën. “Alo jam një artist...! Ok shko te zyra elektorale tako Gëzim Serjanin”, dialogu që tregon qartë organizimin e administratës me pahir.

Rekrutuesi i artistëve është një burrë me zë të qetë. Ai ka marrë dhjetra e dhjetra artistë në telefon së fundmi. Artistët e Operas me të gjithë të dhënat personale të tyre janë në dorën e tij. E kam siguruar numrin e tij pikërisht nga njëri prej artistëve. Dirigjenti Edmond Doko thotë se ky person e ka marrë në telefon disa herë.

Madje në irritim e sipër i ka kujtuar se ai është në një punë shteti e s’ka pse të përgjigjet keq. Thjeshtë duhet të shkojë në zyrën elektorale të PD. Atje do të marrë instruksionet e sakta. Ai paguhet nga shteti dhe e ka detyrim kaq gjë.  Duket absurde. Por në logjikën e këtij burri i cili kryen detyrën që dikush ia ka dhënë, kjo është diçka normale.

Numri i tij është 069 40 61 090. Për të vërtetuar fjalët e dirigjentit Doko, vendos të bëj një bisedë më këtë personazh. Pas disa tentativash në mengjes e paradite, telefoni më në fund është i lirë rreth mesditës. Ai përgjigjet...

“Alo, po...?”
“Më falni jeni zyra elektorale e Partise Demokratike?” - e pyes unë.
“Jo nuk jam i zyrës unë...Por unë ju kam marrë në telefon”.

(Në të vërtetë nuk më ka marrë në telefon, por mendon se jam një nga artistët që ka marrë e nuk i është përgjigjur...)
“Kush jeni ju?”, më pyet për të konfirmuar një dyshim që i lind aty për aty...

“Jam një nga artistët...”
“Ah po, por ju duhet të shkoni te zyra elektorale”.
“Ku gjendet kjo zyrë”, e pyes për të marrë ndonjë informacion më shumë.

“Është tek NESHARAKU”... Pas ish-uzinës Enver... e dini ku është parku i autobuzave???” Ai e shpjegon me detaje se nga duhet shkuar.
Por unë e pyes sërish: “Po kur të shkoj atje, çfarë duhet të bëj”?, i them.

“Mjafton të shkoni e të takoni Gëzim Serjanin. Kërkojeni emrin e tij kur të shkoni tek zyra. I thoni kush jeni dhe ai ju orienton më tej se çfarë duhet të bëni...
“Më falni por kur duhet të shkoj?”, i them përsëri, por ai nxiton ta mbyllë bisedën.
“Mjaft të shkoni, kur ta ndjeni..nuk ka problem...”.
Kaq dhe e mbyll telefonin.

Kjo është një bisedë e shkurtër. Ngjan se diku nga fundi i saj, unë e kam tradhëtuar disi veten dhe kjo mbase e ka shtyrë ta mbyllë bisedën shpejt. Por mjafton ky kontakt me të, për të vërtetuar se e gjithë kjo zhurmë për politizimin hapur të artistëve, madje imponimin e tyre drejt Partisë Demokratike nuk është e pabazuar.

E mira do të qe të takoja drejtpërdrejt Gëzim Serjanin tek zyra elektorale te “NESHARAKU”, por unë nuk jam një artiste e Operas, nuk di as të dhënat personale të ndonjërës prej tyre, dhe do të tradhëtoja veten që me përballjen e parë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)