INVESTIGIMI: Vullnetarë nga Serbia përkrah rusëve në Ukrainë

INVESTIGIMI: Vullnetarë nga Serbia përkrah rusëve në Ukrainë

Bratisllav Zhivkoviq ka qenë në “gjendje gatishmërie” që nga tetori i vitit të kaluar, kur Rusia filloi dislokimin e forcave të saj përgjatë kufirit me Ukrainën.

Një porosi të tillë ai e kishte lënë në llogarinë e tij në Facebook, që ndiqet nga rreth 3,200 persona. Shumë shpejt, një ndër komentet ka qenë edhe “më njoftoni kur niseni”.

Zhivkoviq ishte përfshirë në hetimin në Serbi, në vitin 2018, për shkak të dyshimit se ai organizoi pjesëmarrjen e personave të tjerë në një fushëbetejë të huaj. Ai u arrestua në gusht të vitit 2018 dhe Prokuroria pezulloi hetimet ndaj tij në prill të vitit 2019. Kështu që, për pjesëmarrjen e tij në fushëbetejat e huaja, që është krim në Serbi, ai nuk u përgjigj kurrë.

Radio Evropa e Lirë ka folur me të një ditë para fillimit të ndërhyrjes ruse në territorin e Ukrainës së pavarur. Sipas tij, shumë qytetarë serbë që kanë shkuar në Donjeck dhe Luhansk në vitin 2014 dhe 2015 për të luftuar, aktualisht ndodhen në vend të ngjarjes.

“Shumë serbë tashmë janë martuar atje, kanë fëmijët dhe familjet e tyre”, thotë Zhivkoviq.

Në Serbi, prej nga është Zhivkoviqi, zyrtarët nuk i dënuan lëvizjet e Rusisë, duke e bërë vendin të vetmin në llojin e tij në Evropë.

Zhivkoviq, i cili është i njohur për publikun që nga viti 2014, kur doli vullnetar për të luftuar në anën e separatistëve, nuk ka asnjë dilemë.

“Nuk kam aspak dyshim se vullnetarët nga Serbia do të vijnë, normalisht, nga Republika Sërpska (entitet në Bosnje e Hercegovinë), Mali i Zi, nga Maqedonia e Veriut, për t’iu bashkuar luftës kundër agresionit të ushtrisë ukrainase”, thotë Zhivkoviq.

Sipas informacioneve të tij, kjo ende nuk ka ndodhur.

Cilat janë të dhënat zyrtare për shkuarjet në Ukrainë?

Sipas vlerësimeve të Ambasadës së Ukrainës në Serbi nga dhjetori i vitit 2018, më shumë se 300 qytetarë u larguan nga Serbia për të luftuar në anën pro-ruse, në konfliktin që ka marrë rreth 14.000 jetë deri më tani.

Pjesëmarrja dhe organizimi i pjesëmarrjes në luftë në shtet të huaj, në Serbi është vepër penale që nga fillimi i aplikimit të ndryshimeve në Kodin Penal të Serbisë, nga viti 2014, dhe sanksionohet me dënime deri në dhjetë vjet burgim.

Për pjesëmarrjen në luftën në Ukrainë, në anën e forcave pro-ruse, në periudhën 2015-2018, në Serbi janë shqiptuar 32 dënime. Dënimet ishin kryesisht të buta. Një person u dënua në vitin 2021, për organizimin e një udhëtimi në fushën e betejës në Ukrainë dhe dënimi ishte gjashtë muaj burgim në kushte shtëpiake.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, njohu pavarësinë e rajoneve separatiste të Donjeckut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore dhe miratoi dërgimin e trupave në atë zonë.

Të dy rajonet kufizohen me Rusinë dhe kanë qenë nën kontrollin e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014. Kjo njohje ruse shkaktoi reagime dhe sanksione të ashpra nga vendet perëndimore.

Situata është e ndryshme, krahasuar me vitet 2014 dhe 2015

Aleksandar Radiq, redaktor i Rrjetit të sigurisë ballkanike dhe analist ushtarak nga Serbia, vlerëson se është e pritshme që individë nga Serbia të shkojnë sërish në frontin në Ukrainë.

“Ne kemi një rusofili të fuqishme në popullin serb. Pastaj, ka njerëz që, të motivuar nga një kombinim i emocioneve dhe aventurizmit të tyre, vendosin të shkojnë diku”, thotë Radiq.

Megjithatë, ai thekson se situata me vullnetarët tani është më ndryshe krahasuar me vitet 2014 dhe 2015.

“Tani që ushtria ruse është formalisht e pranishme atje, një skenar i mundshëm lufte nënkupton angazhimin e forcave të rregullta ushtarake ruse dhe në këtë kontekst mendoj se roli i mundshëm i të ardhurve nga jashtë po margjinalizohet, madje mund të jetë një shqetësim për rusët”, shpjegon Radiq.

Ai shton se kjo mund të paraqesë pengesë edhe në kuptimin politik:

“Mund të jetë barrë politike për cilindo vend nga vijnë këta luftëtarë”.

Mesazhet nga Donbasi në rrjetet sociale

Një tjetër vullnetar serb, Dejan Beriq, po komenton në mënyrë aktive ngjarjet në Donbas, në rrjetet sociale.

Beriq është një shtetas serb që luftoi në anën e separatistëve pro-rusë në Donjeck, si snajperist dhe ai gjithashtu mori pjesë në luftërat e viteve ‘90 në ish-Jugosllavi.

“Lufta ka filluar”, tha Beriq në një video që postoi në kanalin e tij në YouTube, më 21 shkurt.

Ai në video nuk thotë shprehimisht se ndodhet në Donjeck, por shpreh gatishmërinë për të luftuar.

“Në parim, ne jemi gati jo vetëm të mbrohemi, por edhe të ecim përpara nëse është e nevojshme”, tha Beriq.

Gjithashtu, në llogarinë e tij në rrjetin social rus, Telegram, Beriq ka publikuar ditëve të fundit në mënyrë aktive regjistrime, për të cilat thotë se janë të vijës së parë të frontit, vërtetësinë e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë.

Bashkë me videot, Beriq jep interpretimet e tij për ngjarjet në lindje të Ukrainës.

Në Serbi, kundër Beriqit po zhvillohet një procedurë nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, për pjesëmarrje në luftë në një shtet të huaj.

Sipas përgjigjes me shkrim të kësaj Prokurorie për Radion Evropa e Lirë, Beriq akuzohet për pjesëmarrje në luftë në një shtet të huaj, por ai nuk është i qasshëm për organet kompetente në Serbi.

Profili i luftëtarëve

Novica Antiq, kryetar i Sindikatës ushtarake të Serbisë, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se çfarë i motivon qytetarët e Serbisë të shkojnë në fushëbetejat në Ukrainë dhe për çfarë profili të njerëzve bëhet fjalë.

“Një nga motivet që të shkohet është ai patriotik, nga bindjet personale, dashuria për atë vend dhe atë popull, si dhe ta konsideroni detyrimin tuaj moral të bashkoheni në mbrojtjen e interesave të tyre dhe disa qëllimeve kombëtare. Ndërkaq, motivi tjetër mund të jetë për të qenë një ‘qen i luftës’ dhe të shkosh në luftë në mbarë botën për para”.

Serbia dhe Rusia kanë mbajtur tradicionalisht marrëdhënie të ngushta, të cilat zyrtarët e të dy vendeve i kanë quajtur shpesh “vëllazërore”. Flamujt rusë dhe mirënjohja për popullin rus janë mesazhe të shpeshta të ngjarjeve publike në Serbi.

Sipas hulumtimit të Institutit për çështje evropiane, organizatë kjo në Beograd, i cili është publikuar në vitin 2021, marrëdhënia ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është vlerësuar si më e larta nga rreth 36 për qind e të anketuarve. Numri më i madh i qytetarëve të anketuar të Serbisë, 83 për qind, besojnë se Rusia është mike e Serbisë.

Sipas hulumtimit, më së shumti besojnë në miqësinë me Rusinë të rinjtë nën moshën 30 vjeç dhe personat mbi 60 vjeç.

Novica Antiq thotë se në mesin e atyre që luftuan në Ukrainë, ka pak veteranë nga luftërat e viteve ‘90 në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Korpusi më i madh, siç sqaron ai, përbëhet nga njerëz të rinj, të cilët nuk morën pjesë në luftërat e viteve 1990.

“Me sa duket, bëhet fjalë për njerëz, të cilët në adoleshencën e tyre, me siguri nën ndikimin e një edukimi të caktuar ose ndoshta nën ndikimin e propagandës ndaj së cilës ishin të ekspozuar, të ndonjë fundamentalizmi, erdhën në pozicionin që të kenë disa idealeve, ideologji për të cilën paraqiten për të marrë pjesë në operacione të tilla në botë”, thotë Antiq.

Thirrjet nga Donbasi për rekrutim

Më 18 shkurt, Aleanca e vullnetarëve të Donbasit publikoi një ftesë në rrjetin social rus, Telegram, për vullnetarët që të aplikojnë për të formuar një detashment rezervë në Donbas.

Organizata bashkon rusët dhe vullnetarët nga Serbia dhe vendet të tjera.

Të njëjtën ditë, udhëheqësit separatistë në Luhansk dhe Donjeck lëshuan një urdhër për mobilizimin e përgjithshëm të burrave të moshës prej 18 deri në 45 vjeç dhe ua ndaluan burrave të asaj moshe që të largoheshin nga territoret.

Përfaqësuesit e Aleancës së vullnetarëve të Donbasit vizituan Serbinë në nëntor të vitit 2015, në jehonën e luftimeve në lindje të Ukrainës. Në atë kohë ata organizuan një konferencë për media në Beograd, në të cilën, siç ishte paralajmëruar, prezantuan organizatën e tyre.

Në konferencë folën udhëheqësit e forcave separatiste pro-ruse nga Donjecku dhe Luhansku.

Siç deklaruan në konferencë, ata erdhën edhe në Beograd për të “lidhur marrëveshje me organizatat vëllazërore nga Serbia dhe (Republika) Sërpska”.

Kjo organizatë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse vullnetarët nga Serbia dhe Ballkani Perëndimor i janë përgjigjur thirrjes së fundit.

Lidhjet e të djathtëve serbë me separatistët në Ukrainë

Organizatat me orientim të djathtë në Serbi mbështesin hapur separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Përfaqësuesit e Lidhjes serbe dhe Lëvizjes popullore serbe 1389 (SNP 1389) pikturuan murale në Beograd dhe Novi Sad, në vitet 2016 dhe 2017, kushtuar luftëtarëve të rënë të forcave pro-ruse në Donjeck.

Së pari, në nëntor të vitit 2016, u krijua një mural në Beogradin e Ri, kushtuar komandantit të forcave pro-ruse në Donjeck, Arsen Pavlov, i njohur si Motorola, i cili u vra në lindje të Ukrainës, në tetor të atij viti.

Në vendbanimin Detelinara në Novi Sad, të njëjtat organizata pikturuan një mural për komandantin e ushtrisë së Donjeckut, Mikhail Tolstih Givi, i cili gjithashtu vdiq në luftimet në Ukrainë.

Në atë kohë, kryetar i Lidhjes serbe ishte Alleksandar Gjurgjev, aktualisht deputet i Kuvendit të Vojvodinës nga lista e Partisë Progresive Serbe në pushtet, ndërsa Lëvizja e djathtë SNP 1389 udhëhiqej nga Misha Vaciq, aktualisht kryetar i partisë politike “E djathta serbe”.

Në shkurt të vitit 2017, pasi pikturoi muralin, Gjurgjev i tha komandantit të forcave pro-ruse në Donjeck se Lidhja serbe dhe SNP 1389 vendosën ta bëjnë këtë “në shenjë solidariteti me popullin rus në Donjeck, i cili vuan padrejtësi të mëdha dhe terror nga nazistët ukrainas”.

Pesë vjet më vonë, Gjurgjev ka ende të njëjtat pikëpamje.

Në një postim në Instagram më 22 shkurt, një ditë pasi Rusia njohu pavarësinë e Donjeckut dhe Luhanskut, Gjurgjev postoi një foto me, siç tha ai, “ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Donjeckut”, Natalia Nikonorova.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë se kur u shkrep fotografia.

Në një bisedë telefonike, Gjurgjev refuzoi të japë një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Disa media në Serbi raportuan se oficeri i parë i inteligjencës së Kremlinit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Rusisë, Nikolai Patrushev, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Beograd, më 28 tetor.

Sipas këtyre pretendimeve, të cilat kanë arritur edhe në mediat ndërkombëtare, në rendin e ditës do të jenë pretendimet se “mercenarët” nga Bosnje e Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova do të luftojnë në Ukrainë kundër palës ruse.

Këtë e ka plasuar në publik ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Zyrtarët në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë i kanë hedhur poshtë akuzat e Lavrovit si të pavërteta. Takimi ndërmjet Vuçiqit dhe Patrushevit nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Konflikti në lindje të Ukrainës është duke vazhduar që nga viti 2014 dhe të paktën 14.000 njerëz kanë humbur jetën në luftimet midis Ushtrisë shtetërore të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë.

Kriza e Ukrainës dhe Ballkani Perëndimor

Zyrtarët në Ballkanin Perëndimor nuk janë unanim në qëndrimin e tyre ndaj krizës.

Beogradi është deklaruar për një zgjidhje diplomatike të krizës mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, Serbia dhe Rusia mbajnë marrëdhënie të ngushta dypalëshe në nivelin më të lartë.

“Serbia gjithmonë ka mbështetur integritetin e Ukrainës dhe këtu nuk ka pasur ndryshime”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për Televizionin Pink, më 22 shkurt, gjatë një vizite në Principatën e Monakos.

Megjithatë, ai tha gjithashtu se do të dënonte njohjen nga Rusia të pavarësisë së rajoneve separatiste në Ukrainën lindore, atëherë kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, të dënojë në televizion bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, të vitit 1999.

Të njëjtën ditë, në Televizionin N1, Vuçiq ka reaguar kështu ndaj deklaratës së ambasadorit të Ukrainës në Serbi, Oleksander Aleksandroviq, i cili ka thënë se Ukraina dhe populli ukrainas presin që Serbia të dënojë lëvizjen e Rusisë për të njohur pavarësinë e Donjeckut dhe Luhanskut në lindje të Ukrainës.

Anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës kanë reaguar veç e veç për ngjarjet në Ukrainë.

Kryetari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, dënoi ashpër njohjen ruse të rajoneve separatiste të Donjeckut dhe Luhanskut në lindje të Ukrainës.

Sipas Komshiqit, bëhet fjalë për “sulmin e Rusisë në territorin e Ukrainës”.

Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe kolegu i tij nga Presidenca e Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq.

“Bosnje e Hercegovina respekton dhe mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. E dënoj vendimin e Federatës Ruse për njohjen e dy rajoneve të Ukrainës si shtete, që është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”, theksoi Xhaferoviq përmes rrjeteve sociale.

Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës nga Republika Sërpska (një nga dy entitetet e këtij shteti), nuk i dënoi aktivitetet e Rusisë, por tha se ai po i ndiqte me shqetësim zhvillimet në Ukrainën lindore dhe shpresonte të ulen tensionet dhe të kthehet dialogu.

“Pa mëdyshje ne jemi dëshmitarë të realiteteve të reja gjeopolitike, që shtresojnë jo vetëm strukturën politike dhe të sigurisë, por në mënyrë të pashmangshme sjellin përkeqësim dhe presione shtesë në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe”, tha Dodik për agjencinë SRNA.

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq, ka dënuar njohjen nga Rusia të zonave separatiste në Ukrainë.

“Ne i dënojmë të gjitha aktet për njohjen e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut si entitete të pavarura, të cilat shkelin ligjin ndërkombëtar dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligj”, tha Gjukanoviq në Twitter.

Mbështetje Ukrainës i kanë shprehur më parë Kosova dhe Maqedonia e Veriut, e cila është anëtare e NATO-s./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)