Investimet/ Qeveria rregulla të përkohshme mbi bonuset e ofertave të pakërkuara

Investimet/ Qeveria rregulla të përkohshme mbi bonuset e ofertave të pakërkuara

Një ditë pasi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi në Komisionin parlamentar të Ekonomisë se nga 1 korriku 2019 do të eliminohet praktika e dhënies së bonuseve për propozime të pakërkuara ndaj subjekteve private që synojnë të përfitojnë koncesione, qeveria ka vendosur të bëjë disa ndryshime në rregullat aktuale.

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme, pa hequr bonusin, ka ndryshuar disa nga rregullat për të dhënë këtë bonus, duke krijuar përshtypjen se dëshiron të japë më shumë besueshmëri për seriozitetin e garave publike, nëpërmjet rritjes së transparencës.

Konkretisht, në Vendimin e mëparshëm të Këshillit të Ministrave nr. 634, datë 1.10.2014, të ndryshuar, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, ofruesve të propozimeve të pakërkuara iu vendosen disa kushte. Në radhë të parë, nëse propozimi i pakërkuar do të konsiderohet si i pranueshëm nga ana e një institucioni shtetëror, autoriteti kontraktor përkatës lejohet që të të nisë procedurën për dhënien e kontratës, por nëpërmjet një procesi transparent dhe konkurrues. Për të realizuar një gjë të tillë, VKM përcakton se, në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, përpara procedurës konkurruese propozuesi ka të drejtë të përfitojë nga autoriteti kontraktor, i cili vendos për një nga format e mëposhtme të bonusit: ose një bonus për rezultatin tekniko-financiar të propozuar prej tij, deri në një maksimum prej 10% (të 100 pikëve në total) të vlerësimit maksimal të garës, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave; ose aplikimin e procedurës me publikim të projektit të tij, me qëllim përfitimin e ofertës më të leverdisshme ekonomike, pa ndryshuar projektin teknik. Pra, vendosen dy alternative.

Në rast se subjekti pranon 10% të pikëve, atëhere institucioni shtetëror, pas vendimit për dhënien e kontratës, duhet të publikojë projektin e propozuesit, me qëllim që të përfitojë ofertën më të leverdisshme ekonomike. Pra, do ta bëjë projektin të njohur edhe për të tjerët, që mund të kenë propozime më të mira. Autoriteti kontraktor, gjithnjë në raste të tilla, do të publikojë projektin e propozuesit së bashku me ofertën financiare dhe do të ftojë operatorë të tjerë ekonomikë të paraqesin propozimet e tyre, sipas përcaktimeve në dokumentet e procedurës konkurruese. Më pas, oferta që rezulton si më e leverdisshme ekonomike do t’i paraqitet propozuesit, me qëllim paraqitjen e një oferte më të leverdisshme ekonomikisht se sa oferta fituese. Nëse propozuesi pranon, atëherë ai shpallet fitues i garës dhe vijohet më tej për negociimin e kontratës. Nëse propozuesi nuk pranon të paraqesë një ofertë ekonomikisht më të leverdisshme, atëherë ofertuesi fitues do t’i paguajë atij vlerën e hartimit të projektit teknik, e cila do të publikohet në dokumentet e procedurës konkurruese. Nëse palët dështojnë në negociimin e kontratës, atëherë ofertuesit do t’i mbahet vlera e garancisë së ofertës dhe do të ftohet propozuesi për negociim sipas vlerës fillestare të propozimit të tij.

Për të zbatuar këto rregulla të reja, do të pritet publikimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, ky vendim nuk do të prekë ato propozime, që janë depozituar tashmë pranë Autoritetit Kontraktor, për të cilat është marrë një vendim për leverdisshmërinë e tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Në muajin mars të këtij viti, një ditë pasi FMN i kishte kërkuar qeverisë shqiptare eleminimin e praktikës aktuale të dhënies së koncesioneve me propozime të pakërkuara, Arben Ahmetaj deklaroi se po përgatitet një ligj që do të ndërpresë dhënien e koncesioneve të pakërkuara duke filluar nga 2021, vit që përkon me mbylljen e mandatit të kësaj qeverie. Pra, pas zgjedhjeve parlamentare. Por, pas kërkesave të përsëritura të ndërkombëtarëve, qeveria po “lëshon pe’” në drejtim të heqjes së lehtësimeve për propozimet e pakërkuara prej saj, që vijnë nga subjekte private, për të dhënë koncesione të ndryshme. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi pardje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë se nga korriku 2019 nuk do të jepet më bonus për propozime të pakërkuara, por prokurimet do të vijojnë me tendera normalë. Deri tani, propozime të shumta të pakërkuara janë vlerësuar me 8-10% të pikëve në një garë, që zakonisht e fitonte ai që sillte propozimin.

Kjo praktikë ka ekzistuar që nga viti 2001, por është kthyer në metodë të zakonshme nga viti 2010 nga qeveria Berisha. Me ndryshimin në Ekzekutiv, edhe qeveria Rama e vijoi atë, me më pak koncesione, por me një vlerë shumë herë më të madhe se ato të mëparshmet. Kjo shkaktoi shqetësim tek FMN, BB dhe BERZH, që shohin në perspektivë rrezikun e konsiderueshëm të një rritjeje të ndjeshme të borxhit publik në të ardhmen.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 22/11/2018 12:13

    Ky eshte VJM me e mire per projektet e PPP , sepse tregon transoarence dhe plus hyn ne konkurim per projektin me te mire dhe me kosto me te ulet te ndertimit , duke mbrojtur parate publike nga korrupsioni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë