Indeksi i besimit të biznesit i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri për vitin 2018 u rrit me 0.71 pikë, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur në 43.16 pikë. Që prej vitit 2012, kur ka filluar matja e këtij indeksi, ai nuk ka kaluar asnjëherë pikën kritike prej 50, ndërsa niveli më i mirë i tij ishte në 2016-n, me 43.78 pikë.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur taksat ishin shqetësimi kryesor i biznesit, ky tregues ka shënuar përmirësim me 6.4 pikë, duke kaluar në problemin e katërt. Për 2018-n, shqetësimi kryesor i anëtarëve të Dhomës Amerikane ishte monopoli dhe konkurrenca e pandershme, me një përkeqësim prej gati 4 pikësh. Shqetësimi i dytë është gjetja e stafit lokal të kualifikuar dhe ky me një përkeqësim të lehtë.
Për herë të parë, klima e brendshme politike është ngjitur si shqetësimi i tretë më i madh i bizneseve, me një përkeqësim prej 4 pikësh.
Bizneset mendojnë se burokracia e qeverisë ka ardhur në ulje, teksa treguesi është përmirësuar me 6.2 pikë, duke kaluar në shqetësimin e pestë, nga i dyti që ishte një vit më parë.
Treguesi më negativ është perceptimi i bizneseve se ecuria e ekonomisë nuk ka qenë pozitive. Pjesa më e madhe e bizneseve mendojnë se performanca e ekonomisë shqiptare është përkeqësuar, duke qenë treguesi që ka shënuar rënien më të madhe me gati 6 pikë, ndonëse mbetet i teti në radhën e problemeve, për shkak të perceptimit pozitiv vitet e mëparshme.
Më pak problematike për bizneset është furnizimi me energji dhe marrëdhëniet me autoritetet tatimore, lokale dhe doganore.
“Vë re se anëtarët citojnë korrupsionin, konkurrencën e pandershme dhe ekonominë informale si shqetësimet kryesore në raportin e këtij viti”, shkruajti e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Leyla Moses-Ones, në përshëndetjen që ka bërë në këtë publikim. “Kam besim se reforma gjyqësore, në momentin që do të zbatohet, do të kërkojë një klimë biznesi të drejtë dhe të parashikueshme, pa korrupsion, që do të nxisë më shumë kompanitë amerikane të investojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e indeksit në vitet në vijim”, shtoi ajo.