Artikulli botuar në revistën franceze, REGARDS, më datë 6 dhjetor 1946, fq. 2, në raportin me titull: “Shqipëri - Bashkëpunimi amerikan për rilindjen e vendit..?” rrëfente qysh në titull një lloj ironie me objektivat amerikane në Shqipërinë e asaj periudhe, ndërsa komunistët edhe pse në fillimet e tyre, po shfaqnin një dhunë të skajshme ndaj elitës intelektuale e pro-perëndimore të vendit.
Revista franceze në fjalë, i bën jehonë pikë për pikë propagandës komuniste, duke transmetuar përfundimet e gjykatës në Tiranë, e nxjerrë kësisoj në pah “bashkëpunimin” e amerikanëve me “sabotatorët” shqiptarë, që sipas artikullit, merrnin udhëzime nga kreu i Misionit Amerikan në Shqipëri, Harry Fultz, ish-drejtori i Shkollës Teknike në Tiranë.
Ndërsa në këtë artikull përmendet emri i Fultz-it dhe nxënësve të tij, ku jepen edhe datat se kur erdhi dhe kur u largua ( dhe u rikthye për t’u larguar më pas pa kthim në 1946) ai që hodhi rrënjët jo vetëm të arsimit profesional në Shqipëri, si antipod nga një tjetër kohë, kur kontributet vlerësoheshin e simpatia për SHBA njihte vetëm rritje, në ndihmë na vjen një artikull i revistës së mirënjohur të viteve ’30 në Shqipëri, “Minerva” ( shih: Kur po largohet z. Fultz? - Minerva, 15 qershor 1933, fq. 15), i cili pikërisht në çastet e largimit të tij nga Shqipëria në vitin 1933, do të shkruante:
“Ndokush mund të dëshrojë që Minerva t’a shënojë faktin si një kronikë të zakonshme shtypi, por Minerva beson dogmatikisht se asnjë i huej tjetër nuk i shërbeu djelmënis shqiptare me aq flakë vullneti e me aq passion të pashuem si z. Fultz.”
Artikulli shoqërohet me dy foto, njëra ndër të cilat është shumë domethënëse. Është pikërisht busti që njëri ndër nxënësit e tij, skulptori Kol Shala, po i bënte si nderim veprës së profesorit të tij. Por në artikull, përveç lëvdatave e mirënjohjes për veprën e Harry Fultz, i lihet një vend i veçantë edhe nxënësve e dishepujve të tij, të cilët me ardhjen e komunizmit, do të bëheshin thujase tërësisht viktima të besimit të vet për “ëndrrën amerikane” të projektuar në Shqipëri.
“Por dobinë mâ të madhe të shembullit të Drejtorit të Shkollës Teknike e patën sigurisht nxënsat që punuen me tê. Ata të cillët e njoftën drejtues të mirë e t’afët në sallat e mësimit, puntuer mjeshtër e të palodhun në fermë e n’ofiqina, dhe eduktaor që nxit në veprim t’ue prîmun vetë, pa qenë nevoja me shtyem. Korrën dobi mbasi të gjithë formojnë nji grup kopjesh të përvûjta të shtatores morale të Z. Fultz. Shumica e këtyne djelmoshave sot gjinden me detyrë të ndryshme nëpër Shqipni, nën dirigjuesa tjerë, e disa tue vijue mësimet përjashta. Por sa herë që jeta u paraqitet me provët e saja mâ të vështira, ata i çojnë prap sytë nga ai që u ka fituem zemrën. E Drejtueri Fultz gjindet përherë gati me misionin e tij përtërits”.
Në dokumentin e paraqitur nga studiuesi Kastriot Dervishi, të bie në sy menjëherë prezenca (në listën e firmëtarëve që nuk patën pikë mëshire, duke mos falur as edhe një grua shtatzënë) e emrave, të cilëve historiografia shqiptare u ka rezervuar një vend nderi dhe janë veshur edhe me petkun e disidentit, si Sejfulla Malëshova ( që do mbahet mend edhe si i pari nga radhët e veta që e cilësoi PKSH-në si parti terroriste) apo Omer Nishani ( ky i fundit, edhe sipas raporteve britanike të sjella së fundmi për publikun nga studiuesi Erald Kapri, njihej madje edhe si pro-amerikan), çka përpos fatit të tyre të mëvonshëm gjithsesi tragjik, i kompromenton rëndë këta të fundit, edhe pse mendja ta do që ata nuk mund t’i kenë rezistuar dot presionit të Hoxhës e ca më keq akoma, atij jugosllav.
Publikimi i dokumentit në fjalë ka sjellë me të drejtë shumë reagime e indinjatë, duke kujtuar në fakt njërën ndër faqet më të zeza të terrorit komunist në Shqipëri. I njohur si njëri ndër proceset më famëkeqe dhe më kompromentuese të ish-regjimit komunist, çka minoi tërësisht edhe marrëdhëniet me SHBA dhe vulosi fatin e Shqipërisë, ai shënjoi edhe njërin ndër vendimet më të egra e më të turpshme që regjimi do të merrte gjatë gjithë historisë së tij, duke e bërë artikullin e paraqitur nga revista franceze, një shembull të “komfortimit të pakompromis” të shtypit perëndimor (në këtë rast, atij francez të kohës) me vendimet e kastës kriminale të Tiranës, duke mos tentuar të hetojë apo komentojë asgjë përtej vendimit zyrtar të gjykatës vendore e u bërë kështu pjesë e turpit “shqiptar” të kohës.
Më konkretisht, shoqëruar me një foto nga punimet në kënetën e Maliqit, në artikull shkruhet: Gjykata ushtarake shqiptare ka dhënë verdiktin në procesin për hetimin e një grupi inxhinjerësh dhe gjeometrësh të akuzuar se kanë kryer sabotazh gjatë punimeve për bonifikimin e kënetës së Malqit. Pesë të akuzuarit, ndër ta edhe një femër, janë dënuar të gjithë me vdekje. Ky grup ka bashkëpunuar dhe ka marrë direktiva dhe fonde nga një mision i huaj në Shqipëri. Sipas deklaratës së të pandehurit ing. Vasil Mano, grupi i sabotatorëve kishte qenë në lidhje me një të huaj, Harry Fultz, anëtar i Misionit Amerikan në Tiranë.
Harry Fultz arriti në Shqipëri në vitin 1923-1924 si drejtor i Shkollës Teknike në Tiranë. Ai e la Shqipërinë në vitin 1932-1933, kur shkollat u shtetëzuan dhe u rikthye pas çlirimit tashmë si anëtar i Misionit Amerikan në Tiranë. Grupi i sabotatorëve përbëhej nga ish-nxënës të z. Fultz. I akuzuari ka ekspozuar në detaje planin e hartuar nga grupi i tij që lidhej me sabotimin e planit për rindërtimin e këtij sektori me të gjitha mjetet. Bashkëshortja e të akuzuarit i transmetonte raporte Harry Fultz-it rreth aktiviteteve kriminale të organizatës. I pandehuri ing. Vasil Mano tregoi një letër adresuar ing. Avdyl Sharrës ( njëri prej të pandehurve kryesorë të procesit) ku Harry Fultz jepte këto direktiva: Bëni kujdes me direktivat që u transmetoni punëtorëve, në mënyrë që puna që po kryhet në vijim të mos përfundojë para fillimit të dimrit, sepse atëherë anglo-amerikanët do të kenë zbarkuar në bregdet.
(Foto e themeluesit të arsimit profesional në Shqipëri, Harry Fultz)
(Foto eskulptorit Kol Shala duke punuar bustin e Harry Fultz)
(Faksmile e artikullit “Kur po largohet z. Fultz)