Zjarri që përfshiu pallatin në kompleksin "Arlis" te zona e njohur si "Farmacia 10" në Tiranë, nuk ishte një rast i izoluar, dhe as për shkaqe të panjohura më parë. Precedentët e ndodhur po në kryeqytet, i bashkon fakti i materialeve të lira dhe të papërshtatshme që përdoren për fasadat, duke favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Materiale që sipas drejtuesit të zjarrfikësve të Tiranës duhet të ndalohen për t’u përdorur.

***

Ndonëse në përmasa më të vogla, një zjarr i ngjashëm, ishte regjistruar në vitin 2021, kur gjatë punimeve në godinë, po në të njejtin kompleks, mori flakë fasada e ventiluar.

Një rast i njejtë u përsërit edhe më herët në një pallat në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, ku po ashtu fasada e ventiluar u bë burim i shpërthimit të flakëve.

Këto lloje fasadash, konsiderohen me rrezik të lartë për përhapjen e zjarrit, nëse nuk përdoren materiale cilësore.

Në objektin që u përfshi nga flakët pasditen e e të martës, i ndërtuar nga kompania ARLIS CONSTRUCTION në Rrugën 5 Maji, është konstatuar se ndërsa muret kanë veshje me lesh guri, pjesa e fasadës është me material i cili në anën e jashtme ka përmbajtje alumini, ndërsa nga brenda është i veshur me një lëndë e cila ka bazë nafte. Eshtë pikërisht kjo pjesë që ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve që përpinë në një kohë të shkurtër pallatin.

Këtë e konfirmoi gjatë emisionit Sot Live në Report Tv dhe drejtori i Zjarrfikësve të Tiranës Shkëlqim Goxhaj, i cili tha se këto materiale duhet të hiqen nga qarkullimi

Në këmbët e pallatit në flakë, grumbujt e copave të fasadës që kanë rënë në tokë, i gjen kudo. Edhe për inxhinjerin Gëzim Beqja, të cilit iu treguan në studion e Report TV, ato janë materiale të ndaluara.

“Ky produkt ndahet në 2 kategori, ato që janë 100% metalike, me alumin dhe janë të pranueshme për t’i futur në fasadë dhe ato që kanë përbërje plastike. Kjo është absolutisht e ndaluar. Kjo e thith më shumë sesa duhet zjarrin”, tha inxhinieri.

Kompania ndërtuese Arlis, u përpoq të hiqte përgjegjësinë nga vetja, ndërsa përmes një deklarate theksoi se për fasadën ajo ka patur kontrata me shoqëri të rregjistruara  që kanë ofruar certifikatat e materiale sipas standarteve europiane dhe legjislacionit në fuqi.

Por pamjet e transmetuara nga Report Tv të momenteve të para të zjarrit, tregojnë flakët që nisin pikërisht në pjesën e poshtme të pallatit pranë një marketi, pak centimetra nga toka, për të përfshirë me shpejtësi katet e larta të godinës. Nëse do të ishin përdorur materialet e duhura, sipas inxhinjerit Beqja, zjarri do të duhej të ishte shuar vetë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:22
Zjarri te Arlis/ Drejtori i Zjarrfikëses: Fasada përhapi zjarrin, të ndalohen materiali si i saji! Arkitekti ngre alarmin: Garazhet, minë me sahat!

Në një lidhje direkte me “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, tha se materiali i fasadës bëri të mundur përhapjen e flakëve që përfshinë pallatin e ‘Arlis’ në Tiranë. Ai theksoi se këto materiale nuk duhet të përdoren.

“Zjarri është nga faktorë të jashtëm. Shpërndarja e zjarrit është bërë nga fasada. Këto materiale s’duhet të përdoren në objektet e ndërtimit, sidomos në objektet shumëkatëshe sepse kemi parë që janë me pasoja katastrofike”, tha Goxhaj.

Materiali i fasadës, shpjegoi Goxhaj, kishte poshtë saj lesh guri. Pikërisht me një material të tillë duhet të ishte veshur edhe fasada për të shmangur zjarrin.

“Poshtë kësaj fasade të karbontë që transmeton zjarrin, kishte lesh guri. Leshi i gurit në çdo lloj temperature, nuk digjet. Po të shikoni ato pjesë që rrëzohen nga tarraca, ishin pikërisht këto pjesë dhe të padëmtuara fare nga zjarri. Ashtu siç ka vënë leshin e gurit ndërtuesi, duhet të vinte edhe fasadën finalizuese që mos të ishte përçuese e vatrës së zjarrit”, shpjegoi Goxhaj.

Por ndërsa pallati i ‘Arlis’ u përfshi nga katet e para deri në ato të sipërme, arkitekti Artan Kacani tha se garazhet e mbyllura e të nëndhenshme janë ‘bombë me sahat.”

“Në Shqipëri ka shumë garazhe që në katet përdhe janë projektuar të hapur dhe vetë banorët i kanë mbyllur. Kjo është një bombë me sahat”, tha Kacani.