Ish-ambasadori Tarifa: "Podesta"
nuk influencon dot tek Obama

Ish-ambasadori Tarifa: nuk influencon dot tek Obama">
TIRANE - Prof.Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA ka deklaruar se "Industria e lobimit është e jashtëzakonshme, por ndërhyrja e saj nuk shkon më shumë se realizimi i një takimi apo sjellja e një kompanie investimesh në vend. Ndaj, unë nuk besoj se “Podesta Group” ka një fuqi aq të madhe sa të ndryshojë politikat apo qëndrimet e SHBA-së". Këtë gjykim, prof.Tarifa e ka dhënë në emisionin "Airport" të tv. "A1Report!" moderuar nga gazetarja Mira Kazhani. Ai ishte i ftuar sëbashku me studiuesin Piro Misha dhe politikanin Gazmend Oketa për të diskutuar lidhjet e Shqipërisë me Amerikën dhe rolin e SHBA-së në këto zgjedhje të fundit elektorale.

Të ftuarit u pyetën nga moderatorja lidhur me kompaninë e lobimit "Podesta Group", të përzgjedhur nga qeveria shqiptare për të kuruar imazhin e Shqipërisë në SHBA dhe ndikimin e saj të vërtetë pranë qeverisë së Obamës. Tarifa u shpreh: "E njoh mirë industrinë e lobimit, që kur punoja në SHBA për të futur Shqipërinë në NATO. Është një industri e jashtëzakonshme, por që ndërhyrja e saj nuk shkon më shumë se realizimi i një takimi apo sjellja e një kompanie investimesh në vend. Unë nuk besoj se “Podesta Group” ka një fuqi aq të madhe sa të ndryshojë politikat apo qëndrimet. Unë mendoj se Presidenti amerikan di pak për vendet e vogla dhe ndikimi më i madh i organizatave të tilla lobiste është pranë Kongresit amerikan, pranë kongresmenëve të veçantë. Por, a do të vijnë këtu kongresmenë? Edhe Fatmir Mediu mund të sjellë këtu ndonjë kongresmen, por ato janë pa ndonjë influencë dhe janë kryesisht lidhje personale", - theksoi ai.
 
Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa nga ana e tij tha "Kam përshtypjen se po biem në grackën e politikës. “Podesta Group” nuk ka ardhur këtu të influencojë tek qeveria amerikane, por tek zgjedhësit shqiptarë. Ata që i drejtojnë këto organizata, janë ish-kongresmenë, por është e pamundur që ata të influencojnë qeverinë amerikane. E shumta, ata për interesat e tyre sjellin këtu ndonjë kompani biznesi. Këto kompani amerikane e kanë detyrim në SHBA të deklarojnë fitimet e tyre. Por në Shqipëri nuk dihet sa është shuma që u jepet atyre."   Studiuesi Piro Misha ngana a e tij vërejti se “Podesta” është një realitet që paguhet për imazhin e Shqipërisë, të Qeverisë, në SHBA."

Lidhur me mesazhin, që ambasada amerikane ka lëshuar sot për zgjedhje të lira si provë për demokracinë në Shqipëri, Oketa tha: "Ndihemi të keqardhur që pas kaq vitesh demokraci, 22 vjet, ne ende e vëmë SHBA-në në rolin e arbitrit për problemet tona". Tarifa vërejti se nuk është normale që një ambasador prononcohet kaq shpesh në media, në publik, megjithë problemet që ka vendi, ndërsa studiuesi Misha e kundërshtoi me argumentin se kjo ndodh vetëm në vendet me demokraci të brishtë, që kanë nevojë për nxitje, shtytje.

"PREMTIMI I BERISHES PER LIBERALIZIMIN E VIZAVE ME SHBA, TIPIK ELEKTORAL"

Moderatorja e emisionit, Mira Kazhani,  iu kërkoi të ftuarve, mendimin e tyre lidhur me premtimin e Kryeministrit Berisha për liberalizim e vizave me SHBA-në. Studiuesi Piro Misha tha se kjo "është deklaratë tipike elektorale, kurse kundërshtia e ambasadës është tipike teknike. Por që Shqipëria ta meritojë këtë, do duhen ndryshime dhe që fillojnë që nga këto zgjedhje.  Nëse ne do vazhdojmë të krijojmë kriza si këto që po ndodhin, atëherë mendoj se do kemi “lodhje” edhe nga SHBA, edhe nga BE. Nëse për ne është normale që të mos kemi institucione që gjykojnë zgjedhjet, për këto vende kjo nuk është normale."

Ish-ambasadori Tarifa ishte i mendimit se “duhet të jesh i verbër që të besosh se vizat me SHBA-në mund të hiqen lehtësisht. Por në një periudhë fushate kjo duket si një slogan dhe premtim që tingëllon i besueshëm. Kërkesa është legjitime, por ne nuk e dimë sa e dëshiron këtë pala pritëse. Numri i vendeve që udhëtojnë pa viza në Amerikë është shumë i vogël. Shqipëria nuk plotëson as kushtet minimale. Mendoj se edhe jashtë kësaj fushate, do duhet një kohë shumë shumë e gjatë që ne të përmbushim kushtet."
 
Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa tha se “kjo çështje nuk është bërë asnjëherë temë diskutimi me qytetarët në fushatë. Nga këto premtime duket sikur dy krerët e politikës u tregojnë të rinjve, rrugën e emigrimit; këtë bëri edhe kryetarja e Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjes së një të reje për mundësitë e punësimit. Mos të harrojmë dhe faktin se ne renditemi tek ajo popullsi me të ardhura të ulëta, që ka rreth 5 mijë USD në vit të ardhura për frymë e që do të thotë se bileta për Amerikë është 1/3 e kësaj shume!”

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën