TIRANË - Ish-shefi i zonës numër 1 të Hipotekës në Tiranë do të gjykohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Prokurori e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykimin dosjen e ish-zyrtarit i cili u kallëzua nga policia pasi u "kap" mat duke i marrë ryshfet qytetarëve në një emision televiziv investigativ. Tushe i merrte para qytetarëve që paraqitesh në Zyrën e Hipotekës për veprime administrative që i kishte për detyrë t'i kryente.
 
Sipas prokurorisë -Artan Tushe ka ndërhyrë tek vartësit e tij për të regjistruar pronën në emër të një shtetasi rreth dy muaj para se aplikuesi të dorëzonte kërkesën në ZVRPP (Hipotekë). Nëpërmjet ndërhyrjes së tij, ai ndihmoi qytetarin, kundrejt shumave financiare, që të regjistronte pronën truall në qytetin e Tiranës, në emër të tij, pavarësisht se nuk kishte bërë aplikim. Për rastin e dytë, në bazë të pamjeve filmike të administruara prej emisionit televiziv, Artan Tushe rezulton se i ka marrë, në dy episode të ndryshme, dy qytetarëve, shumat e 500 euro dhe 50 mijë lekë (të reja).
 
Sipas deklarimeve të vetë qytetarëve, ata kishin aplikuar në ZVRPP për të kryer veprime administrative me pronat e tyre, veprime të cilat po vonoheshin me qëllim që të paguanin para pranë zyrtarëve të Hipotekës për të marrë shërbimin. Këta qytetarë i janë drejtuar emisionit investigativ dhe në njërin prej këtyre rasteve, qytetari kërkon ndihmën e shefit Artan Tushe, për ta ndihmuar të kryente veprimin administrativ brenda afatit kohor ligjor dhe “me më pak para, meqenëse kam dëgjuar se punonjës të tjerë kërkojnë 1500 euro”, shumë të cilën ai nuk e dispononte. Nga hetimi rezultoi se i pandehuri Artan Tushe, “e ndihmon”, duke i marrë “vetëm 500 euro” dhe ia kryen veprimin administrativ në kohë optimale për qytetarin. Edhe në rastin e dytë, me qytetarin që i dha 50 mijë lekë, prezantohet e njëjta situatë, ku shefi i zonës nr.1 të Hipotekës Tiranë “e ndihmon” me më pak para se sa mund t’i kërkonin persona të tjerë.
 
Hetimi i përfunduar i prokurorisë vjen pas fitores në Gjykatën e Lartë për të rikthyer masën e sigurisë të "arrestit me burg", që Gjykata e Apelit ja kishte kthyer në "arrest shtëpie".
 
Pjesë të zbardhura nga regjistrimet e emisionit investigativ:
Qytetari:  Si je ?
Artan Tushe: Ça bëre ti, mirë ?
Qytetari: Na fal…
Artan Tushe: S’ka gjë. E mo, sa të kanë kërkuar ?
Qytetari: 1500 ( njëmijë e pesëqind ) euro.
Artan Tushe:  Sa e ke me qejf ?
Qytetari: A e di si e kisha problemin se unë prandaj e futa edhe atë…
Artan Tushe: Sa e ke me qejf, flasim troç!
Qytetari: Ça të them unë i shkreti, unë futa një, edhe i thashë, thuaj Tanit, unë lek për momentin s’kam. Të marri se unë kam tre çertifikata. Të ma marri çertifikatën, sa të shes tokën. Unë po e shes 10 ( dhjetë ) million lekë, se po e shes për hall.S’kam lekë. Po ashtu më thuaj ti, se sa ? Se ata më kanë kërkuar 1500 euro. Ku I kam 1500 euro ?  Më thuaj ndonjë shumë, ti gjej, ti sjell. S’ka problem, më thuaj ti sa?
Artan Tushe:  Sa e ke ti me qejf të them?
Qytetari: Po sa, me qejf …500 ( pesëqind eurosh, ta sjell?
Artan Tushe: Më prit dy minuta të marr tabelën. Flasim, mirë ?
Qytetari: Mirë.
( pas një ndërprerje nga drejtuesit e emisionit, në pamjet filmike dëgjohet Artan Tushe duke numëruar një shumë parash, të cilat janë prerje 100 dhe 50 euroshe: 100, 200, 300, 400, 500. Më pas jepen pamjet shtetasit Artan Tushe, duke hyrë në ambjentet e një lokali, ku aty e prêt një person, me të cilin zhvilloon bisedën e mëposhtme:)
Qytetari: Të kam bezdis ëëë?
Artan Tushe: Ku e gjetët atë mut avokati, ku e gjetët?
Qytetari: Ku e gjeta unë?! Ai më gjeti kur e shita tokën.
Artan Tushe: Ia shite ti atij ?
Qytetari: Jo, jo, ma gjeti ai që ia shita unë.
Artan Tushe: Edha tha hajde se ti rregulloj unë.
Qytetari: Tani si i bëhet ? Kam hyrë në një valle, në një siklet të madhe që se ke idenë. As më njeh, as të njoh, pop o të qaj hallin.
Artan Tushe: Jo mo, do ta bëjmë.
Qytetari: Për zotin. Tani ajo, mund të dalë të hënën?
Artan Tushe:  Do mundohemi ta nxjerrim.
( ndërkohë qytetari nxjerr një shumë parash )
Artan Tushe: Sa ke lënë
Qytetari: Unë kam lënë 500 ( pesëqind )
( Artan Tushe merr paratë nga qytetari dhe i mbështjell. Ndërkohë biseda vazhdon )
Qytetari: Jo, numëroi pot ë duash se…vetëm ma mbaro si punë të lutem!
Artan Tushe:  Ta mbarojmë që sot o nesër, të hënë ta mbarojmë
Qytetari: të lutem se e kam litarin në fyt, për zotin. Mirë hajd lëvizim pra.
Artan Tushe: Dil përpara ti.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)