Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë, në studion e ‘Rreze Dielli’ nëpërmjet një lidhje skype nga Kosova, Leoreta Fondaj jep një mesazh për të gjithë vajzat dhe gratë. Leoreta Fondaj është një nënë e re nga Kosova që e ka fituar betejën e saj me kancerin e gjirit. Ajo është nga Komuna e Suharekës, ndërsa në studio dha dëshminë personale të luftës së saj me kancerin e gjirit, duke ia dalë. 41 vjeçarja u diagnostikua me kancer gjiri përpara katër viteve, jeta e saj nga ai moment ndryshoi përgjithmonë.
”Jeta ime ishte shumë normale katër vite më parë, derisa një ditë ndjeva një dhimbje krahu kur po stërvitesha në palestër, bëra menjëherë një vizitë shëndetësore ku zbulova se vuaja nga kanceri i gjirit. Më parë merresha me fitnes, ushqehesha shëndetshëm, por mesa duket kjo sëmundje paska qenë e pashmangshme, pasi kam disa familjar që kanë patur këtë problem, pra është genetike” shtoi ajo, duke treguar se vështirësia e parë ishte që të fliste me fëmijët e saj për këtë problem.
”Vendosa që të bëhesha e fortë duke dalë hapur me të vërtetën, kam punuar shumë me ta për pjesën psikologjike, ata ishin motivi dhe forca ime për të ecur përpara në atë rrugëtim të vështirë” tha Leoreta në lidhje direkte nga Kosova, e cila duket se e ka fituar këtë betejë të vështirë, ndërsa ndjek rregullisht kontrollet rutinë çdo gjashtë muaj.
E pyetur nga moderatorja sesi e sheh tani jetën, ajo u shpreh: “Jeta ima ka ndryshuar plotësisht, i kam kuptuar vlerën jetës dhe gjërave të thjeshta, ndërsa forca ime është familja dhe njerëzit e dashur”, duke dhënë kështu mesazhin se paçka çdo gjëje, forca më e madhe vjen vetëm nga familja.
Lajmi kryesor: