TIRANË- Ish deputeti socialist Ervin Bushati është kundër kandidimit të kryebashkiakut Erion Veliaj në Bashkinë e Tiranës, për zgjedhjet vendore 2023. Në një intervistë për Report Tv, Bushati tha se PS duhet të bëjë më shumë për të dëgjuar zërin e qytetarëve, si edhe duhet të provojë njerëz të rinj në këtë zgjedhje.
Në ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, ish-deputeti u shpreh se nuk duhet parë më posti i kryebashkiakut, si një trampolinë për të kaluar në kryeministri. Bushati shtoi se ky post nuk duhet të përdoret për ambicie politike, por për t’u gjendur pranë qytetarëve.
“Nëse Rama ndjek zërin e arsyes për më të mirën e qytetarëve shqiptarë, do duhet të mendojë edhe më mirë për qytetarët. Që s’ka garë kjo dihet dhe e ka një mandat të sigurt. Do marrë 85% të popullatës, s’ka sfidë në këtë pikë. Duhen provuar edhe njerëz të rinj, edhe për kryeqytetin gjithashtu. Nuk duhet parë si trampolinë politike më bashkia, Bashkia është për të rregulluar jetën e qytetarëve, nuk duhet të politizohet kaq shumë. Duhet këputur ky kordoni umbelikal që lidhet mes bashkisë dhe zyrës së kryeministrisë. Jo kush është kryetar bashkie duhet të ketë ëndrra për t’u bërë kryeministër”, tha Bushati në Report Tv.
Një ndërhyrje pati Dorian Teliti, pjesë e Grupit të Rithemelimit, i cili me ironi falënderoi Bushatin që ishte i sinqertë se Bashkia Tiranë nuk u ka shërbyer qytetarëve.
Teliti: Domethënë s’iu ka shërbyer?
Bushati: Mund të shërbehet më mirë.
Teliti: Të falënderoj për sinqeritetin.
Bushati u shpreh i bindur se PS do të fitojë shumicën dërrmuese të bashkive të vendit, ndërsa sipas tij Shkodra, bastioni historik i të djathtëve do t’i mbetet PD-së. s ai takon opozitës, Bushati tha se do të marrin vetëm bashki të nivelit të tretë, deri në 15 bashki.
Por sipas Telitit, opozita e bashkuar do të arrijë të marrë më shumë se gjysmën e bashkive.
“Opozita e ka të vështirë të marrë bashkitë kryesore. Po kërkon që në reformën territoriale të shtojë bashki, të davarisë idenë e humbjes. Kanë për të marrë bashki të nivelit të tretë. Përveç Shkodrës që e kanë dhe do vazhdojnë ta mbajnë mesa duket”, tha Bushati.
“Në rastin se gjithë opozita, pavarësisht debateve të brendshme, nëse dalim bashkërisht, dëgjojmë edhe zërin e demokratëve. Ua siguroj që më shumë se gjysmën e bashkive kryeson opozita shqiptare. Dhe nëse do kemi zgjedhje normale, do kryhet rotacioni patjetër”, tha Teliti.
Partia Socialiste deri më tani ka konfirmuar kandidimin e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ndërsa nuk do t’i japin një shans të dytë kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Lelit.
Komente










