Për gati 2 orë e 30 minuta deputetja e Partisë Socialiste, Anila Denaj e cila për gati 3 vjet ka mbajtur dhe postin e ministres së Financave në kabinetin "Rama 2" u mor në pyetje nga SPAK lidhur me koncesionin e sterilizimit.

Në seancën që nisi nga ora 10:30 dhe u mbyll rreth orës 13:00 Denaj mësohet se është marrë në pyetje si personi që kishte dijeni për koncesionin e sterilizimit.

"Isha për të sqaruar për informacionin që kam dijeni gjatë kohës që kam punuar në Ministrinë e Financave, në kohën e këtij koncesioni", tha Denaj për  mediat pas doli nga SPAK.

Dosja e koncesionit të sterilizimit është një nga dosjet e para të bujshme që në 2020 përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vijon të hetohet.

Disa herë është thirrur për tu marrë në pyetje edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja i cili ka firmosur dhe kontratën.

Anila Denaj ka mbajtur postin e  drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe mësohet se në atë kohë nuk ka qenë dakord për çmimet e larta të sterilizimit. Madje ka paraqitur dhe ankesë. Pikërisht për këtë kohë, burimet bëjnë me dije po pyetet nga ekspertët e Byrosë së Hetimit.

Postet e Anila Denajt

Anila Denaj u ul në postin e Ministres së Financave në dhjetor 2018 në kabinetin e qeverisë "Rama 2" pasi zëvendësoi në këtë detyrë Arben Ahmetajn.

Ka mbajtur postin e ministres së Financave deri në shtator 2021, kohë kur u zëvendësua nga ministrja aktuale Financave Delina Ibrahimaj e cila mori drejtimin e këtij dikasteri në kabinetin e qeversë "Rama 3"

Ndërkohë mëpërpara ka drejtuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, dhe më herët ka qenë anëtare e bordit të AKEP.

Anila Denaj ka mbajtur pozicionin e zv/ drejtoreshës në një bankë tregtare për periudhën 2007-2013. Nga viti 2013 deri në vitin 2015 ka mbajtur pozicion drejtues në Ministrinë e Financave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:07
Përfundon dëshminë e saj në SPAK, ish ministrja Denaj: U mora në pyetje si person në dijeni

Ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, njëherazi deputete e PS, ka dalë pas rreth 3 orësh nga SPAK, ku u pyet për dosjen e sterilizimit. Në daljen për mediat Denaj tha se u mor në pyetje si person në dijeni. Ajo ka thënë se ka dhënë informacion për koncesionin e sterilizimit gjatë kohës që ka punuar.

"Isha për të sqaruar për informacionin që kam dijeni gjatë kohës që kam punuar në Ministrinë e Financave, në kohën e këtij koncesioni", tha Denaj. 

Ora 12:13
Anila Denaj në SPAK, kur ishte drejtoreshë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore kundërshtoi çmimet e larta të sterilizimit

 

Report TV mëson se në kohën kur është firmosur kontrata e sterilizimit Anila Denaj ka mbajtur postin e  drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Në atë kohë, Denaj nuk ka qenë dakord për çmimet e larta të sterilizimit. Madje ka paraqitur dhe ankesë. Pikërisht për këtë kohë, burimet bëjnë me dije po pyetet nga ekspertët e Byrosë së Hetimit, informon gazetari i Report TV, Sokol Dema.