Nga dita e sotme deri në 10 prill një mamografi e lëvizshme do të jetë në qytetin e Kukësit, ndërkohë që mamografia e dytë do të vijojë shërbimet në Bilisht deri në 3 prill.
Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije se nga janari i 2015 është duke u ofruar shërbimin e mamografive të lëvizshme për qendrat e banimit ku nuk ka mamografi.
Nga 15 janari deri në tani janë kryer mbi 1000 ekzaminime. Shërbimi ofrohet falas nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Shëndetit Publik.
Ekzaminimin mund ta kryejnë gratë e interesuara në moshën mbi 50 vjeç, ose ato të moshës 40-50 vjeç që konsiderohen me risk më të lartë. Me risk të lartë do të konsiderohen ato gra që janë bartëse të defekteve gjenetike, që kanë histori familjare apo personale, probleme beninje të gjirit, në rastet kur është vërejtur fillimi i hershem dhe mbarimi i vonshëm i menstruacioneve, moslindje ose lindja e fëmijës mbi 30 vjeç, obezitet, ind i ngjeshur të gjirit dhe ekspozim ndaj rrezatimit terapeutik.
"Mesatarisht çdo ditë njësitë e mamografive kryejnë rreth 15 ekzaminime", ben te ditur ISHP. Grafiku i lëvizjes se njësive të lëvizshme caktohet paraprakisht dhe bëhet publik periodikisht. Mamografia nuk vendos diagnozën. Ekzaminimet shtesë, përfshi ekografinë apo edhe biopsinë, do të jenë të nevojshme për një pjesë të grave. Vetëm më pak se 1% e grave të ekzaminuara mund të ketë tumor malinj. Inkurajohen të gjitha gratë që të kryejnë çdo vit ekzaminimin klinik të gjirit nga një mjek pranë një qendre shëndetësor.
Për muajin prill ekzaminimet do të kryhen:
31 mars-10 prill Kukës;
30 mars - 3 prill Bilisht;
6-17 Prill Pogradec;
13 -24 prill Bajram Curri;
20 prill Librazhd;
27 prill Has   /atsh/