Inspektoriati Shëndetësor njoftoi të dielën se, ka kryer inspektime gjatë orëve të natës në lokale e ambiente të tjera që operojnë në zonën e ish Bllokut në qytetin e Tiranës.
Përmes një njoftimi për shtyp, ISHSH bën të ditur se gjatë mbrëmjes së djeshme u kryen 20 inspektime në lokale e ambiente të tjera argëtimi. "Për arsye të moszbatimit të ligjit në fjalë, nga ana e inspektorëve të ISHSH-së janë marrë masa administrative me vlerë totale 900 000 lekë të reja për 3 subjekte që u gjetën me shkelje", bëhet e ditur nga ISHSH.
Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dega Tiranë, Gjergj Koja theksoi se "kontrolli i vazhdueshëm i zbatimit të ligjit 'Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit', është pjesë e planit të punës së ISHSH-së dhe inspektimi i sotëm është në vazhdën e zbatimit të këtij plani pune".
Inspektimet e ISHSH-së dega Tiranë u monitoruan nga inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor qëndror, të cilët ishin pjesë e grupeve të inspektimit./atsh/