Ish- shefi i shtabit të Forcave të Armatosura dhe deputeti socialist Bardhyl Kollçaku tha në Report Tv se kjo është faza e dytë e sulmit rus ndaj Ukrainës dhe se duke parë rezistencën e tyre nuk po kursen asgjë! Sipas tij ditët në vijim do të jenë edhe më të vështira, duke sjell dëme katastrofale.

“Tani kemi hyrë në fazën e dytë të luftimeve, ushtria ruse po hedh në veprim të gjithë arsenalin e saj, nuk po kursen asgjë, madje edhe raketat që janë të ndaluara nga Konventa e Gjenevës. Sot në Kharvik pamë një masakër. Nga pjesa ruse ka kaluar në fazën e dytë të përshkallëzimit. Nëse në fillim kujdeseshin të mos vrisnin civil, por tani që shohin rezistencën e ukrainasve po veprojnë. Në ditët në vazhdim mendoj që do të kenë përshkallëzim dhe dëme të pamenduara ndonjëherë.”, u shpreh ai.

I pyetur nga gazetari Andi Kapxhiu në “Sot Live në Shqipëri”, lidhur me vizitën e tij në Kiev, ai tha se 1 muaj më parë askush nuk e mendonte se situata do të agravonte dhe se Ukraina nuk kishte marrë masa mbrojtëse as në pikat strategjike.

"Situata në Kiev ndryshon nuk ndryshon vetëm me ditë, pro me orë. 1 muaj më parë askush nuk e priste këtë, menduan se ishte presion. Si ushtarak shikonim një farë qetësie, nuk kishin marrë masa mbrojtëse as në pikat strategjike.", tha deputeti socialist.

Kollçaku na kujtoi edhe njëherë se NATO nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt, por ka ndihmuar në rezistencën ukrainase. Sipas tij Putin ka dalë lakuriq në çmendurinë e tij.

“NATO ka 8 vjet në Ukrainë, që ka pajisur dhe mbështetur me armatime dhe trajnim, ndaj kemi edhe një rezistencë kaq të madhe të ukrainasve. Ky sulm e ka bashkuar komunitetin ndërkombëtar si asnjëherë më parë. Putin ka dalë lakuriq në çmendurinë e tij.”, tha ai. 

Për sa i përket thirrjet të Zelensky-t, presidentit ukrainas për të gjithë njerëzit në mbarë botën që kanë dëshirë t’i bashkohen luftës, ai tha se shqiptarët të cilën nuk janë të trajnuar nuk duhet të shkojnë, ndërsa e cilësoi luftën si të përgjakshme.

“E kuptoj sensibilizimin, të gjithë ata që duan të shkojnë të konsultohen me ministrinë e brendshme, të jashtme . Është një luftë e përgjakshme, kush nuk është i trajnuar, mos ta marrim mundimin. Ka shumë mënyra për të ndihmuar.”, u shpreh ai.