Ishte Edi Rama???!!!

Ishte Edi Rama???!!!
Edi Rama sikur nuk na e mbushte syrin. Dukej se fluturonte mbi re, e symbyllur ëndërronte një Shqipëri, të cilën ne që i kishim hapur sytë, na bënte për të qeshur. Gajasja e gjatë, vetëm dje i la vendin një përqëndrimi kurioz dhe habitor; një Ramë në Kosovë që s’e kishim njohur. Pa i hyrë analizave, sepse ato do të jenë  punë e ekspertëve, thjesht nga ai njeri dje kam dëgjuar për herë të parë (nga një politikan) fjalët që jo vetëm unë, por miliona i kanë pritur prej vitesh, e vitesh. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Sigurisht jo me heqje kufijsh e bashkim flamujsh (është herët), por me heqje barrierash e bashkim idesh, e le të jenë kufijtë vetëm në letër.

Rama foli për trojet tona, foli për shqiptarë, foli për komb, foli për atdhe. Foli për një Shqipëri-Kosovë të fuqishme në Ballkan dhe më gjerë. Foli për mbarëkombëtarizim. Foli për erë të re...Ky nuk ishte një politikan i rëndomtë shqiptar nga ata që kanë kaluar me dhjetëra e me qindra këtyre viteve. Ishte diçka mes vendosmërisë së Ali Pashës e gojëtarisë së Fan Nolit. Ishte dikush që kërkonte shkëputjen dhunshëm nga thonjtë e të rëndomtës e pisllëkut vezullues, për të kaluar në një tjetër dimension, në një tjetër shqiptari, në një tjetër epokë. Në epokën kur shqiptarët mund të ndahen me viza, por bashkohen mbi hartën ballkanike e europiane.

Dita e djeshme ishte një krisje e qelqit të vendosur mes Edi Ramës dhe besimit se çfarë më ofron ai. Një qelq i kuarcuar në vite për këtë njeri, i cili bënte gjithçka për t’u bërë diçka. Në ditën e djeshme kjo diçka ishte gjithçka. Një njeri të cilin gati rrallë e kemi dëgjuar të fjalosë për Kosovën, e kemi bërë objekt barsoletash për ftesën ndaj Ramushit që ndodhej fatkeqësisht diku tjetër, për të cilin kemi menduar se as e dinte se ka shqiptarë në Maqedoni; dje ky njeri përmblidhte shpresën dhe ëndërrën e gjithë shqiptarëve, të vdekur dhe të gjallë, për një Shqipëri, bashkë me Kosovën, bashkë me gjithë trojet e tjera; të fortë, ambicioze, me peshë dhe jo lypsare. Nëse thjesht vetëm do ta dëgjonim, pa e ditur kush e lexonte, po thjesht, do të mendonim se po fliste shpirti i dhjetë milionë shqiptarëve e më shumë anembanë botës.

Me atë çka paraqiti dje, Edi Rama ka marrë mbi krahë botën të tërë, botën shqiptare. Por nëse si Atlasi, do të kërkojë ndonjë Herkul për t’i mbajtur peshën, ajo do të jetë dita e zhgënjimit të madh. Nuk e di a është i vetëdijshëm për atë çka ka shkruar mbi ato fletë, a e ka ndjesinë reale se çfarë ndjesie ka përcjellë, por në emër të asaj që na ofroi lutem që të mos jetë një lugë boshe pavarësisht se e larë me flori. Nëse kjo është ëndërra e tij, atëherë dje, Edi Rama, na ka dhënë ëndërrën e një shqiptarie që nuk përpëlitet brenda kafazeve ku e kanë ndryrë. Kjo është ëndërra e gjithë shqiptarëve. Të shpresojmë që të mos fluturojë pas kësaj ëndërre me nxitimin e Ali Pashës sa t’i presin kokën; por dhe të mos jetë i mefshtë, të pikturojë në kohë vështirësish si Fan Noli (pianos).

Edi Rama guxoi aty, ku shumë dëshirojnë, por asnjë nuk rrezikon. Nuk dukej një adoleshent në politikë, por një shtetar i pjekur me fushëpamje jashtë të zakonshmes e të përditshmes. Një vizion afatgjatë i pritur prej kaq dekadash të ndërrmerrej. Dhe e ka bërë njeriu nga i cili pritej më pak, e që duket se mund të na surprizojë shumë. Dje na ka çuditur. Sot është koha të na bëjë ta besojmë. Takimi i qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren është një fillim i mbarë, pas 125 viteve një lidhje e re... 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Klaudio Prendit, ngjarja i kalon në kompetencë SPAK-ut! Autorët i përkasin një grupi të strukturuar kriminal

Vrasja e Klaudio Prendit, ngjarja i kalon në kompetencë SPAK-ut! Autorët i përkasin një grupi të strukturuar kriminal