Polici Anxhelo Kumaraku ndodhej jashtë shërbimit dhe pranë banesës së tij në Shkozë kur u plagos në këmbë pak pasi kishte trokitur mesnata. 30-vjeçari ndodhej në shoqërinë e fqinjit të tij, Kejdi Spajës, por ngjarja nuk ishte një rastësi.

Fqinji 31-vjeçar kishte thyer masën e arrestit në shtëpi dhe ishte shënjestra e vërtetë e atentatit. Në janar, ai ishte arrestuar nga “Shqiponjat” për armëmbajtje pa leje ndërsa qarkullonte në kryeqytet.

Ajo që e ktheu Spajën në shënjestër është konflikti për një çështje borxhi me dy vëllezër, Aldo dhe Ali Lika, 33 dhe 22 vjeç, tashmë të shpallur në kërkim.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se dy vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të Spajës, i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me agjentin e komisariatit nr. 4 dhe një tjetër.

Spaja i kishte dhunuar fizikisht dy vëllezërit më parë dhe në shenjë hakmarrjeje, ata tentuan ta qëllonin me armë, por plumbat kapën efektivin që fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja. Arma e policit është dërguar për ekspertim nëse ka qëlluar apo jo.

Ndërkohë, përpara hetuesve, Kumaraku ka pohuar se nuk kishte njoftuar se fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë, ndërsa njiheshin që fëmijë. Kjo solli pezullimin e tij nga detyra dhe paralelisht një hetim disiplinor për shkelje të rëndë.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:10
Plagosja e efektivit në Shkozë/ U shpëtoi plumbave të atentatit, Report Tv siguron pamjet e makinës së fqinjit Kledi Spaja

1779102833_makinameplumbandajkomshiuttepolicit.jpg

Plumbat në makinën e Spajës

Report Tv ka siguruar pamjet e makinës së Kejdi Spajës, i cili ishte objektiv i atentatit mbrëmjen e djeshme në Shkozë.

Në foto duken shenjat e plumbave të qëlluar në drejtim të 31-vjeçarit, të cilët plagosën aksidentalisht edhe efektivin e policisë, Anxhelo Kumarakut.

Ora 12:27
Plagosja e policit në Shkozë/ Tani nën arrest shtëpie, Kejdi Spaja u kap me armë pa leje në janar (Njoftimi)

1776681663_policiaeshtetit.png

Kejdi Spaja, 31-vjeçari që ishte shënjestra e vërtetë në plagosjen e efektivit Anxhelo Kumaraku, u arrestua në janar. Sipas njoftimit të asaj periudhe, ai është kapur nga forcat “Shqiponja” në bulevardin “Zhan d’Ark” në kryeqytet për armëmbajtje pa leje.

Spajës i është sekuestruar pistoleta dhe municioni. Veç tij, edhe shoferi i mjetit “Audi” ku Spaja ndodhej, një 51-vjeçar, u vu nën hetim për moskallëzim krimi.

Njoftimi i policisë (janar):

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Pasagjeri”.

Lëvizte i armatosur me pistoletë, arrestohet nga Forca “Shqiponja”, në bulevardin “Zhan D’ark”, 31-vjeçari.

Procedohet penalisht drejtuesi i automjetit në të cilin ishte pasagjer shtetasi i armatosur, për moskallëzim të krimit. 

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me krehër dhe me municion.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit për një shtetas që lëvizte i armatosur, siguruar në rrugë operative, në vijim të punës me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje, dhe si pasojë janë rrezik potencial për ngjarje kriminale, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, finalizuan operacionin e koduar “Pasagjeri”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në bulevardin “Zhan D’ark”, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin S. Z., 51 vjeç dhe me pasagjer shtetasin K. S., 31 vjeç. Nga kontrollet, 31-vjeçarit iu gjet në çantën e dorës, 1 armë zjarri pistoletë me municion, që posedohej pa leje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi K. S. u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa shtetasi S. Z. u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Ora 12:11
Nuk raportoi shkeljen e arrestit shtëpiak nga fqinji, pezullim nga detyra dhe hetim disiplinor për efektivin e plagosur

Pas plagosjes së tij, Anxhelo Kumaraku është pezulluar nga detyra. Efektivi 30-vjeçar ndodhet nën hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për shkelje të rëndë.

Kumaraku ishte në shoqërinë e fqinjit të tij, Kledi Spajës, në momentin kur u qëllua. Fqinji 31-vjeçar ishte shënjestra e atentatit, ndërsa kishte thyer masën e arrestit në shtëpi.

Kumaraku ka pohuar se nuk kishte njoftuar se fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë dhe ndodheshin në një rrugicë pranë shtëpisë, pasi me të njihej që në fëmijëri.

Njoftimi i policisë

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në Shkozë.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër), të cilët dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri një 31-vjeçar, pranë banesës së tij.

Arrestohet 31-vjeçari, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Nga të shtënat u plagos aksidentalisht në këmbë një 30-vjeçar (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë.
Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, (vëllezër).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit K. S., i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit A. K. dhe L. D.

Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi A. K., 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi K. S., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.

Ora 09:57
Plagosja e efektivit në Tiranë, 2 vëllezër në kërkim! Konflikti i muajve më parë me fqinjin e 30-vjeçarit, u kishte para borxh dhe i dhunoi

1777218921_policiaeshtetit.jpg

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy persona si të dyshuar për plagosjen e policit Anxhelo Kumaraku. Ata janë dy vëllezër që dyshohet se kanë pasur një konflikt për një çështje borxhi me fqinjin e efektivit.

Mësohet se pak muaj më parë për shkak të këtij konflikti, fqinji i efektivit i ka dhunuar dy vëllezërit dhe në shenjë hakmarrje ata dyshohet se kanë tentuar ta qëllojnë mbrëmjen e së dielës me arnë, por plumbat kapën policin.

Gjatë deklarimeve që ky i fundit ka dhënë para hetuesve ka pohuar se nuk kishte njoftuar se fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë dhe ndodheshin në një rrugicë pranë shtëpisë, pasi me të njihej që në fëmijëri.