Arratisja e “mbretit të borës” ka marrë fund: Ryan James Wedding, 44 vjeç, ish-skiator olimpik kanadez, i konsideruar në majat e një prej organizatave më të dhunshme të trafikut të drogës, është arrestuar në Meksikë. Lajmi u bë i ditur nga drejtori i FBI-së, Kash Patel.
Sipas hetuesve, Wedding ishte pjesë e kartelit të narkotikëve të Sinaloas dhe ishte fshehur për dhjetë vjet në Meksikë, prej nga “drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës”.
Patel pohon se Wedding – i mbiquajtur El Jefe, Public Enemy dhe Giant – ka dërguar tonelata kokaine nga Kolumbia, përmes Meksikës dhe Kalifornisë jugore, drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Ai e ka krahasuar atë me narkotrafikantin e ndjerë kolumbian Pablo Escobar dhe me Joaquin “El Chapo” Guzman, udhëheqësin e fuqishëm të kartelit meksikan të Sinaloas, aktualisht i burgosur në Kolorado.
Në mars, Wedding ishte futur në listën e “Dhjetë më të kërkuarve” të FBI-së dhe për informacione që çonin në kapjen e tij ishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh. Në nëntor u deklasifikua një aktakuzë e një jurie të madhe që e akuzonte për vrasjen e një dëshmitari federal, i cili duhej të dëshmonte kundër tij.
Dëshmitari ishte vrarë me armë zjarri në një restorant pasi, sipas autoriteteve, Wedding kishte vënë një shpërblim për kokën e tij dhe kishte përdorur një faqe interneti kanadeze për të gjurmuar burrin dhe bashkëshorten e tij. Rruga e gjatë e krimeve që i atribuohen Wedding ka nisur në vitin 2008, gjashtë vjet pasi ai kishte përfaqësuar Kanadanë në Lojërat Olimpike Dimërore të Salt Lake City-t. Sipas hetuesve, ish-skiatori kishte shkuar në San Diego me dy ortakë të tjerë për të blerë kokainë, por shitësi ishte një agjent i FBI-së nën mbulim; ai u arrestua, u gjykua dhe u dënua me katër vjet burg në vitin 2009.
Në vitin 2011 u lirua, por nuk e ndryshoi jetën. Përkundrazi. FBI beson se që nga ai moment Wedding nisi ngjitjen e tij në botën e narkotikëve, deri sa luajti një rol kyç në kartelin famëkeq të Sinaloas. Pas më shumë se një dekade në arrati, duke përdorur edhe emra të tjerë, nga James Conrad King te Jesse King, rrethi u ngushtua rreth tij.
Në dhjetor, autoritetet meksikane sekuestruan dhjetëra motoçikleta – pasioni i tij i madh – me vlerë totale 40 milionë dollarë, si edhe dy medalje olimpike, dy automjete, drogë dhe vepra arti. Mungonte vetëm ai. Arrestimi u krye dje në Meksikë.
Sipas disa versioneve, Wedding u dorëzua pa bërë rezistencë, sapo njësitë speciale hynë me forcë në vilën-bunker ku jetonte. Nuk ka pasur nevojë të qëlloheshin armë.
I transferuar në Shtetet e Bashkuara, ish-atleti pritet të akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafik droge, trafik kokaine, vrasje dhe tentativë vrasjeje. Organizata e tij dyshohet se ka eksportuar deri në 60 tonë lëndë narkotike.
Nëse shpallet fajtor, Wedding rrezikon të paktën burgim të përjetshëm për pjesëmarrjen në organizatën kriminale dhe minimumi 20 vjet për tentativë vrasjeje, si edhe 10–15 vjet për akuzat e trafikut të drogës. Së shpejti do të publikohet edhe një docu-serial për të, me titullin “Snow King: From Olympian to Narco”, i bazuar në hetimin e FBI-së, i cili tani mund të mbyllet përfundimisht.
Komente









