Në një postim të publikuar në një website lëshohet apeli "drejtuar të gjithë vëllezërve me banim në SHBA", militantëve apo aspirantëve xhihadistë për të vrarë 100 ushtarakë amerikanë, të cilët kanë marrë pjesë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Njëqind persona të identifikuar një për një me amër dhe mbiemër, me foto dhe me adresa.

Me një fjalë, një listë e zezë me gjithë kuptimin e fjalës, e zbuluar nga Pentagoni dhe FBI-ja, që konfirmuan njoftimin e dhënë më parë nga gazeta "New York Times".
Hetimet duhet të fillojnë nëse kjo listë e publikuar nga i ashtuquajturi "Hacking Division" i ISIS-it mund të jetë frut i informacioneve "të vjedhura" nga serveri i Departamentit të Mbrojtjes apo nga mbledhja e këtyre informacioneve nga interneti, mbi të gjitha nga rrjetet sociale.

ISIS-i thotë se janë marrë nga Departamenti i Mbrojtjes.

"Me këto të dhëna të shumta në numër, që i kemi marrë nga servera dhe database të shumta, vendosëm të japim 100 adresa në mënyrë që vëllezërit në Amerikë të mund të reagojnë", shkruan ISIS-i.

"Tani është gjithçka e thjeshtë, ju duhet të bëni vetëm hapin përfundimtar, çfarë prisni?", theksohet në postim.
Fjalë drithëruese, që mbjellin terror në të paktën 100 familje amerikane.

Dhe që tregon sesa e fuqishme është arma e propagandës së përdorur nga njerëzit e Kalifatit të Bagdadit.

Nga një vështrim i parë i listës së zezë të ISIS-it, përzgjedhja është realizuar me emra ushtarakësh që shfaqen në të gjithë artikujt që flasin dhe kanë folur për sulmet ajrore amerikane në Irak dhe Siri.

Emra të tjerë duket se janë mbledhur nga raportet e Departamentit të Mbrojtjes mbi fushatën kundër ISIS-it.

Por, lista përfshin edhe personel ushtarak apo persona të tjerë, të cilët nuk kanë të bëjnë fare me këto histori.

Në përzgjedhje janë futur edhe foto apo emra grash.

Hetimet po përqëndrohen mbi adresat e publikuara për të vërtetuar sesa ato në të vërtetë korrespondojnë me adresat reale të ushtarakëve të marrë shënjestër nga ISIS-i./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)