Aksidenti i rëndë i së dielës në Itali ku mbetën të vdekur 4 të rinj mes tyre dy vajza nga Shqipëria, ka tronditur mbarë opinionin publik por mbi të gjitha familjarët e tyre.
 
Ambra Shaliani, 18 vjeç dhe Xhesika Gjinaj, 19 vjeç të cilat ndodheshin me dy miqtë e tyre në një makinë Tip Mini Cooper kanë humbur jetën pasi automjeti i tyre rrëshqiti dhe u përplas tragjikisht me murin e një ndërtese.
 
Nuk kanë munguar edhe fjalët e ndjera të miqve të cilët më shumë se çdokush tjetër kuptojnë se sa e tmerrshme është të marrë fund jeta ende pa nisur mirë.
 
"Ishe shumë e bukur. Unë gjithmonë do të mbaj mend atë Xhesikën e vogël të disa viteve më parë, me syze të mëdha, flokë të çrregullt, të ëmbël e të brishtë. Xhesika e vogël me ëndrra të mëdha, të mëdha si sytë e tu ngjyrë lajthi. Kudo që të jesh tani, qofsh e lumtur”, ka shkruar mikja e Xhesikës në rrjetin social Facebook.
 
Mediat italiane publikuan dje videon e momentit ku babai i Gjesika Gjinajt mori lajmin e tmerrshëm të vdekjes së vajzës së tij.
 
“Nuk mund të flas më, është e pabesueshme. Xhesika ka vdekur, nuk është më. Ishte e mrekullueshme, nuk kam fjalë. Kam vdekur. Ishin të 4 miq të mirë”, është shprehur ai.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com