/ATSH-AFP/ - Thirrjet për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar dhe për më shumë solidaritet për t'i bërë ballë krizës së imigracionit në Mesdhe janë bërë të shumta, para një samiti të jashtëzakonshëm që do të mbahet nesër pas mbytjes së një peshkarexhe të ngarkuar me qindra imigrantë në brigjet e Libisë.
Komandanti i peshkarexhës që u mbyt këtë fundjavë në Mesdhe u cilësua dje nga drejtësia italiane si i vetmi përgjegjës i kësaj drame, një prej më tragjikeve që kanë ndodhur në Mesdhe.
Bilanci i të mbyturve është zyrtarisht 24 të vdekur dhe 28 të mbijetuar, por numri i të zhdukurve është vlerësuar në rreth 800, nga organizatat ndërkombëtare.
Të mbijetuarit e kësaj tragjedie tjetër të imigrantëve në ujërat që ndajnë Afrikën nga Evropa mbërritën dje në Siçili në të njëjtë kohë me dy persona të ekuipazhit të peshkarexhës, përgjegjës të kësaj drame, të arrestuar menjëherë. Ata do të merren të premten në pyetje nga një gjyqtar që do të vendosë nëse do të shpallen fajtor apo jo.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së kërkoi dje një bashkëpunim më të madh për t'i bërë ballë krizës së imigracionit në Mesdhe dhe konfirmoi se kontrabandistët duhet të sanksionohen. Të 15 vendet anëtare shprehën gjithashtu mbështetjen për vendet pritëse dhe rekomanduan intensifikimin e koordinimit të përpjekjeve për riforcimin e përgjigjes për këtë krizë dhe për të mbrojtur imigrantët nga trafikantët.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker u kërkoi më shumë solidaritet financiar kundrejt vendeve evropiane të prekura nga imigracioni masiv në Mesdhe.
Presidenti francez, François Hollande u kërkoi evropianëve të marrin masa përballë numrit të madh të imigrantëve të vdekur në Mesdhe, çështje që janë bërë të padurueshme për planet humanitare dhe politike.
Kryeministri britanik, David Cameron theksoi se dëshiron ndalimin e imigrantëve për të marrë detin, me qëllim për t'i dhënë fund këtyre ngarkesave të vdekjes. Ai mbështeti vendimin për t'i dhënë fund operacionit italian të shpëtimit të imigrantëve "Mare Nostrum", braktisur në muajin tetor, pasi anëtarët e Bashkimit Evropian duke përfshirë dhe Britaninë e Madhe, refuzuan të merrnin pjesë koston e saj operacionale.
"Shumë njerëz marrin detin, shumë njerëz vdesin", shtoi ai.
"Që prej fillimi të vitit, janë rreth 1 750 imigrantë, burra, gra dhe fëmijë që kanë humbur jetën në det, 450 prej të cilëve javën e kaluar", sipas Organizatës Ndërkombëtare të Imigracionit.
Komisioni Evropian u kërkoi dje shteteve të BE-së të gjejnë një përgjigje shumë të shpejtë për sfidën sanitare shfaqur nga ky fluks imigrantësh duke përfshirë dhe ndarjen e burimeve spitalore.