Dy fitore në katër ditë. Edhe pse dy sfida miqësore, Italia e re nisi rrugëtimin me trajnerin e ekipit U-21 në stol, të përkohshmin Silvio Baldini. Pasi mposhtën Luksemburgun në datën 3 qershor, 'të kaltrit' fituan të dielën edhe kundër Greqisë 0-1 në stadiumin e Heraklion në Kretë. Dueli u vendos nga goli i Francesco Esposito në minutën e 18-të të ndeshjes.
Një pasim nga Ekhator bëri që sulmuesi i Interit të mos gabonte përballë Vlachodim, duke gjetur golin e dytë në pak ditë me Italinë. Esposito po tregon se mund t'ia dalë të jetë lideri i Italisë së re.
Paçka rasteve të tjera nga të dyja skuadrat, sfida u mbyll me rezultatin 0-1. Vlen të përmendet se Luca Reggiani u ndëshkua me karton të kuq te Italia në pjesën e dytë, vetëm 13 minuta pasi u hodh në fushë në vendin e të dëmtuarit Comuzzo.
Trajneri Silvio Baldini ishte i përkohshëm në stolin e Italisë, teksa pas zgjedhjeve për kreun e ri të Federatës së Futbollit (këtë muaj), Italia do të zgjedhë edhe teknikun e ri, me Antonio Conten në 'pole' për një rikthim në ekip pas dhjetë vitesh.
Mungesa për të tretin edicion radhazi në Kupën e Botës solli një 'tërmet' te Italia, teksa gjithë drejtuesit e Federatës dhe ekipit dhanë dorëheqjen.
Komente









