Gjykata e Bolonjës i ka kërkuar Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të vlerësojë ligjshmërinë e dekretit më të fundit të qeverisë italiane lidhur me emigrantët, me anë të cilit rifreskoi listën e vendeve të klasifikuara si të sigurta për Italinë.
Me kërkesën e depozituar sot, Gjykata e Bolonjës i kërkon Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të qartësoje se cilat rregulla duhen respektuar dhe kritikon përkufizimin e “vendeve të sigurta”.
Sipas gjyqtarëve bolonez, kriteret e përdorura nga qeveria në përcaktimin e një vendi "të sigurt" bien ndesh me ligjet e BE-së.
Media italiane "Corriere della Sera" shkruan se Gjykata e Bolonjës pretendon se mënyra në të cilën qeveria ka zgjedhur të përcaktojë si të sigurta 19 vendet, është në kontrast me rregulloret e BE-së aktualisht në fuqi (edhe nëse ato do të mbeten të tilla vetëm deri në vitin 2026) dhe Gjykata e Bolonjës iu drejtua gjyqtarëve të BE-së duke kërkuar për të sqaruar se cilat rregulla duhet të mbizotërojnë: qofshin ato italiane apo evropiane.
Sipas ligjit të Bashkimit Evropian, rregullat kombëtare për imigracionin duhet të jenë gjithmonë në përputhje me ligjin e BE-së.
Më 21 tetor të këtij viti, qeveria Italiane ndryshoi listën e vendeve të sigurta nga ku vijnë emigrantët, duke përfshirë edhe vendet, të cilat më parë cilësoheshin si gjysmë të sigurta.
Nga lista e vendeve të sigurta, qeveria italiane ka hequr Kamerunin, Kolumbinë dhe Nigerinë me argumentin se janë vendet që paraqesnin rrezikshmëri në kryerjen e operacioneve të riatdhesimit.
Me këtë ndryshim ligjor, Italia shpreson t’i hapë rrugë zbatimit të marrëveshjes me Shqipërinë për të sjellë emigrantët në Shëngjin që vinin nga vende që më parë cilësoheshin si gjysmë të sigurta, duke i klasifikuar ato në listën e vendeve të sigurta.
Gjykata e Romës, e cila u linjëzua me Gjykatën Evropiane, shpalli si të ndaluar dërgimin në Shqipëri, të emigrantëve që vijnë nga vendet e pasigurta.