Italian Screens - Kinemaja e re italiane” ka nisur edicionin e këtij viti në Shqipëri dhe Kosovë. Aktiviteti nisi mbrëmjen e së dielës me filmin “La Grazia” të regjisorit të njohur Paolo Sorrentino. Me protagonist Toni Servillo, në bashkëpunimin e tij të shtatë me Sorrentino-n, ai është prezantuar si filmi hapës në Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia në vitin 2025 dhe u nominua për Luanin e Artë.

Programi sjell për publikun pesë prodhime të fundit të kinemasë italiane, duke e shtrirë aktivitetin nga Tirana në Prishtinë, Vlorë dhe Shkodër.

“Është një traditë e vogël që e kemi krijuar këtu në Tiranë. Këtë vit, po e bëjmë edhe në Kosovë, në Prishtinë, Vlorë dhe Shkodër. Jam shumë i lumtur që patëm mundësi të zgjerohemi dhe të vizitojmë qytete të tjera shqiptare dhe çdo vit përpiqemi të prezantojmë më të mirën e prodhimeve më të fundit italiane.”, thotë për "Report TV" Alessandro Ruggera, drejtues i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

Në fokus të filmave që do të prezantohen janë histori dhe zhanre të ndryshme që reflektojnë zhvillimet më të fundit të industrisë filmike italiane. Sonte në Tiranë do të prezantohet “Le città di pianura” nga Francesco Sossai, një rrëfim mbi miqësinë dhe kërkimin e vetes në një realitet rural.

Programi përfshin gjithashtu dy filma debutues: “Un anno di scuola” nga Laura Samani dhe “Breve storia d’amore” nga Ludovica Rampoldi, si dhe dramën “Fuori” nga Mario Martone.

Shfaqjet në Tiranë po zhvillohen në Kinema Millennium, ndërsa programi vijon edhe në qytetet e tjera me hyrje të lirë për publikun.

Risia e këtij edicioni është organizimi i “Italian Screens Industry Days”, që synon të afrojë industrinë shqiptare dhe atë italiane përmes takimeve mes producentëve dhe profesionistëve të kinemasë.

“Italian Screens-Kinemaja e re italiane” është një nismë e nisur që në vitin 2022, e promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Kinemasë dhe Sektorit Audioviziv të Ministrisë së Kulturës.