TIRANE - Arben Suloj, ish-Drejtori i burgut të Fushë-Krujës është rikthyer ditën e sotme në Shqipëri pas mjekimit të marrë në Itali si rezultat i plagëve të marra në atentatin me eksploziv ndaj tij mëngjesin e 19 janarit.

Suloj është rikthyer ditën e sotme pas kryerjes me sukses të një ndërhyrje në shtyllën kurrizore në një klinikë private në vendin fqinj. Ai u prit në aeroportin e Rinasit në kryeqytet nga përfaqësues të administratës së burgjeve.

Arben Suloj pritet të rikthehet në detyrën e tij si Drejtor i burgut të Fushë-Krujës në momentin që ai do të rikuperojë gjendjen e tij shëndetësore.

Drejtori i burgut të sigurisë së lartë në Fushë-Krujë u bë pre e një atentati, mëngjesin e së hënës kur makina me të cilën ai do të shkonte në punë, shpërtheu në lëvizje me lëndë eksplozive të dyshuar tritol, brenda portit të Durrësit.

Hetimet lidhur me këtë ngjarje vijojnë nga forcat e policisë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)