Anëtari i FRPD-së në Durrës, Orest Berberi iu përgjigjet akuzave të Sali Berishës se takimi me Ervin Salianjin i shërben interesave të tyre personale. I ftuar në emisionin Sot Live në Shqipëri në Report Tv, Berberi thotë se nuk janë grup armiqësor kundër partisë, por i vetmi qëllim i i tyre është që PD të riorganizohet me qëllim që të fitojë zgjedhjet. Për gazetarin e Report Tv Nertil Agalliu, Berberi thotë se nuk duan përçarjen e PD-së, por duan të vijnë në pushtet duhet të mblidhen forcat dhe duhet një riorganizim i vërtetë.

“S’jemi grupim armiqësor kundër partisë, ne jemi anëtarë dhe njerëz që kanë kontribuar në PD, unë pas zgjedhjeve të 11 majit, po na sulmojnë sikur duam të përçajmë, ne kërkojmë që PD të strukturohet dhe në zgjedhjet e ardhshme të kemi fitore. Nëse do na përjashtojnë apo jo, do ta shohim në ditët në vijim nuk besoj se ka arsye përderisa jemi vetë baza. S’duam përçarjen, por forcimin e PD për ta çuar në fitore, duhet riorganizim dhe një synim i vërtetë nëse duam apo jo të fitojmë, nëse duam të firojmë eja të mbledhim të forcat, nëse s’duam të fitojmë, të rrimë në këtë gjendje”, shprehet Berberi.

Berberi tregon se përse iu bashkua takimit të Salianjit, për të cilin thotë se do ta mbështesë edhe në foltoret që do të zhvillojë në qytetet e tjera të Shqipërisë. I riu demokrat thekson se strukturat nuk janë mbledhur që prej disfatës së thellë të 11 majit dhe akuzon lidershipin e PD-së se ka humbur orientimin me bazën.

Berberi thekson se në foltoren me Salinajin u thanë vetëm të vërtetat për gjendjen në të cilën ndodhet sot PD, duke theksuar se strukturat e partisë janë më të përçara se kurrë.

“Ishte takim i kërkuar nga anëtarësia, për tu zhvilluar që në muajin shtator, nuk është bërë sepse sipas justifikimeve të të drejtuesve të PD, 3 muaj u morën me ndërkombëtarët tani dolli Balluku. Demokratët janë të etur për të bërë analizë. Ishte diskutim frytdhënës dhe jo frymë përçarje. Në media është paraqitur si fragmentarizm, nuk është fragmentarizim. Ishte një diskutim në të cilin morën pjesë demokratë që donin të shprehin mendimin e tyre lirshëm dhe për të thënë ca të vërteta që duhet thënë edhe lidershipit se ku ka çaluar puna që nuk arritëm të dilnin fitues dhe nuk arritëm të mblidhnim votat e mjaftueshme. Lidershipi ka humbur orientimin me bazën. Baza nëse nuk ka drejtim të orientuar për fitore, do sjellë edhe rezultatin që patëm. Strukturat e PD janë më të përçara se kurrë, duhet të mbledhim forcat që ti bashkojmë këto struktura. Nëse dikush do të flasë për problemet, eja ti japim hapësirë dhe ti shohim të gjitha mundësitë se si mund të bëhet më mirë”, thekson ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:49
Berisha i shpalli tradhtarë, Berberi e ‘sfidon’: Të dalë një kandidat për deputet e të thotë që s’kemi bërë fushatë për ta më 11 maj

Anëtari i FRPD-së në Durrës, Orest Berbei i ftuar në Report Tv u pyet edhe mbi deklaratën e Sali Berishës, i cili i shpalli tradhtarë që kanë punuar për PS, ata që morën pjesë në foltoren e Ervin Salianjit. Berberi, i cili ishte po ashtu në takim, tha se të gjithë kanë bërë fushatë për PD më 11 maj dhe sfidoi kandidatët për deputetë që të dalin e të thonë të kundërtën.

“Unë si një nga të rinjtë më të angazhuar në fushatën e 11 majit, e dinë që kam qenë në fushatë. Një pjesë e mirë e atyre që ishin aty kanë qenë në fushatë, jo në ballë të luftës, por kanë qenë pjesë e fushatës dhe kanë ndihmuar kandidatë të listës së hapur dhe kanë bërë vota për PD. Nëse ndonjë nga kandidatët që është ndihmuar nuk ka ndjerë mbështetjen, të dalë e të thotë që s’kanë punuar. Këto janë diskutime që dalin më mbrapa kur prishen interesa”, theksoi ai.