Një 40-vjeçar është arrestuar në Gjirokastër pasi akuzohet se ka futur në Shqipëri përmes doganës së Kakavijës mallra kontrabandë, për të cilat paguhet akcizë.

Mësohet se E.M., u arrestua pas kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip "BMW", në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër, ku u gjetën produkte mishi, steka cigaresh dhe produkte të tjera ushqimore.

Ndërsa një doganier 31-vjeçar me inicialet A.O, është proceduar penalisht pasi sipas policisë akuzohet për veprat penale ‘shpërdorim detyre’. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat dhe automjeti.

Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se produkti ushqimor që ka kaluar në doganë ka qenë kryesisht sallam, 120 kg. Bëhet fjalë për 4 persona që udhëtonin në automjet.

Burime nga dogana bëjnë me dije se produkti që ata kishin i pjesëtuar për 4 persona është brenda sasive që lejon ligjin për mallrat që mund të kalosh në doganë pa qenë i detyruar të bëjë zhdoganimin. 

Njoftimi i Policisë
Goditet një rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Procedohet penalisht doganieri i Degës Doganore Kakavije, për shpërdorim detyre. Sekuestrohen produkte të ndryshme ushqimore dhe steka me cigare.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kontrabandës, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij tip "BMË", në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, u gjetën produkte mishi, steka cigaresh dhe produkte të tjera ushqimore, të cilat ky shtetas i ka futur në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar në Degën Doganore Kakavije.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në magazinën në pronësi të këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan mallra të tjera të dyshuara kontrabandë.

Në përfundim të veprimeve hetimore u procedua penalisht për veprën penale "Shpërdorim detyre", shtetasi A. O., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë doganier në Degën Doganore Kakavije.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat dhe automjeti. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.