Ervin Salianji ka reaguar pas refuzimit të pranimit të dokumenteve të kandidimit për garën e kryetarit të Partisë Demokratike.
Salianji thotë se kjo është provë që PD po trajtohet si pronë personale. Refuzimi është uzurpim i funksioneve, vijon ai.
Ai thotë se po mbrohen interesat e ngushta të një grupi që i frikësohet votës, drejtësisë dhe së kaluarës. Më tej Salianji shton se ka kërkuar garë e vota dhe beteja për parim nuk mbaron.
“Partia Demokratike është pasuri e shqiptarëve. Ajo nuk mund të jetë pronë private.
Sot u konsumua një akt i padëgjuar ndonjëherë në historinë politike: refuzimi i pranimit të dokumenteve të kandidimit për kryetar të Partisë Demokratike.
Ky nuk është thjesht një vendim procedural. Është prova më e qartë se Partia Demokratike po trajtohet si pronë personale dhe jo si një aset publik i ndërtuar me sakrificë nga mijëra demokratë.
Kur ndalohet gara, nuk mbrohet partia por mbrohen interesat e ngushta të një grupi që vetëm ka frikë: ka frikë nga vota, ka frikë nga drejtësia, ka frikë nga e kaluara.
Unë nuk kam kërkuar privilegje. Kam kërkuar garë.
Nuk kam kërkuar emërim.
Kam kërkuar votë. Kjo është demokracia dhe vetëm kështu Partia Demokratike mund te rikthehet fituese!
Ky nuk është refuzim ndaj meje, por është refuzim ndaj çdo demokrati që beson se kjo parti duhet të jetë e hapur, konkurruese dhe fituese. Praktikisht është uzurpim i funksioneve!
Kjo është një betejë për parim, jo për post.
Dhe kjo betejë nuk mbaron sot.
Sepse Partia Demokratike është më e madhe se çdo individ që tenton ta mbajë peng”, shkruan Salianji.
Përfaqësuesi i Ervin Salianjit, Orest Berberi, nuk u lejua të dorëzonte dokumentet dhe e la zarfin në recepsionin e PD. Salianji kishte përfshirë edhe platformën e tij të kandidimit prej 10 pikash, e cila është zbardhur nga Report TV.
Salianji është shprehur më herët se ai nuk do t’i ndalë përpjekjet për t’u bërë pjesë e garës.
Falë një shkrese ‘të qëndisur’ me kujdes për kriteret e kandidatëve ku thuhej se nuk lejohen të kandidojnë të dënuarit me vendim të formës së prerë, një referencë e qartë për Salianjin, kryetari aktual i PD u kujdes të mos linte hapësira, pavarësisht retorikës së vazhdueshme për hapjen e partisë.
Veç Salianjit, Berisha i mbylli dyert edhe për Alesia Balliun e Evi Kokalarin, të cilave nuk iu pranuan dokumentet.
Komente











