Ivanka Trump, vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale disa pamje nga Zvërneci dhe bregdeti i Vlorës. Në fotot dhe videot e publikuar shfaqen peizazhe natyrore, si deti apo gjelbërimi i zonës, si dhe pamjet nga larg të ishullit të Sazanit, ndërsa në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Luleborë”. Krahas fotove, Ivanka shkruan se "Shqipëria është magjike". 

Ivanka Trump qëndroi për tre ditë në Vlorë, ndërsa mbrëmjen e djeshme ajo u prit në kryeministri nga kreu i qeverisë Edi Rama. Gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar ajo pati edhe një darkë me Ramën dhe arkitektë ndërkombëtar, ku në fokus të diskutimeve ishin investimet e mundshme strategjike në jug të vendit. 

Qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë së Kushnerit statusin e “investitorit strategjik” për zhvillimin e një resorti luksoz turistik në ishullin e Sazanit, një projekt me vlerë të parashikuar rreth 1.4 miliardë euro. Projekti synon të kthejë ish‑bazen ushtarake në një resort elite, me hotele e vila.