Izraeli jep shenja se po përgatit një ofensivë tokësore në Liban

Izraeli jep shenja se po përgatit një ofensivë tokësore në Liban

Tanqe izraelite

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant aludoi sot se Izraeli po bën përgatitjet për një ofensivë tokësore në Liban ndërkohë që sulmet ajrore kanë vazhduar, duke goditur ndër të tjera një ndërtesë shumëkatëshe banimi në qendër të Bejrutit dhe vrarë tre militantë palestinezë. Grupi militant Hezbollah u zotua se është i përgatitur për një luftë të gjatë pas vrasjes së zinxhirit komandues nga Izraeli, përfshirë drejtuesin e grupit, Hassan Nasrallah.

Ushtarë dhe tanke izraelite u vendosën në pjesën veriore të Izraelit të hënën, disa orë pasi Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant aludoi ndaj përgatitjeve të Izraelit për një ofensivë tokësorë në Liban.

Në një takim me forcat izraelite të vendosura përgjatë kufirit, ministri Gallant theksoi se “misioni” siç tha ai, i ushtrisë izraelite është të kthejë banorët e pjesës veriore të vendit nëpër shtëpitë e tyre.

“Eliminimi i Hassan Nasrallahut ishte një hap shumë i rëndësishëm, por jo i vetmi. Do t’i përdorim të gjitha kapacitetet që i kemi, dhe nëse dikush në anën tjetër nuk e kupton se çfarë do të thotë kjo, të gjitha kapacitetet nënkuptojnë të gjitha kapacitetet. Ju jeni pjesë e kësaj përpjekjeje dhe ne kemi besim se ju do ta arrini këtë synim", deklaroi ai.

Deklarata e tij vinë ndërkohë që ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të grupit militant Hezbollah, Naim Kassem, u zotua të vazhdojë luftën kundër Izraelit, duke thënë se organizata e tij, e cila është shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, është e gatshme të vazhdojë luftën pas humbjeve të shkaktuara nga Izraeli.

“E dimë që beteja mund të jetë e gjatë dhe opsionet tona janë të hapura. Do të përballemi me çdo situatë. Dhe jemi të përgatitur nëse izraelitët vendosin të futen në rrugë tokësore, forcat e rezistencës janë gati për një përballje tokësore", tha ai.

Javën e kaluar sulmet ajrore izraelite vranë udhëheqësin e këtij grupi militant dhe gjashtë nga komandantët e tij kryesorë, si dhe kanë goditur mijëra objektiva përgjatë pjesëve të ndryshme të Libanit.

Të hënën në mëngjes, një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit u godit nga një sulm ajror, duke u shkatërruar tërësisht. Gjatë sulmit humbën jetën tre militantë palestinezë, një sinjal që për Izraelin nuk ka asnjë pjesë të Libanit që është e paprekshme.

Zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby shprehu përkrahje për Izraelin dhe tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë me vëmendje situatën.

“Po e vëzhgojmë situatën me shumë vëmendje për të parë se si – nëse dhe si – Hezbollahu dhe Irani do të reagojnë, krahas grupeve militante në Irak dhe Siri. Na duhet të jemi gati për një lloj kundërpërgjigje. Duhet të sigurohemi se jemi gati, dhe ne jemi gati. Besojmë që kemi kapacitetet që na nevojiten në rajon. Por tani për tani është e paqartë. Është shumë herët për ta ditur”, deklaroi ai në emisionin “This Week” të kanalit televiziv ABC.

Ministria libaneze e shëndetësisë njoftoi se rreth një mijë libanezë kanë humbur jetën dhe rreth gjashtë mijë janë plagosur gjatë dy javëve të fundit./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë