Në faqen online të  flotiljes së anijeve humanitare Global Sumud Flotilla, që tregon itinerarin e anijeve drejt Gazës, shihen vetëm pika të kuqe. Njëra pas tjetrës, 54 mjetet lundruese që ishin nisur nga Turqia u interceptuan nga marina izraelite në Mesdheun lindor. Në bordin e kësaj flotilje ndodhej dhe aktivisti nga Shqipëria, Baki Goxhaj, për fatin e të cilit duket se është vënë në lëvizje Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme që është vënë në kontakt me autoritetet izraelite.

Të martën pasdite u ndalua edhe italiani Dario Salvetti, nga kolektivi i ish-fabrikës Gkn, i cili vetëm pak orë më parë kishte deklaruar për Corriere: “Do të vazhdojmë edhe nëse mbetet vetëm një anije në det”. Pamjet e fundit tregojnë ushtarë izraelitë në gomonen Zodiac që afrohen drejt mjeteve lundruese, ndërsa ekuipazhet mbajnë jelekë shpëtimi dhe kanë ngritur duart lart. Më pas, errësirë totale.

Tensioni u rrit edhe më shumë pasdite, kur zëdhënësja italiane e Flotilla-s, Maria Elena Delia, denoncoi se marina izraelite kishte hapur zjarr ndaj disa anijeve. “Po qëllojnë me plumba, nuk e dimë nëse janë të vërtetë apo gome”, deklaroi ajo, duke pretenduar se gjashtë anije ishin goditur, mes tyre edhe Girolama me flamur italian. Izraeli nuk ka komentuar drejtpërdrejt ngjarjen. Videot e transmetuara live tregojnë të shtëna gjatë ndërhyrjeve për ndalimin e anijeve, por nuk është e qartë çfarë lloj municioni është përdorur dhe deri tani nuk raportohen të plagosur.

Anija e fundit që u ndalua ishte Kasr-i Sabadab, në bordin e së cilës ndodheshin edhe deputeti i M5S, Dario Carotenuto, gazetari Alessandro Mantovani dhe aktivisti Ruggero Zeni. Deputetët e M5S, Alessandra Maiorino dhe Francesco Silvestri, akuzuan Izraelin se kishte “marrë” deputetin në ujëra ndërkombëtare dhe kërkuan që autoritetet italiane të ndërhyjnë “me vendosmërinë më të madhe”.

Farnesina (ose siç njihet ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë)  bëri të ditur se të paktën 27 italianë janë ndaluar dhe se anijet po drejtohen drejt portit izraelit të Ashdodit, ku pritet të mbërrijnë në mbrëmje. Atje do t’i presë ekipi ligjor i organizatës Adalah.

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani i kërkoi Izraelit “të verifikojë urgjentisht përdorimin e forcës”, pas dëshmive të aktivistëve për përdorimin e plumbave të gomës gjatë ndërhyrjeve.

Misioni përfshin aktivistë nga mbi 40 vende dhe vazhdon të shkaktojë tensione të forta diplomatike. Turqia, Spanja, Irlanda dhe Italia kanë kërkuar lirimin e qytetarëve të tyre. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dënoi ndërhyrjen izraelite kundër atyre që i quajti “udhëtarë të shpresës”.

Nga ana tjetër, Izraeli vazhdon të këmbëngulë se flotilja e anijeve është “një provokim pa qëllim tjetër” dhe përsërit se bllokada detare ndaj Gazës, e vendosur që prej vitit 2007, është e nevojshme për të penguar Hamasin të armatoset. Sot edhe Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione ndaj katër personave të lidhur me organizatorët e misionit, të cilin Departamenti Amerikan i Thesarit e cilësoi si “një flotilje pro-Hamas”. Aktivistët i hedhin poshtë akuzat dhe këmbëngulin se misioni ka karakter ekskluzivisht civil dhe humanitar.

Ndërkohë, çështja e flotiljes po zhvillohet në një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më të tensionuar lidhur me menaxhimin e periudhës pas luftës në Gaza.

Sot, Bordi i Paqes, organizmi ndërkombëtar i sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara që mbikëqyr armëpushimin, njoftoi se do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të shtojë presionin ndaj Hamasit që të pranojë çarmatimin, i konsideruar si pengesa kryesore për zbatimin e plotë të armëpushimit. Hamasi e hodhi poshtë planin duke e quajtur “të rremë” dhe duke akuzuar Izraelin se vazhdon të shkelë marrëveshjet.

Po sot, një raportuese speciale e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Izraelit të rishikojë rregullat e tij për ndalimin e personave, duke denoncuar trajtime degraduese ndaj të burgosurve palestinezë, ndërsa një raport i ri i OKB-së flet për një situatë humanitare “dramatike” në Rripin e Gazës dhe për krime të mundshme lufte dhe kundër njerëzimit si nga pala izraelite ashtu edhe nga Hamasi.