Ushtria izraelite, IDF, njoftoi sot (28 Gusht) se po kryen një operacion të madh antiterrorist në qytetet Jenin dhe Tulkarem, në Bregun Perëndimor verior.
Ndërkohë që gjatë 24 orëve të fundit dhe gjatë sulmeve duke gdhirë dita e sotme, janë raportuar të paktën 10 palestinezë të vrarë.
IDF arriti të shpëtonte në tunelet e Hamasit edhe një peng tjetër, që mbahej prej 10 muajsh, Qaid Farhan al-Qadi, anëtar i një komuniteti beduin, shkruan "La Repubblica".
10 palestinezë të vrarë në operacionin e IDF në Bregun Perëndimor
Sipas burimeve palestineze, 10 persona janë vrarë në përleshjet në kampet e refugjatëve pranë Jenin dhe Tubas në Bregun Perëndimor verior, ndërsa forcat izraelite thanë se “janë të angazhuara në bastisje në shkallë të gjerë kundër terrorizmit në të gjithë territorin”. Kështu raporton “Times of Israel”.
Ministria palestineze e Shëndetësisë konfirmoi se tre persona janë vrarë në një sulm izraelit me dron pranë Jeninit. Forcat izraelite thuhet se operojnë në Bregun Perëndimor, duke përfshirë afër Ramallah, Qalqilya dhe Tulkarem.
Deklaratat e krahut të armatosur të Hamasit në Jenin dhe Tulkarem, të raportuara nga mediat palestineze, thonë se “ata po angazhojnë trupat në luftime të ashpra”.
Operacioni i sotëm i IDF-së vjen dy ditë pasi Izraeli tha se kishte kryer një sulm tjetër ajror në Bregun Perëndimor, teksa autoriteti Palestinez tha se u vranë pesë persona.
SHBA kundër Ben-Gvir: Ai mbjell kaos dhe minon sigurinë e Izraelit
Administrata Biden ka akuzuar ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare dhe liderin e ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir, për "mbjellje kaosi" dhe "minim të sigurisë së Izraelit".
Ajo që shkaktoi reagimin në Uashington ishte deklarata e fundit e udhëheqësit të “Otzma Yehudit”, mbi ndërtimin hipotetik të një sinagoge në “Malin e Tempullit”, për hebrenjtë, një vend i shenjtë ky për të dy fetë dhe epiqendër e tensioneve të forta në Jerusalem.