Ja skenarët për aplikimin
e Kosovën në UNESCO

Ja skenarët për aplikimin<br />e Kosovën në UNESCO
Në punimet e sesionit të 38 të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, që po mbahet në Paris, po zhvillohet një betejë diplomatike mes Perëndimit dhe Lindjes rreth çështjes më të rëndësishme, anëtarësimit të Kosovës.
 
Të hënën Shqipëria, nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, do të prezantojë para konferencës projektrezolutën me rekomandimin e Këshillit Ekzekutiv për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe do të kërkojë votimin pro kësaj rezolute.
 
Por siç mësohet nga Parisi, ndërsa Shqipëria dhe vende të tjera mike të Kosovës do të kërkojnë mbështetjen e rezolutës, pala serbe e ka bërë të qartë tashmë se, do të kërkojë shtyrjen e debatit mbi rezolutën.
 
Kosova ka mbështetjen dhe lobimin e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, që kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë dhe intensive diplomatike për të mundësuar votën pro të hënën. Por, nga ana tjetër, Brazili, Kina, Federata Ruse dhe Afrika e Jugut u janë drejtuar me një qëndrim të përbashkët vendeve anëtare të UNESCO-s, që të ruajnë “status quo”-në.
 
Kërkesa e Kosovës mundi të kalojë më 21 tetor në Këshillin Ekzekutiv, pasi propozimi i bërë nga Shqipëria gjeti mbështetjen e 47 vendeve bashkësponsorizuese dhe u votua nga 2/3-tat e vendeve anëtare të këshillit, që morën pjesë në votim.
 
Projektrezoluta e Këshillit Ekzekutiv tashmë gëzon bashkësponsorizimin edhe të 23 vendeve të tjera. Por, anëtarësimi mundësohet me votimin e 2/3-tave të delegacioneve të pranishme në Konferencën e Përgjithshme.
 
Kosovën, deri më tani e njohin 111 shtete. Shqipëria përfaqësohet në Paris me ministrin e Jashtëm Bushati dhe me ministren e Kulturës Kumbaro, e cila iu drejtua të shtunën konferencës. Por, burimet diplomatike thonë se mbetet ende e vështirë të përcaktohet se çfarë do të ndodhë të hënën, pas prezantimit të rezolutës nga ministri Bushati. Një kërkesë për shtyrjen e debatit, sikurse ka paralajmëruar Serbia, votohet menjëherë dhe kërkon vetëm një shumicë të thjeshtë.
 
Skenarët e së hënës, ora 11:30
 
Sipas procedurës së UNESCO-s, parashikohet që kryetari i seancës të kërkojë një debat, nëse anëtarësimi i Kosovës duhet të votohet atë ditë, apo të shtyhet në një tjetër datë.
 
VARIANTI I - Debati para votimit
 
1.Të gjitha vendet që kanë dëshirë mund të marrin fjalën dhe të parashtrojnë argumentet e tyre në favor apo kundër.
 
2. Më pas procedohet me votimin. Votimi për anëtarësimin e një vendi të ri, që nuk është anëtar i OKB-së, bëhet me 2/3-tat e votave të atyre që janë të pranishëm dhe votojnë, pra të votuesve në favor dhe kundër. Abstenimet konsiderohen si jovotues.
 
VARIANTI II - Mocion për mbylljen e debatit dhe kalimin në votim.
 
Në këtë skenar nuk pritet të flasin të gjitha vendet, që duan të marrin fjalën, por kërkohet nga delegacioni i një mbështetësi, mbyllja e debatit dhe kalimi në votim.
 
VARIANTI III - Kundërshtime apo mocion për ndërprerjen e debatit
 
Nuk pritet të flasin të gjithë përfaqësuesit e vendeve që duan të shprehen, por kërkohet ndërprerja (nga mbështetës të Kosovës) apo shtyrja e debatit (nga kundërshtarët e Kosovës).
 
* Sipas të gjitha këtyre skenareve, mendohet se rezultati do të jetë shumë i ngushtë, me ndoshta një deri në dy vota. Asnjëra palë nuk ka sigurinë e shifrave dhe gjithçka është ende e hapur.
 
Burimet diplomatike i thanë Top Channel se, Shqipëria do të bëjë prezantimin e kërkesës së Kosovës për takimin plenar të Konferencës së Përgjithshme dhe do të kërkojë që në fillim mbylljen e debatit e kalimin në votim.
 
Por, në anën tjetër pritet, që Serbia të mund të kërkojë shtyrjen e debatit në këtë pikë dhe, sipas rregullores së konferencës, mocioni i shtyrjes së debatit ka prioritet ndaj mocionit për mbyllje debati, prandaj ai votohet i pari. /Marrë nga Top Channel/

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025