Ja teksti i plotë i raportit të KE në shqip

KOMISIONI EVROPIAN

Bruksel, 4.6.2014

COM(2014) 331 final

RAPORT I KOMISIONIT PËR KËSHILLIN DHE PARLAMENTIN EVROPIAN

për Progresin e Shqipërisë në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe në Reformën në Gjyqësor.

RAPORT I KOMISIONIT PËR KËSHILLIN DHE PARLAMENTIN EVROPIAN

për Progresin e Shqipërisë në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe në Reformën në Gjyqësor

1. HYRJE

Ky Raport vjen në përgjigje të Përfundimeve të Këshillit të 17 dhjetorit 2013 ku deklarohej se:

"Mbi bazën e raportit që do të paraqitet nga Komisioni, Këshilli do të shqyrtojë zbatimin në vijimësi të strategjive për antikorrupsionin dhe reformën në gjyqësor, si edhe të legjislacionit relevant të miratuar kohët e fundit dhe vijimin e trendit të hetimeve dhe ndjekjeve penale proaktive, përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar. Në dritën e këtij raporti dhe me mirëkuptimin se Shqipëria do të konsolidojë progresin inkurajues të arritur deri tani, Këshilli mirëpret vendimin për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë në qershor 2014, që duhet të miratohet nga Këshilli Evropian".

Në pajtim me kërkesën e Këshillit, ky raport fokusohet kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformën në gjyqësor, duke nënvizuar disa arritje kyçe shtesë në fusha të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE. Raporti mbulon periudhën që nga publikimi i Progres Raportit1 të fundit, si dhe bazohet në informacionin e mbledhur dhe të analizuar nga Komisioni, përfshi kontributet e dorëzuara nga Shqipëria, misionet e vlerësimit dhe kontaktet periodike me Shtetet Anëtare dhe organizatat ndërkombëtare.

Gjatë periudhës së raportimit, qeveria shqiptare ka demonstruar veprime konkrete dhe vullnet politik në fushën e reformave të integrimin evropian, duke mbuluar një gamë të gjerë çështjesh. Në nëntor, qeveria dhe opozita bashkuan forcat për miratimin e një rezolute për integrimin në BE. Që atëherë, të dy krahët e kanë mbështetur integrimin në BE, edhe pse forcimi i mëtejshëm i konsensusit është dashur të përballet me një klimë konfrontuese në rritje ndërmjet qeverisë dhe opozitës, e cila, ndër të tjera, është tërhequr nga votime kyçe në disa komisione parlamentare.

Dialogu i Nivelit të Lartë (DNL) për prioritet kyçe u iniciua në nëntor për të mbështetur integrimin evropian të Shqipërisë, duke u fokusuar në prioritetet e reformave kyçe. Në mbledhjen e dytë të DNL-së në fillim të marsit, Shqipëria paraqiti udhërrëfyesin me masa afatmesme për plotësimin e prioriteteve kyçe, për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Në këtë takim, si qeveria ashtu edhe opozita treguan përkushtim konstruktiv ndaj reformave që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian.

2. Zhvillimet e fundit

Ligji i ri për Nëpunësin Civil (LNC) filloi të zbatohet më 26 shkurt dhe aktet nënligjore të tij u miratuan në kohë për hyrjen e ligjit në fuqi më 1 prill. Ky është një hap madhor për të forcuar profesionalizimin dhe meritokracinë, si edhe luftën ndaj politizimit, inefiçencës dhe korrupsionit në një gamë të gjerë institucionesh publike. Monitorimi i zbatimit është thelbësor. Që nga tetori, problematikat në lidhje me largimet nga puna dhe uljen në detyrë të stafit, kryesisht për shkak të masave disiplinore dhe ristrukturimeve të institucioneve publike krijuan tension politik. Në këto kushte, qeveria ngriu të gjitha rekrutimet nga marsi deri në korrik, për të lejuar që Ligji i ri të bëhej plotësisht i zbatueshëm, si përpjekje për të siguruar proces rekrutimi solid dhe transparent. Respektimi i plotë i legjislacionit të zbatueshëm dhe i vendimeve të gjykatave është thelbësor.

Parlamenti ka ndërmarrë masa për forcimin e rolit mbikëqyrës mbi institucionet e pavarura. Megjithatë, ka pasur polemika në lidhje me krijimin, emërimet dhe performancën e një sërë institucionesh dhe autoritetesh të pavarura që përgjigjen para Parlamentit. Është thelbësore që të zbatohet plotësisht legjislacioni përkatës dhe të forcohet profesionalizimi i këtyre institucioneve. Procedura e zgjedhjes së titullarëve dhe bordeve të këtyre institucioneve me shumicë të thjeshtë në Parlament, mbetet një problem shqetësues, sepse kjo rrezikon të ndikojë në pavarësinë e tyre. Ndryshe nga rasti i legjislacionit për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), legjislacioni i ri i hartuar do të përfitonte nga shqyrtimi i ekspertëve ndërkombëtarë. Qeveria shqiptare ka kërkuar mision ekspertësh për të vlerësuar performancën, strukturën dhe kapacitetet e institucioneve të pavarura, me qëllim forcimin e funksionimit dhe pavarësisë së tyre.

Qeveria është e vendosur të vazhdojë reformën ekonomike dhe të forcojë qeverisjen ekonomike, në mënyrë që të rifillojë rritja ekonomike dhe të shtohet konkurrueshmëria. Është ngritur Këshilli Ekonomik Kombëtar i kryesuar nga Kryeministri dhe me pjesëmarrjen e komunitetit të biznesit, që të orientojë dhe të sigurojë koherencën e reformave ekonomike. Stabiliteti makroekonomik vazhdon të forcohet përmes një politike monetare të shëndoshë dhe norme inflacioni që mbetet në nivele të ulëta. Konsolidimi fiskal, tepër i nevojshëm, do të lehtësohet nga marrëveshja e huas e lidhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Kjo marrëveshje do të mundësojë pagimin e borxheve të mëdha të grumbulluara gjatë tre viteve dhe do të nxitë reforma të qenësishme në lidhje me menaxhimin e financave publike, tatimet, sistemin e pensioneve dhe energjetikën. Tashmë, reformat kanë rezultuar në rritje të të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërkohë që janë shtuar hetimet ndaj skemave të mashtrimit dhe evazionit me TVSH-në. Programi Ekonomik dhe Fiskal 2014-2016 përcakton kuadrin për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe stabilitetit makroekonomik, si edhe evidenton reformat strukturore në disa fusha kyçe, përfshi forcimin e shtetit të së drejtës, përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve si edhe përballimin e problemeve të tregut të punës.

Në lidhje me krizën në Ukrainë dhe politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Shqipëria është vënë në një linjë m deklaratat dhe qëndrimet e BE-së.

3. Politika antikorrupsion

Që në tetor, autoritete shqiptare kanë forcuar më tej kuadrin ligjor dhe institucional kundër korrupsionit. Në nëntor u emërua Koordinatori Kombëtar i Antikorrupsionit (KKAK), i cili koordinon aktivitetet e organeve shtetërore dhe të institucioneve të pavarura, në nivel qendror dhe vendor. Për ta lehtësuar këtë proces, është ngritur një rrjet koordinatorësh antikorrupsion (pika kontakti) në të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e pavarura.

Mandati i koordinatorëve përfshin raportimin te KKAK-në, dhënien e udhëzimeve për nëpunësit përkatës dhe monitorimin e zbatimit të strategjisë antikorrupsion në institucionet dhe ministritë e tyre. Në prill, KKAK finalizoi Strategjinë Kombëtare Antikorrupsion që u konsultua gjerësisht me shoqërinë civile dhe sektorin privat, por që mbetet për t'u miratuar. Strategjia duhet të shoqërohet me plane veprimi gjithëpërfshirëse.

Me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale (KPP) të miratuara në mars, kompetenca lëndore për veprat penale të korrupsionit nga zyrtarë të nivelit të lartë është transferuar te Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, me përjashtim të veprave penale të abuzimit me detyrën. Korrupsioni aktiv dhe pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve, nëpunësve të drejtësisë, zyrtarëve të nivelit të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, tashmë janë nën juridiksionin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, me qëllim që korrupsioni i nivelit të lartë të bëhet më i dukshëm. Mbetet për t'u përcaktuar në legjislacion përkufizimi për "zyrtarët e nivelit të lartë" dhe "të zgjedhur vendorë".

Në mars, u bë i mundur në ligj sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme që rrjedhin nga veprat penale të korrupsionit.

Në maj u hartua një ligj i ri për aksesin në informacion, që parashikon sanksione administrative dhe procedurat për shqyrtimin e ankesave drejtuar Komisionit për të Drejtën e Informacionit dhe Mbrojtjen e Të Dhënave Personale.

Ndryshimet në ligjet për deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit të realizuara në prill 2014 janë në procedurë miratimi. Ligji i rishikuar për konfliktin e interesave e shtrin ndalimin për të lidhur marrëdhënie kontraktore me organet publike edhe te gjyqtarët dhe prokurorët e shkallës së parë dhe të apelit. Për më tepër, dorëzimi i informacionit të rremë është bërë tashmë vepër penale, çka tregon përkushtimin për të luftuar konfliktin e interesit. Ligji për deklarimin e pasurisë tani kërkon që zyrtarët publikë të depozitojnë në bankë pasuritë e tyre me vlerë mbi 1,5 milion ALL (rreth 10 700 EUR).

Për sa i përket bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese si për antikorrupsionin ashtu edhe për krimin e organizuar, në dhjetor u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshëm, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, që synon të krijojë një platformë të përbashkët për nxitjen e hetimeve proaktive. Në tërësi,

bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligjzbatuese duhet të forcohet, përfshi një sistem të sigurt shkëmbimi informacion, me qëllim rritjen e efiçencës së hetimeve.

Në prill, numri i prokurorëve për antikorrupsionit në prokuroritë e rretheve gjyqësore u rrit nga 22 në 33.

Për sa i përket historikut të rezultateve (track record) numri i çështjeve të korrupsionit të denoncuara në prokurori nga Policia e Shtetit është rritur me 16% në periudhën tetor 2013 deri në mars 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës. Dënimet nga gjykatat e rretheve gjyqësore janë ulur me 8% në të njëjtën periudhë, ndërsa dënimet nga Gjykatat e Apelit janë rritur me 81%. Janë në proces pesë hetime për korrupsion në sistemin gjyqësor, dhe ka pasur një dënim brenda sistemit gjyqësor nga Gjykata e Apelit. Për sa i përket zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, pritet të gjykohen pesë çështje me 25 të pandehur, dhe po hetohen dy çështje për abuzim me detyrën dhe pretendime të tjera të ngjashme. Në tërësi, numri i hetimeve dhe i dënimeve mbetet i ulët, sidomos në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë. Numri i lartë i hetimeve për korrupsion, nuk çon në dënime me vendim të formës së prerë, gjë që vë në dukje nevojën për të forcuar pavarësinë, efiçencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit, si edhe nevojën për të forcuar kapacitetet e policisë dhe të prokurorisë.

Për të adresuar mangësitë në efiçencën e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, që në mars zhvillohen takime mujore të kryesuara nga Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vazhdon të ketë disa pengesa, si dispozitat për përgjimin elektronik dhe mbikëqyrjen, afatet për hetimet, pranueshmëria e provave nga gjykata dhe, në tërësi, hetimet vazhdojnë të bëhen vetëm mbi bazë denoncimi. Kapacitetet hetuese të agjencive ligjzbatuese kanë nevojë të forcohen, përfshi luftën kundër krimit financiar dhe ekonomik. Kuadri ligjor ekzistues duhet të përmbajë dispozita juridike që e lejojnë Policinë e Shtetit të marrë të dhëna për qëllime hetimi nga institucionet publike dhe subjektet private që ofrojnë shërbime publike, si dhe që mundësojnë sanksione parandaluese në rast mosrespektimi të ligjit. Shqipëria inkurajohet të futë veprën penale të pasurimit të paligjshëm si një sinjal pozitiv. Nevojiten përpjekje të mëtejshme në lidhje me mekanizmat ndëshkues në rastin e mosrespektimit të Memorandumit të Mirëkuptimit.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) ka marrë masa për të përmirësuar performancën e vet në tremujorin e parë të 2014-ës. Çështjet e fshehjes së pasurisë të denoncuara në Prokurori përfshijnë tre gjyqtarë, një prokuror, një ambasador dhe dy inspektorë. Në tërësi, si IDKLPKI dhe organet e inspektimit të brendshëm duhet të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë më proaktive, duke u fokusuar te pasuria e pajustifikuar përmes një vlerësimi më të mirë të riskut dhe kryqëzimit të të dhënave të veta me ato që paraqiten në deklaratat e pasurisë dhe konfliktit të interesit. Thelbësore në këtë drejtim është që deklaratat e pasurisë të vihen në dispozicion të agjencive ligjzbatuese dhe atyre të hetimit. Publikimi i deklaratave të pasurisë, siç parashikohet në udhërrëfyesin për prioritetet kyçe, do të forcojë llogaridhënien dhe përpjekjet për të zbuluar pasuritë e pajustifikuara.

Në tërësi, ka ekzistuar vullneti politik për të vepruar me vendosmëri për parandalimin dhe goditjen e korrupsionit. Reformat strukturore që janë iniciuar, dëshmojnë për një përqasje gjithëpërfshirëse ku angazhohen një gamë e gjerë institucionesh. Konsultimi i gjerë për hartimin e strategjisë antikorrupsion tregon se qeveria synon të përfshijë shumë grupe interesi. Ka nisur puna ndërinstitucionale për të forcuar hetimet proaktive, analizën sistematike të riskut, si dhe për të kapërcyer pengesat me qëllim përmirësimin e efiçencës së hetimeve. Për ta çuar përpara integrimin evropian, Shqipëria duhet të fokusohet në zbatimin e legjislacionit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, rritjen e hetimeve proaktive dhe miratimin e masave që i bëjnë hetimet më efiçente, me qëllim që të konsolidohen përpjekjet fillestare dhe të krijohet një historik solid hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh me vendime të formës së prerë për çështje korrupsioni. Thelbësore në luftën kundër korrupsionit do të jetë edhe reforma e thellë në gjyqësor.

4. Lufta kundër krimit të organizuar

Që në tetor, janë bërë disa ndryshime organizative në Policinë e Shtetit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, si edhe është hartuar legjislacion kyç për organizimin dhe trajnimin e policisë si edhe kontrollin e armëve të zjarrit. Në mars filloi konkurrimi i hapur për rekrutimin e stafit të ri në Policinë e Shtetit. Pavarësisht situatës së vështirë buxhetore, fondet e akorduara për rrogat e policisë u rritën me 10% në vitin 2014. Që nga shtatori, 39 oficerë policie janë pushuar nga puna për arsye disiplinore. Për sa i përket terrorizmit të financuar përmes krimit të organizuar, pranë Policisë së Shtetit është ngritur një Njësi e re Antiterrori.

Policia ka organizuar operacione të suksesshme në fushat e luftës kundër lëndëve narkotike, trafikimit të qenieve njerëzore, pastrimit të parasë dhe konfiskimit të lëndëve plasëse brenda vendit, si dhe ka marrë pjesë në operacione të ngjashme jashtë Shqipërisë. Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe gjyqësor, në janar u ratifikua Protokolli i Katërt Shtesë i Konventës Evropiane për Ekstradimit. Në total, 25 komisione-rogatore kanë mbërritur në Shqipëri nga Shtetet Anëtare të BE-së nga tetori 2013 deri në fund të prillit 2014. Në të njëjtën periudhë, 34 persona janë ekstraduar nga Shtetet Anëtare të BE-së, ndërsa autoritetet shqiptare ekstraduan 49 persona drejt Shteteve Anëtare të BE-së. Policia e Shtetit nënshkroi një Protokoll Operacional me Departamentin e Sigurisë Publike pranë Ministrisë së Brendshme të Italisë. Shqipëria po punon me Italinë dhe Greqinë për ngritjen e një qendre të përbashkët policore për të goditur aktivitetet e paligjshme ndërkufitare në Sarandë. Po mbahen takime periodike me zyrtarët ndërlidhës të vendeve partnere me qëllim shkëmbimin e informacion mbi hetimet ndaj pasurive kriminale.

Në dhjetor, Shqipëria nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi operacional me Europol-in, që u ratifikua më 20 mars. Shkëmbimi i informacionet lehtësohet nga vendosja e një oficeri ndërlidhësi shqiptar pranë Europol-it. Gjatë periudhës raportuese, Shqipëria mori pjesë në një operacion ndërkombëtar, policor me mbështetjen e Europol-it, për zbulimin e automjeteve të vjedhura dhe të trafikuara; si rezultat, u ndoqën penalisht 24 autorë. Autoritetet duhet të

përdorin në mënyrë më aktive të gjitha mjetet në dispozicion për bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe të rrisin dislokimin e ekipeve të përbashkëta hetimore.

Kapacitetet për të përdorur teknikat speciale të hetimit duhet të forcohen përmes forcimit të kuadrit ligjor dhe procedural.

Në lidhje me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Koordinatori Kombëtar Anti-Trafikim (KKAT) ka rigjallëruar mekanizmin kombëtar të referimit, duke intensifikuar parandalimin dhe ndërgjegjësimin, si edhe duke finalizuar strategjinë e re kombëtare dhe planin e veprimit 2014-2016. Për herë të parë, KKAT-së i është akorduar buxhet i veçantë në vitin 2014. Tri njësi të lëvizshme u ngritën në Tiranë, Vlorë dhe Elbasan, gjë që rezultoi në rritjen e numrit të identifikuar të viktimave dhe viktimave potenciale. Drejtoritë rajonale policore dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda organizojnë bashkë takime mujore. Në adresim të punës së detyruar dhe trafikimit të brendshëm, Inspektorati i Punës ka nisur inspektimet në klubet e natës, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës. Një numër telefoni special për viktimat e trafikimit është funksional që në mars, si dhe që në nëntor 2013, ato përfitojnë ndihmë juridike me ulje 30% të tarifave të avokatëve. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal për trafikimin e qenieve njerëzore duhet të aplikohen me kujdes të veçantë, duhet të forcohen strukturat përgjegjëse për zbatimin e tyre, si edhe të intensifikohen hetimet e rasteve të trafikimit të brendshëm. Numri i dënimeve për trafikim të qenieve njerëzore mbetet i ulët. Duhet të forcohen kapacitetet për vlerësimin e riskut dhe kërcënimeve në lidhje me identifikimin e viktimave të trafikimit, me qëllim që ky fenomen të luftohet në mënyrë proaktive.

Për sa i përket luftës kundër pastrimit të parave, në periudhën nga tetori 2013 deri në mesin e prillit 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës, ka pasur një rritje të lehtë të veprave penale të pastrimit të parasë referuar nga policia pranë prokurorisë, me pothuaj të njëjtin numër keqbërësish. Sidoqoftë, numri i dënimeve për pastrimin e parasë mbetet i ulët.

Nga tetori 2013 deri në fund të marsit, Policia e Shtetit ka referuar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda 45 çështje për fillimin e hetimeve ndaj pasurisë, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhën të vitit pararendës. Hetimet financiare duhet të kryhen sistematikisht dhe duhet të forcohen kapacitetet për kryerjen e tyre në mënyrë efiçente, gjë që do të rritë konfiskimet e produkteve të krimit.

Për sa i përket krimit ekonomik, Policia organizoi një operacion të madh në tetor-dhjetor 2013, me objekt lokalet e paligjshme të lojërave të fatit; kjo çoi në hetimin e 720 veprave penale në fushën e krimit ekonomik, si edhe në sekuestrimin e sasive të mëdha të makinetave me vlerë totale 8,5 milion EUR. Sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive duhet të bëhen në mënyrë sistematike.

Kapacitetet e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) për të monitoruar aspektet operacionale të luftës kundër krimit të organizuar janë rritur falë përmirësimit të 7

radarëve bregdetarë, që mbulojnë të gjithë ujërat territorialë kombëtare. Sistemi online TIMS për shkëmbimin e informacionit ndërmjet agjencive ligjzbatuese është plotësisht funksional. Janë zhvilluar trajnime të përbashkëta për forcimin e aftësive operacionale të personelit të shërbimit. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar kryerjes së një analize risku për skadimin e moratoriumit të skafeve.

Për sa i përket luftës kundër drogës,po zbatohet Plani Kombëtar kundër kultivimit të drogës. Nga tetori 2013 deri në mars 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit pararendës, ka pasur rritje të drogës së kapur marijuanë (18.8 t kundrejt 13.6 t) dhe kokainë (14.5 kg kundrejt 1.7 kg) dhe ulje të heroinës (25.6 kg kundrejt 44.8 kg). Asgjësimi publik i drogës është kryer në mars, prill dhe maj. Shtimi i numrit të operacioneve çoi në rritjen e ndjekjeve penale për trafik drogë gjatë kësaj periudhe. Hetimet për rastet e drogës duhet të shoqërohen sistematikisht me hetime financiare paralele. Nevojitet intensifikim i kontrolleve sistematike të kufirit blu, me qëllon ngushtimin e hapësirave për itineraret e drogës. Bashkëpunimi ndërkombëtar me Italinë, Greqinë, Gjermaninë, Belgjikën, SHBA-në dhe Kosovën2 çoi në arrestimin e 51 të dyshuarve për trafikim ndërkombëtar droge gjatë të njëjtën periudhë, kundrejt 31 arrestimeve në të njëjtën periudhë të vitit pararendës. Duhet intensifikuar lufta kundër rrjeteve të trafikimit të drogës, përmes bashkëpunimit të mëtejshëm ndërkombëtar dhe përdorimit të teknikave speciale të hetimit, bazuar në vlerësim kërcënimi, si edhe e shoqëruar paralelisht me hetime financiare. Duhet të intensifikohen masat konkrete për çrrënjosjen e plantacioneve me bimë narkotike. Në Planin Kombëtar kundër kultivimit të drogës duhet të përcaktohen indikatorë për matjen e performancës si edhe rezultatet e pritshme.

Në tërësi, janë përgatitur për miratim ndryshime organizative dhe legjislacion kryesor për organizimin dhe trajnimin policor si edhe kontrollin e armëve të zjarrit. Bashkëpunimi ndërkombëtar policor dhe gjyqësor është intensifikuar përmes zbatimit të marrëveshjeve të ekstradimit. Mekanizmi kombëtar i referimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore është ringjallur përmes rritjes së bashkëpunimit të autoriteteve ligjzbatuese. Hetimet kanë gjeneruar disa rezultate pozitive në luftën kundër drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parasë. Lufta kundër kultivimit të drogës duhet të intensifikohet. Për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria duhet të konsolidojë historikun e rezultateve (track record) në luftën kundër krimit të organizuar, përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimit të efiçencës së hetimeve proaktive dhe përdorimit sistematik të hetimeve financiare, forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar kur përfshihet edhe Europol-i, si edhe intensifikimit të përpjekjeve për të goditur çdo formë krimit të organizuar.

5. Reforma në Sistemin Gjyqësor

Në janar u shpallën masat e reformës në gjyqësor, me qëllim rritjen e efektivitetit të sistemit gjyqësor. Shqipëria kërkoi bashkëpunimin e Komisionit të Venecias dhe hartoi një udhërrëfyes për plotësimin e pesë prioriteteve kyçe, ku përfshihen edhe reforma në sistemin e drejtësisë. Procesi i hartimit të strategjisë 2014-2020 ka nisur. Në shkurt, pranë Ministrisë së Drejtësisë është ngritur një grup pune këshillimor për reformën në sistemin gjyqësor.

Në mars, Shqipëria i kërkoi Komisionit të Venecias të vlerësojë dy paketa të amendamenteve të Kodit të Procedurës Civile dhe Penale. Njëra nga paketat e ndryshimeve u jep kompetencë gjyqtarëve të vendosin gjoba për avokatët të cilët në mënyrë të përsëritur mungojnë në seancat gjyqësore civile dhe penale, ndërsa e dyta kufizon llojet e ankimeve që mund të ngrihen në Gjykatën e Lartë. Këto ndryshime synojnë të zvogëlojnë ngarkesën e punës së gjykatave dhe të rritin efikasitetin e tyre. Synohet që asistenca e Komisionit të Venecias të shtrihet gradualisht në një gamë të gjerë temash.

Në përputhje me dispozitat e ndryshuara të Kodit të Procedurës Civile, shumica e rasteve civile në Gjykatën e Lartë janë duke u shqyrtuar nga një panel prej tre gjyqtarësh. Nevojiten masa të mëtejshme për ta bërë më të efektshëm funksionimin e Gjykatës së Lartë. Këto përfshijnë harmonizimin dhe publikimin e vendimeve të gjykatave, amendamentet e Kodit të Procedurës Penale që ndryshojnë procedurat e aplikuara në Gjykatën e Lartë, në lidhje me përbërjen e paneleve që shqyrtojnë çështjet penale, miratimin e dispozitave me synim uljen e numrit të ankimeve, përfundimin e riorganizimit të brendshëm në vijueshmëri të Gjykatës, si dhe plotësimin e 3 vendeve ende të lira në Gjykatë.

Publikimi i fundit, për herë të parë, i një listë të plotë të gjyqtarëve me të dhëna për rangun e tyre është një hap në drejtim të rritjes së transparencës të sistemit për emërimin, ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve. Vlerësimi i gjyqtarëve duhet të ndiqet në lidhje me periudhën 2007 - 2009 dhe vitet pasuese. Nevojiten masa shtesë për të siguruar që procedurat në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë për emërimin, ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve të bazohen ekskluzivisht në meritat dhe kriteret e tjera objektive të aplikuesit.

Sistemi Elektronik i Menaxhimit të Çështjeve (ICMIS) i unifikuar, që siguron një shpërndarje të rastit dhe transparente të çështjeve për gjyqtarët dhe i dobishëm për të monitoruar çështjet e prapambetura nuk aplikohet ende në të gjitha gjykatat. Kjo është veçanërisht relevante për Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykatën e Krimeve të Rënda, Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda dhe Gjykatat Administrative të sapokrijuara, ku sistemi nuk është operativ.

Vendimet gjyqësore duhet të jenë në dispozicion për të gjithë praktikuesit dhe publikun e gjerë. Vendimet duhet të publikohet në një bazë të dhënash të kërkueshme, me arsyetim përkatës dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe në përputhje me rekomandimet e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në lidhje me veprat penale të korrupsionit nga ana e zyrtarëve shtetërorë të nivelit të lartë (shih pjesën 3. Politikat Anti-korrupsion) paraqesin procedurat që rregullojnë heqjen e imunitetit të tyre. Në rastin e gjyqtarëve të zakonshëm, autorizimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me kërkesë të prokurorit është i nevojshëm për kërkimin personal dhe të shtëpisë, si dhe çdo formë të heqjes së lirisë. Për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, i takon Prokurorit të Përgjithshëm t’i kërkojë Gjykatës së Lartë të autorizojë heqjen e imunitetit. Ndryshe nga gjyqtarët dhe prokurorët e zakonshëm, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese mbetet nën juridiksionin e Gjykatës së Lartë për veprat penale që lidhen me korrupsionin.

Informacioni për gjashtë raste të korrupsionit të dyshuar brenda gjyqësorit është dërguar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë tek Prokurori i Përgjithshëm

Që nga tetori 2013, Ministri i Drejtësisë ka nisur procedimet disiplinore ndaj 19 gjyqtarëve, të cilat janë kaluar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për ekzaminim. Deri më sot, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka trajtuar pesë prej këtyre rasteve, duke pushuar një gjyqtar, transferuar një gjyqtar në një gjykatë të një niveli më të ulët për dy vjet, dhe paralajmërim për shkarkim për 3 gjyqtarë. Në një rast të veçantë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi në dhjetor 2013 një gjykatës nga ushtrimi i detyrave të tij në pritje të një vendimi përfundimtar. Procedurat janë iniciuar nga Ministri i Drejtësisë ndaj dy prokurorëve. Sistemi disiplinor duhet të forcohet, roli i Ministrit të Drejtësisë në procedurën disiplinore, si dhe brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shqyrtohet, të zbatohen rregulla të reja në mënyrë efektive për imunitetin e gjyqtarëve, dhe të krijohet një historik rezultatesh për ndëshkimet.

Për sa i përket efiçencës, në nëntor 2013 u ngritën të gjashta Gjykatat Administrative, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë. Emërimi i gjyqtarëve në këto gjykata - që ndër të tjera gjykojnë edhe çështjet e transferuara nga gjykatat e tjera – është kryer në bazë të konkursit. Duhet të përfundojë procesi i plotësimit të nëntë vendeve vakante në pesë Gjykatat Administrative jashtë Tiranës si edhe të finalizohen dispozitat për ndihmësit ligjorë dhe ambientet e gjykatave.

Në vijim të vendimit të marsit 2014 të Gjykatës Kushtetuese që deklaroi si antikushtetues Ligjin për Administratën Gjyqësore të prillit 2014, është e nevojshme që ky boshllëk ligjor të mbushet dhe të miratohen dispozitat që rregullojnë veprimtarinë e gjykatave dhe stafit të tyre. Sipas këtij vendimi, ligji në 2013-ën duhej të ishte miratuar me shumicë të cilësuar dhe jo me shumicë të thjeshtë.

Për sa i përket aksesit në drejtësi, duhet të zbatohen ndryshimet në Ligjin për Ndihmën Juridike (2008) në lidhje me përjashtimin nga tarifat gjyqësore për disa qytetarësh si edhe për ngritjen e zyrave vendore të ndihmës juridike (klinika juridike).

Në tërësi, Shqipëria ka demonstruar përkushtimin ndaj reformës në gjyqësor, kryesisht duke ndërvepruar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e sistemit. Janë bërë përpjekje për të ulur numrin e çështjeve të prapambetura dhe ngarkesën e punës në përgjithësi, si edhe për rritjen e transparencës brenda gjyqësorit. Janë marrë masa për të nxitur llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve përmes miratimit të procedurave që disiplinojnë heqjen e imunitetit të tyre. Procedimet disiplinore janë pasur me një numër sanksionesh. Në reformën e sistemit gjyqësor, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zbatojë me rigorozitet reformën në gjyqësor, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, miratimit të dispozitave kyçe shtesë për forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies – në përputhje me udhërrëfyesin për reformën në sistemin gjyqësor – si edhe zbatimit adekuate të masave të miratuara.

6. Përfundimet

Shqipëria ka vazhduar zbatimin dhe konsolidimin e masave në kuadrin e reformave të Integrimit Evropian, sidomos ato që kanë të bëjnë me statusin kandidat. Ka pasur vullnet të vazhdueshëm politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, ndërkohë që reformat strukturore dëshmojnë për një përqasje gjithëpërfshirëse me angazhimin e shumë institucioneve. Janë miratuar reformave të rëndësishme legjislative në luftën kundër krimit të organizuar. Hetimet kanë gjeneruar rezultate pozitive në luftën kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe krimeve të tjera të rëndë. Shqipëria ka demonstruar përkushtimin ndaj reformës në gjyqësor, kryesisht duke punuar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e sistemit.

Mbi bazën e konstatimeve të këtij Raporti, Komisioni konfirmon rekomandimin e vet që Këshilli duhet t'i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë këtë zbatim sistematik të reformave, pasi rezultatet e qëndrueshme do të jenë vendimtare për integrimin e mëtejshëm në BE. Ky raport evidenton disa sfida thelbësore që Shqipëria të avancojë me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian. Në luftën kundër korrupsionit, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria duhet të fokusohet në zbatimin e legjislacionit në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesit, rritjen e hetimeve proaktive dhe miratimin e masave që i bëjnë hetimet më efiçente, me qëllim që të konsolidohen përpjekjet fillestare dhe të krijohet një historik solid hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh me vendime të formës së prerë për çështje korrupsioni. Thelbësore në luftën kundër korrupsionit do të jetë edhe reforma e thellë në gjyqësor.

Në luftën kundër krimit të organizuar, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zhvillojë më tej historikun e rezultateve (track record) përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, forcimit të efiçencës së hetimeve proaktive dhe

përdorimit sistematik të hetimeve financiare, forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar kur përfshihet edhe Europol-i, si edhe intensifikimit të përpjekjeve për të goditur çdo formë krimit të organizuar.

Në reformën e sistemit gjyqësor, për të avancuar me vendosmëri në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka nevojë të zbatojë me rigorozitet reformën në gjyqësor, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komisionin e Venecias, miratimit të dispozitave kyçe shtesë për forcimin e pavarësisë dhe llogaridhënies – në përputhje me udhërrëfyesin për reformën në sistemin gjyqësor – si edhe zbatimit adekuate të masave të miratuara.

Për më tepër, është thelbësore që reforma të shoqërohet me dialog politik të ri-fuqizuar dhe të konsoliduar ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Puna parlamentare konstruktive bazuar në kompromis është vendimtare për qëndrueshmërinë e reformave, dhe krijimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian – i cili bashkon të gjitha grupet e interesit, është kyç për konsensusin e të gjithë shoqërisë shqiptare.

Sfidat kryesore të identifikuara në këtë raport, do të shtjellohen më tej në Progres-Raportin e Komisionit që publikohet në tetor 2014.

Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër