/ATSH/.- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, i ka vlerësuar Forcat e Sigurisë së Kosovës si institucionin më të besueshëm të vendit.
Sipas KosovaPress, Jahjaga ka vlerësuar lart FSK-në duke e inkurajuar për punë edhe më të madhe në të ardhmen ku kjo forcë po shkon, në krijimin e një ushtrie dhe aspiratës për t'u anëtarësuar në NATO.
E para e vendit i ka bërë këto komente gjatë ceremonisë së dorëzim - pranimit të detyrës së komandantit të FSK-së. Jahjaga përgëzoi të gjithë pjesëtarët e kësaj force për punën e palodhshme që po bëjnë në ndërtimin e të ardhmes së Republikës së Kosovës.
"Ndërtimi i institucioneve ka qenë sfidues për të realizuar ëndrrat e gjeneratave të tëra për një Kosovë sovrane. Këtyre sfidave ju përgjigjem me optimizëm. Bashkë me partnerët tanë i krijuam kushtet për ta shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe për ta bërë anëtare në shumë organizata ndërkombëtare. Morëm vendime të rëndësishme dhe shtrimë dorën e bashkëpunimit edhe atëherë kur nuk ishte e lehtë dhe këtë e bëmë që Kosovën e lirë ta bëjmë të palëkundur dhe të konsoliduar plotësisht", tha presidentja Jahjaga në këtë ceremoni.
Jahjaga shprehu besimin se kjo forcë do të forcohet edhe më shumë.
"Një institucion që gëzon besimin më të madh në mesin tonë dhe punon në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë. Unë besoj fuqishëm që do të vazhdoni ta thelloni këtë besim, për të qenë kontribuuese e sigurisë kolektive", ka thënë Jahjaga.
Në ceremoninë e cila është duke u mbajtur në kazermën "Adem Jashari", përveç presidentes po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, gjeneralmajor Rrahman Rama, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, ambasadorë dhe atashe ushtarak të akredituar në Kosovë, përfaqësues të NATO-s, oficerë të lartë të FSK-së, të KFOR-it, si dhe personalitete politike dhe ushtarake të vendit dhe të huaj.