PRISHTINË, 13 Mars /ATSH/.- Kosova ka arritur larg dhe ka shumë detyra përpara, u shpreh Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në pritjen tradicionale për Trupin Diplomatik, në Prishtinë.
"Unë personalisht, nuk kam asnjë dyshim për seriozitetin e detyrave që na presin dhe për kohët sfiduese para nesh. Por, ato nuk do ta sfidojnë dashurinë tonë për Kosovën, apo vullnetin tonë ndaj transformimit të Kosovës në atë imazh të aspiratave tona, si shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, një vend paqedashës dhe demokratik, i denjë për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe komunitetit transatlantik, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", theksoi Jahjaga.
"Ne kemi arritur kaq larg së bashku dhe kemi shumë detyra para nesh për të përmbushur dhe shumë fitore për të korrur. Besoj në vullnetin tonë, dhe në aftësinë tonë dhe në interesin tonë për t'u bërë bashkë që ta qojmë Kosovën përpara", tha Jahjaga në pritjen e organizuar mbrëmë.
"Sonte na është bashkuar edhe ambasadori i SHBA-së në Serbi. Ambasador Kirby, mirë se erdhët ne Kosovë dhe ju faleminderit që na u bashkuat sonte, është kënaqësi e madhe t'ju kemi këtu, bashke me ne", është shprehur fillimisht Presidentja e Republikës së Kosovës.
Sot, spas axhendës së dërguar, Presidentja Jahjaga pret në takim komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, të cilin e dekoron me Urdhrin e Pavarësisë, i cili jepet personave për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës, e më pas viziton rajonin e Prizrenit, ku takon edhe drejtuesit e Dokufestit./b.j/k.s/