Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe drejtues të   institucioneve të sigurisë e gjyqësisë për të vlerësuar zhvillimet aktuale në vend pas seancës së fundit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në takim merrnin pjesë edhe kryeprokurori Sylë Hoxha, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Pecin, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Muharrem Ajeti.

Sipas komunikatës së sapodërguar, duke vlerësuar punën e këtyre institucioneve dhe mekanizmave dhe kontributin e tyre, Presidentja Jahjaga theksoi të nevojshëm harmonizimin e mëtejshëm të institucioneve të mandatuara për ruajtjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, implementimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me Republikën e Serbisë dhe përshpejtimin e reformave, të cilat lidhen me përmbushjen e standardeve të përcaktuara për proceset integruese të Kosovës dhe liberalizimin e vizave./ATSH/