Jakin Marena: U shua në Parlament, ‘zjarri’ ndizet te Foltorja, Bardhi ‘ngrohet’

Jakin Marena: U shua në Parlament, ‘zjarri’ ndizet te Foltorja, Bardhi ‘ngrohet’

Gazment Bardhi

Dakordësia në Parlament mes deputetëve të PS dhe atyre të Rithemelimit, solli konsensusin per ngritjen e dy komisioneve hetimore nga tetë të tillë që kishte kërkuar grupimi opozitar i Sali Berishës përmbi 5 muaj në Kuvend.

Njëherësh solli dhe tërheqjen e deputetëve të Foltores nga aksioni i dhunshëm opozitar në sallën e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare, përmes të cilit kishin bllokuar seancat normale duke shkatërruar karriget, hedhur tymuese e molotov gjatë seancave. Por dhe goditur gardistët.

Palët e paraqitën në publik në mënyrën se si deshën vetë arritjen e kësaj dakordësie, e cila gjithsesi nuk ka asgjë të shkruar apo të firmosur, dhe më shumë është si një ‘marrëveshje xhentellmenësh’, ku secila palë u pajtua me idenë se kishte arritur objektivin e vet.

Përfaqësuesit e Foltores, grupin negociator të së cilës e kryesoi Gazment Bardhi, e promovuan një dakordësi të tillë si një arritje të madhe, pasi ishte njohur Berisha si faktor opozitar. A thua askush nuk e ka deklaruar një gjë të tillë, megjithëse bën një opozitë allasoj Berisha, më shumë në kahjen e dhunës dhe tashmë në majë të ballkonit të pallatit të tij ku është mbyllur nën arrest shtëpiak nën akuzën e korrupsionit pasiv, lëshon ato deklaratat e tij kundër të gjithëve, dhe që mbyllen me dy lutje. Njëra që të ngrihet populli opozitar i cili nuk po luan fare vendit, për ta mbështetur në mosbindjen civile, dhe tketra për qeveri teknike pasi i është tiposur se meqë nuk fiton në mënyrën normale, mund të fitojë me qeveri teknike.

Pra deputetët e Berishës arritën të gjenin një pretekst, për të dalë nga kolapsi ku ishin futur me sjelljen e dhunshme në Parlament, për t’iu kthyer jetës normale parlamentare. Sebep me një fjalë. Megjithëse u vajti për mbarë, pasi ditën e hënë, u takuan përmallshëm me kolegët socialistë, gjatë punës në komisionet parlamentare, respektivisht ku marrin pjesë.

Ndërkohë që mazhoranca socialiste arriti objekti vin e vet: Stabilitetin në parlament, si dhe shmangien e bezdisë që të krijonte votimi 8 minutësh i ligjeve nën ‘shoqërinë’ e tymueseve, bilbilave dhe britmave të deputetëve të Foltores.

Ndërkohë që në tavolinën e negociatave mazhoranca vendosi pikërisht ato që kishte ofruar për muaj me radhë, komisionet hetimore me objekt të përcaktuar sipas ligjit të vjetër dhe të ri për komisionet hetimore dhe mbi të gjitha konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra nga 8 komisione që kërkoi Foltorja e Berishës, dha konsensusin për dy. Këtë fakt e kanë nënvizuar që nga kryeministri Edi Rama e deri tek kreu i grupit parlamentar Bledi Çuçi. Pra dakordësi, brenda kornizës kushtetuese e ligjore. Duke këmbëngulur që marrëveshja është arritur vetëm në nivelin parlamenetar, dhe nuk ka pasur aspak negociata me ‘non gratën’ Berishën. Aq më pak njohjen e tij si kreu i opozitës. Mungesa e një marrëveshjeje të shkruar me pika, afate dhe firma në fund e verteton tamam këtë situate, ku kjo dakordësi nuk ka asnjë kontur marrëveshjeje PS-Foltore.

Nga ana tjetër nga kjo dakordësi ‘përfitoi’ dhe Lulzim Basha, i cili tashmë ‘topin’ e ‘pazareve’ me Ramën, të cilin ia kishin lënë në ‘derë’ për muaj e muaj me radhë, e ka kaluar në fushën e Berishës dhe Foltores, duke formatuar të njejtat akuza kundër tij, për ‘tradhëti’ me Ramën. Dhe në fund i ka ardhur dhe goja, pasi në takimet e tij të shpeshta tashmë me bazën e PD zyrtare artikulon ‘tradhëtinë’ e Berishës për të bindur demokratët se ai ka flirtuar që nga viti 2008 me kundërshtarin politik Edi Rama. Për interesat e tij personale, këmbëngul këtu Basha.

Në fund të herës, të tre palët, dy PD-të dhe PS-janë janë qetësuar me këtë dakordësi të arritur, duke sjellë dhe qetësimin e jetës parlamentare e për pasojë dhe uljen e tensionit politik në legjislativ sëpaku. Por dhe kanë dhënë material për secilën palë për ta përdorur kundër njëri tjetrit, dhe për pasojë dhe për mediat. Interes i ndërsjellë me një fjalë.

Por nuk ka kaluar pa pasoja kjo dakordësi mes grupit parlamentar të PS dhe atij të Rithemelimit. Dhe pasojat janë ndjerë pikërisht tek Foltorja. Janë thuajse i gjithë grupi i deputetëve ithtarë të Berishës, ‘dora’ e parë e tyre që iu bashkangjit që para dy vitesh themi, të cilët jo vetëm që nuk janë dakord me dakordësinë e arritur me PS, por sulmojnë kryesuesin e negociatave Gazment Bardhi, se ka negociuar për ato që i takojnë opozitës.

Me radhë, që nga Ervin Salianji, Dashnor Sula, Myslim Murrizi dhe deputetë e anëtarë të tjerë të kryesisë e Këshillit Kombëtar të Foltores, janë shprehur kundër dakordësisë me PS, dhe ‘fitoren’ për ngritjen e dy komisioneve hetimore, njëra nga të cilat ajo për koncesionet në shëndetësi, e rrëzueshme për shkak se SPAK ka nisur hetimin prej vërteti dhe jo parlamentar për këtë çështje. Nuk mund të rezonohet institucioni më i lartë i hetimit nga hetimi parlamentar.

Por kundër këtij dakordësimi është dhe Berisha, i ndjekur nga ana e sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka, që ndonëse për momentin shtrëngojnë dhëmbët dhe e pranojnë prej zorit, në të vërtetë janë kundër si dreqi ndaj negociatave me PS në kulmin e “revolucionit dhe mobindjes civile”. Aq më tepër që këto negociata i drejtoi i ‘sapomartuari’ me Foltoren, Gazment Bardhi.

Berisha ka hall me drejtësinë dhe ndjehet vërtetë i rrezikuar. Tashmë që dosja e ’21 janarit’ ka kaluar në SPAK e s’mund të hetohet më për teknicialitete. Strasburgu e tha qartë në vendimin e tij që të hetohet maja e zinxhirit komandues dhe jo për shpërdorim detyre por për krim shtetëror. Janë vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë, s’bëhet më shaka pa fund.

Ndaj themi se Berishës ia do puna të bëjë sikur është tërhequr nga dhuna, për të treguar se është faktor dhe me mendjen e tij i dërgon sinjale SPAK se është kreu i opozitës e nuk mund të preket. Pavarësisht se vetëm disa ditë më vonë vetë kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi se nuk ndalet në hetimin e zyrtarëve të lartë, duke mos kursyer askënd. Dhe SPAK po e tregon se nuk pyet as për Ramën e as për Berishën. Jo më për këta rëë tjerët që ‘lëvrijnë’ koridoreve të politikës në përpjekje për të kapur ndonjë mbështetje politike apo ndonjë lek. E kemi thënë dhe herë të tjera, SPAK e ka ‘pultin e komandimit’, nëse mund ta quajmë të tillë, në Uashington dhe Bruksel. S’muand t’ia ‘fikin’ dritat politikanët shqiptarë. U mbyll ajo kohë e ‘artë’.

Për t’u kthyer tek dakordësia mes deputetëve të PS dhe atyre të Rithemelimit për normalizimin e jetës parlamentare, vërtetë që zjarri u shua në Parlament, por ajo që mund të themi është se është ndezur rëndshëm tek Foltorja. E cila është e ndarë në pro dhe kundër këtyre negociatave. Emrat e lartëpërmendur dhe shumë të tjerë që janë në anën e tyre, shprehen se opozita nuk arriti asgjë, vetëm sa konfirmoi ato që kishte kërkuar mazhoranca tërë kohën. Madje këmbëngulin në vazhdimin e aksionit opozitar dhe ‘revolucionit’ brenda perimetrit kryesi kuvendi, Parlament dhe kryeministri teksa dalin ndonjëherë në shesh, pasi kështu siç po veprohet do të mbeten tërë jetën në opozitë. Këtu kanë të drejtë. Dhe sikur të bashkohen të gjithë opozitarët bashkë, dhe sikur t’i falë PS 5 zona afrofe të fituara, sërish opozita nuk arrin të kërcënojë këtë mazhorancë. Që për hir të së vërtetës tashmë po kërkon shumicën e cilësuar me 84 mandate deputeti, si parti më vete.

Fushata ka filluar për PS. Rama vijon takimet për shtimin e radhëve përmes anëtarësimeve të reja, për rivitalizimin e socialistëve dhe shpalosjen e objektivave për arritjen e një rezultati sa më të thellë në zgjedhjet e pas një viti. Një fushatë të tillë për shtimin e radhëve të PS, për të dalë përtej të majtës dhe të djathtës përmes futjes së ‘gjakut të ri’ në parti, Rama e ka shoqëruar dhe me tërheqjen e investitorëve të mëdhenj, siç është rasti i projektit për resorte turistike në Sazan dhe Zvërnec, me investitor vetë dhëndrin e Donald Trump, pretendent për president i SHBA përballë Joe Biden, përparimin e investimeve në akset rrugore, nisjen e projektit për hekurudhën që lidh Shqipërinë me Kosovën, dhe mbi të gjitha reklamën e fortë të turizmit në vend. Jemi bërë kryefjalë e të gjitha mediave ndërkombëtare për mirë. Por dhe për elementë të tjerë kreativë. Një fushatë e tillë ngjall besim, siguri stabilitet dhe mbi të gjitha sjell dhe vota për këtë mazhorancë.

Ndërkohë që opozita përpëlitet nën ‘flakët’ e zjarrit që u zhvendos nga parlamenti tek “Foltorja”, pas dakordësimit mes grupit parlamentar të PD dhe deputetëve të Rithemelimit. Por dhe pjesa tjetër e opozitës është në dilemë. Duke filluar nga Ilir Meta si kreu i Partisë së Lirisë, i cili me sa duket ka nisur të bëjë llogaritë e veta. Për të dalë më vete, apo në rastin më ‘fatlum’ për të marrë nën ‘çatinë’ e vet Foltoren, ku i ka bërë gati të gjithë skenarët, për t’i hequr ‘skalpin’ dhe marrë gjysmën e deputetëve të sigurtë. Nëse Foltorja garon me siglën e PL. Pjesa tjetër e opozitës është tepër e lëkundur. Opozitës së qenësishme që sjell vota themi.

Askush nuk mund ta mendojë që kreu i PDIU Shpëtim Idrizi të garojë nën siglën e koalicionit me Berishën dhe Metën, pikërisht me ata që kanë kandiduar Fredi Bejlerin për kryebashkiak të Himarës. Fundja me kauzën e çamëve mbahet Idrizi, nuk ka nga ia mban. Po të heqë dorë dhe nga ajo, nuk i mbetet aagjë më. Kështu dhe partitë e tjera të opozitës, duke filluar me kreun e LZHK Dashamir Shehu, i vendosur për të dalë jo me Berishën, por dhe Agron Duka i PAA është i lëkundur. Ndërsa për kreun e PD zyrtare Lulzim Basha as që mendohet se mund të dalë nën një ‘flamur’ me Berishën. E kanë përjashtuar përfundimisht njëri tjetrin. Janë armiq për vdekje.

Për më tepër që pas negociatave të Bardhit me deputetët e PS, pritet të ndahet përgjysmë dhe Foltorja. E pranuan me shpirt nëpër dhëmbë Berishën ‘non grata’, por me sa duket nuk mund të shiten më tej për interesat e Berishës. Mbetet i fituar vetëm Gazment Bardhi, apo ndonjë ndjekës i tij, të cilët mund të marrin një mandat deputeti në zgjedhjet e ardhshme. Fundja për këtë luftuan, pasi pa një vend në listën prioritare në zgjedhje, ata s’dalin kurrë deputetë. Kështu që thjeshtë duke manovruar në perimetrin e Tiranës, arrijnë të mbijetojnë. I mbetet vetëm të ‘ngrohet’ në ‘zjarrin’ që solli nga parlamenti tek Foltorja, dhe ‘veza’ t’i japë një mandat deputeti në vitin 2025. Ndërkohë që opozita do vijojë të ‘presë thumba’ sërish jashtë pushtetit, për të rrumbullakosur plot 16 vite në opozitë./ JavaNews 

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb