Jakin Marena: Heshtja e Kurtit për presionin e Greqisë ndaj Shqipërisë për ‘Belerin’

Jakin Marena: Heshtja e Kurtit për presionin e Greqisë ndaj Shqipërisë për ‘Belerin’

Albin Kurti

Kanë kaluar mbi 10 muaj plot me presione nga ana e qeverisë greke dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ndaj Shqipërisë dhe kreut të qeverisë Edi Rama, për çështjen “Bejleri”.

Kreu i zgjedhur i bashkisë së Himarës Alfred Bejleri, i propozuar nga koalicioni opozitar nën siglën e PL “Bashkë Fitojmë” dhe i kryesuar nga Sali Berisha, është arrestuar dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Gjykata e Posaçme më së fundmi ka dhënë vendimin e saj, duke e dënuar Bejlerin me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor.

E thënë më thjeshtë, ish armiku i Berishës, e në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar i përzgjedhuri i tij për të përfaqësuar Himarën, është kapur në flagrancë duke blerë vota, në këmbim të parave dhe të premtimeve për pasaportë greke, përmes të cilave përmbysi rezultatin në këtë bashki, duke fituar me vetëm 19 vota më shumë se rivali i tij socialist Gjergji Goro. Që më ironi të fatit dhe ai është në burg për shpërdorim detyrë, i kallëzuar pikërisht nga rivali i tij Bejleri.

S’po i hyjmë diskutimit për situatën me të cilën po ballafaqohet Himara, me dy kryetarët në burg, as me mënyrën se si do të zgjidhet kjo çështje, e lënë me sa duket deri në vendimin e formës së prerë të Apelit për Bejlerin, dhe për një periudhë të ndërmjetme deri në zgjedhje nëse qëndron në fuqi dënimi me burg, Himara do të qeveriset nga njëri prej 2 nënkryetarëve të këshillit bashkiak.

Nuk po hyjmë as në elementë më të detajuar, që kanë të bëjnë me dyshimet se çfarë është gjetur në memorien e kartës telefonike të celularit të Bejlerit, nivelin e bisedave por dhe të zyrtarëve grekë që kanë folur me të, skemat që janë përdorur për të masivizuar votën krah tij dhe elementë të tjerë që ndoshta kanë të bëjnë me bindjen e Bejlerit për helenizimin jo vetëm të Himarës por dhe të tërë jugut.

Janë biseda që sipas shtypit greke kanë rënë në dorën e disa mediave shqiptare, e nëse vendosin t’i botojnë do të qelbnin dynjanë. Pasi ka që nga nivelet e ulta të politikës dhe qeverisjes greke në këto biseda, e deri në nivelet më të larta. Pa përjashtuar këtu dhe shërbimin inteligjent grek apo ndonjë organizatë spak serioze. Kjo mbetet në dorë të organeve ligjzbatuese shqiptare për t’u bërë publike në një rast të mbramë, apo në ‘humorin’ e drejtuesve të mediave që i disponojnë, për t’i hedhur në publik. Do qelbej dynjaja, e theksojmë, është nivel tepër i ulët konspiracioni.

Por le të kthehemi te presioni i Athinës zyrtare ndaj qeverisë së Tiranës, përmes ultimatumeve të lirimit menjëherë të Bejlerit nga burgu e lejimin e tij për t’u betuar si kryetar i bashkisë së Himarës apo më pas duke kërkuar betimin në burg, përmes dërgimit të tërë këshillin bashkiak në qeli për të ngritur dorën apo duke dërguar me pranga në duar Bejlerin në Himarë që të betohet.

Eshtë refuzuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri dhe në Gjykatën Kushtetuese betimi i Bejlerit në kushtet e paraburgimit, ku për qytetarët e thjeshtë nuk lejohet as përdorimi i telefonit, ndërkohë që Bejleri ka tërë infrastrukturën e nevojshme për të përdorur internetin, telefonin, dërguar mesazhe nga burgu dhe sulmuar kryeministrin Rama, gjyqtarët me emër dhe mbiemër. Madje dhe për t’i rezistuar shkarkimit, ku në raste analoge, sa herë ka pasur raste të tilla akuzash ndaj kryebashkiakëve socialistë, ata menjëherë janë shkarkuar nga kryeministri.

Pavarësisht gjithë kësaj situata qeveria greke, bashkë dhe me mediat afër saj nuk kanë rreshtur së kërkuari nga kryeministri Rama që të ushtrojë presion politik ndaj drejtësisë së re për ta liruar Bejlerin, të cilin e kanë cilësuar të burgosur politik. Mot a mot siç e cilëson dhe Berisha këtu.

Madje Mitsotakis u adhnua aq shumë sa nuk e ftoi Ramën në një takim informal kohë më parë në Athinë, ku nuk la njeri pa ftuar, në përpjekje për t’i treguar ‘dhëmbët’ për çështjen “Bejleri”. Megjithëse Rama nuk iu përgjigj në të njejtën monedhë apo siç quhet rëndom në gjuhën diplomatike, në mënyrë proporcionale. Rama e ftoi Mitsotakis në samitet që u zhvilluan në Tiranë, e ftoi dhe në përurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, megjithëse ministri i Mbrojtjes nuk erdhi sepse kishte një axhendë të përcaktuar më parë diku tjetër.

Por nga ana tjetër Rama ka qëndruar që në krye të herës konseguent në atë që ka deklaruar: Këto janë punët e drejtësisë së re dhe në çështjet e saj nuk ndërhyn kurrë. Këtë e ka vertetuar Rama, pasi nuk ka ndërhyrë as për ish zyrtarët e lartë të PS që janë nën hetim, janë në burg apo janë dënuar. Ky ka qënë dhe është një kusht i vënë nga aleatët tanë, SHBA e BE, dhe një nga kushtet e panegociueshme të Ramës, i ndërmarrë dhe i deklaruar në përmbushje të kërkesave ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit në BE. Madje Rama ka kërkuar që drejtësia të mos u lërë ‘kusur’ të gjithë atyre që kanë abuzuar, duke shprehur njëherësh dhe mbvështetjen pa kufi të mazhorancës për drejtësinë e re.

Athina zyrtare nuk u ndal vetëm në ‘cic micet’ ballkanike të mesazheve përmes anashkalimit, por arriti deri atje, sa të vendoste dhe veton në emër të Greqisë për procesin integrimit të Shqipërisë në BE, si kusht për lirimin e Bejlerit nga burgu, përmes ndikimit të politikës mbi drejtësinë. E ka deklaruar në Bruksel Mitsotakis në gjë të tillë, duke i dhënë zë dhe qëndrimeve të Athinës zyrtare të shprehura përmes ministrave të qeverisë së tij, apo mediave pro-qeveritare.

Nuk është ndalur Mitsotakis në presionin e fortë ndaj Tiranës zyrtare duke i kërkuar që të ndikojë politikisht mbi SPAK dhe gjykatat shqiptare që të lirohet Bejleri, aq sa ka sjellë dhe reagimin e SHBA, qeveria e së cilës ka kërkuar me insistim që të lihet në punën e vet drejtësia e re dhe të mos cënohet pavarësia e gjyqësorit. Nënvizojmë se për këtë drejtësi të re SHBA dhe BE kanë investuar aq shumë që të ngrihet dhe të godasë krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, e mbi të gjitha që të qëndrojë politika larg saj. E kanë vënë si kusht këtë.

Kanë reaguar dhe BE por dhe vendet anëtare të BE veçan, të cilat e kanë cilësuar si të papranueshëm qëndrimin e Greqisë për t’i vënë veto Shqipërisë për integrimin në Union. Më i ashpër ka qënë kancelari gjerman Scholz, i cili jo vetëm që e quajti të papranueshëm një presion të tillë, por dhe propozoi që të hiqet rregulli i vetos pasi vende si Shqipëria që bëjnë reforma duhet të vlerësohen e jo të pengohen. “S’ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”. I cili nënvizoi që marrëdhëniet bileterale s’duhen përzier me BE.

Të njejtën gjë ka bërë dhe presidenti francez Macron, kryeministri spanjoll dhe thuajse të gjitha vendet anëtare të BE, të cilat më në fund u dakordësuan për heqjen e vetos për çështjet çështjet e zgjerimit, duke e rrëzuar pak ditë më parë veton në BE dhe duke bërë që Greqia për herë të parë të humbë ‘armën’ më të fortë që kishte kundër fqinjëve, atë të presionit me veto, për të mbërritur në realizimin e ambicieve të saj në kurriz të fqinjëve, sikurse ka bërë deri më tani.

I përmendëm të gjitha këto fakte për të treguar se në lidhje me presionin e Mitsotakisit dhe qeverisë së tij ndaj Shqipërisë për “Bejlerin’, deri dhe në vendosjen e vetos për procesin e integrimit në BE, kanë reaguar që nga SHBA, Britania e Madhe, vendet anëtare të BE por dhe liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit në tërësi. Janë shprehur kundër qëndrimit grek. Kush më ashpër e kush më butë, por ama e kanë ‘shkrepur’ një qëndrim kritik.

Reagoi ashpër të mërkurën dhe raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos teksa deklaroi nga Tirana se është e keqardhur nga deklaratat e Athinës zyrtare për çështjen e Belerit. “Jam e keq ardhur për këtë lloj deklaratë nga Greqia. Aq sa di autoritetet gjyqësore po bëjnë punën e tyre është një çështje që lidhte me zgjedhjet dhe diçka e keqe që është bërë, duke qenë se nuk është mbyllur nga organet gjyqësore ndaj duhet të presim vendimin e gjykatës. Është një çështje në proces gjyqësor. Nëse të gjitha vendet do të sanksionin apo të bënin të tilla deklarata kur një shtetas i tyre përballet me një proces gjyqësor bota do të ishte e tmerrshme”.

Kanë reaguar dhe analistët politikë grekë e mediat greke, të cilat duke parë katandisjen e qeverisë së Mitsotakis në këtë gjendje, pa fuqi për të ndikuar tek Tirana zyrtare siç ka bërë shumë herë për t’i shkuar e vetja në përmbushjen e qëllimeve në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por dhe duke parë se këtë radhë në përplasjen me Shqipërinë për çështjen “Bejleri’ ka kundër SHBA, Britaninë dhe BE, si dhe duke parë se heqja e vetos nga ana e organizmave evropianë e ka lënë ‘zbuluar’ Athinën, i kanë bërë thirrje qeverisë greke që të ndryshojë qasje ndaj qeverisë së Tiranës. Ndoshta dhe formalisht të paktën, pasi përballë kanë një qëndrim të fortë dhe Shqipëria nuk është më ajo e para disa kohëve, kur ‘menaxhohej’ sipas ‘humorit’ grek me një kërcënim, me një fjalë në Uashington apo në Bruksel apo dhe me një ‘fshesë’ ndaj emigrantëve shqiptarë.

Por teksa përmendëm morinë e gjithë liderëve Perëndimorë dhe rajonalë që kanë reaguar ndaj presionit të Athinës ndaj Tiranës për “Belerin’, madje kanë artikuluar dhe akuza tepër të forta ndaj Mitsotakis si dhe BE ka marrë vendime të pamenduara më parë, duke hequr veton për zgjerimin dhe goditur Athinën në pikën e saj më të dobët, i vetmi që ka qëndruar i heshtur dhe s’ka reaguar ka qënë kryeministri i Kosovës, shtetit të dytë shqiptar në Evropë, Albin Kurti.

Nuk ka thënë asnjë fjalë deri më tani. Dikush mund të thotë se nuk do që ta prishë me qeverinë e Athinës. Dhe kështu mund të jetë. Dikush mund të thotë se i prishen pushimet e verës në ishujt e Greqisë. Dhe kjo qëndron, megjithëse mund të vijë dhe në Vlorë dhe të ‘rrezitet’. Dikush mund t’i bjerë shkurt dhe thotë se ka nevoja njeriu për të kryer, ka detyrime në familje, ka dhe qejfe për të bërë dhe nuk i jep llogari askujt për këtë. Dhe kjo nuk i mohohet asnjë individi.

Por ama Albin Kurti, përpos familjar, përpos kryetar i Vetëvendosjes, përpos ‘armik’ me Edi Ramën, është kryeministër i Kosovës dhe Shqipëria, do apo nuk do ai është shteti amë. Fundja është një shtet fqinj, me e pakta, që ka ecur goxha në rrugën e integrimit, dhe me një fjalë, i rreshtuar dhe me liderët e tjerë që nga SHBA, BE, Britania e deri tek ata të Ballkanit, mund ta bënte një kritikë sado të vogël ndaj Mitsotakis për presionin që po i bën Shqipërisë për ‘Bejlerin’.

Nuk besojmë se ajo darka informale në Athinë, ku Kurti mori pjesë ndërsa Rama nuk ishte ftuar nga Mitsotakis ia ka zënë ‘grykën’ sa të mos nxjerrë asnjë zë. Nuk besojmë që as armiqësia me Ramën t’ia ketë errur sytë sa të mos reagojë për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët u kërcënuan me veto dhe veprime të tjera nëse nuk lirohej nga burgu me urdhër politik “Bejleri”. Do të ishte e tepërt kjo. Fundja përmes kësaj heshtjeje, nuk merr as ndonjë njohje të Kosovës si shtet nga Greqia, pasi situata që po zhvillohet nuk po ecën në favor të kësaj gjëje.

Themi se pse ka heshtur Albin Kurti, pasi pikërisht kryeministri i Kosovës më se njëherë ka kërkuar përfshirjen e Tiranës zyrtare në anën e tij, në konfliktin e pashpjegueshëm që ai ka me çliruesit e Kosovës, SHBA-të, Britaninë dhe BE-në. Konflikt që nuk ka të bëjë aspak me cënim të integritetit të institucioneve të Kosovës apo vetë shtetit të Kosovës, pasi janë pikërisht këto vende aleate që e mbrojnë sovranitetin e saj. Janë mijëra ushtarë të KFOR në Kosovë.

E thënë me fjalë të thjeshta, “Bejleri’ në Shqipëri është varianti më i përafërt me Radojiçiçin në Kosovë, për të cilin qeveria shqiptare ka kërkuar arrestimin e menjëhershëm të tij dhe dhënien e llogarisë për të gjitha zullumet që ka bërë në veri të Kosovës, përpjekjet për serbizimin e veriut, duke akuzuar e kërkuar llogari Presidentit serb Vuçiç. Ndërsa Kurti asnjë reagim për “Bejlerin’ që kërkon helenizimin e tërë jugut të Shqipërisë, dhe mbi të gjitha jo akuzë, por asnjë kritikë ndaj Mitsotakisit për presionin që po i bën qeverisë së Shqipërisë që të lirojë nga burgu “Radojiçiçin’ shqiptar nga Progonati me urdhër politik.

Nuk dime si ta shpjegojmë për hir të së vërtetës, pasi çdo justifikim që na shkon nëpërmend për heshtjen e Albin Kurtit, nuk na rri mirë. Shpresojmë që të reagojë në të ardhmen. Sado vonë është, por ama më mirë vonë se kurrë. Jo se do i bëjë ndonjë punë Shqipërisë reagimi i kryeministrit të Kosovës ndaj homologut grek për presionin ndaj qeverisë së Tiranës. Thjeshtë për të parë se deri ku arrin inati dhe urrejtja e Kurtit, sa gjatë e mban atë. Dhe mbi të gjitha, për të vertetuar faktin se Kurti për një grusht vota ka izoluar Kosovën dhe vetë është thuajse ‘non grata’, jo më të futet në ‘siklete’ të tilla që njëherë të vetme të bëjë sikur mbrm Shqipërinë. Sa për ambicien për të qënë lider i shqiptarëve në rajon, atë e ha humbur me kohë e vakt. Por sikurse po duken bathët, po humb dhe lidershipin në Kosovë. Pavarësisht mbështetjes së ‘patriotëve’ të rrjeteve sociale./ JavaNews 

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pena: 29/03/2024 12:48

    Kurti dhe Beleri Jane e njejta monedhe, lexoni kronikat e kohes!

    Përgjigju
  • Po mër po: 29/03/2024 04:25

    Pa lidhje. Thuaj ndonjë gjë për Miçotaqisin, Rithemeleshin, dhe Floririn që blejnë vota me Fredis Bejleris.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja