Jakin Marena: Berisha ‘xhiroi bosh’ një vit, rikthim në pikën zero, pa kauza e alibi

Jakin Marena: Berisha ‘xhiroi bosh’ një vit, rikthim në pikën zero, pa kauza e alibi

Sali Berisha

Gjykata e Posaçme ka vendosur revokimin e masës së arrestit shtëpiak për Berishën, duke i lënë vetëm atë të “detyrim paraqitjeje”, masë që është marrë para një viti. Pra një ‘rikthim’ në vendimin e parë, atë për të cilën akuzohet Berisha, për ‘korrupsion pasiv’.

Tashmë Berisha do të jetë i lirë për të dalë nga shtëpia, për të shkuar në selinë e PD, për të bërë fushatë brenda  territorit të Republikës së Shqipërisë, për të takuar ndonjë njeri nëse i ka mbetur përtej ‘gardës së tij proteriane’ këtu në Tiranë. Mund të shkojë dhe në vilën e tij në Gjirin e Lalzit, nëse i është hequr sekuestro, ose nëse kërkon të bëjë të fortin Beriha.

Pra Berisha, sot ka dalë në liri, dhe i gëzon të gjithë këto të drejta të ligjshme për të lëvizur. Brenda territorit të Shqipërisë të paktën. Ama nuk duhet të harrojë atë datën e ‘bekuar’ të “detyrim paraqitjes’ para oficerit të SPAK, ku do të deklarojë emrin e babës Ram, emrin e nënës Shiqere, vendlindjen, vendbanimin, si është thirrur në rini dhe tashmë në pleqëri. 

Nuk ka bërë ndryshime shumë, nga Salih në Sali. Një gërmë është ‘ngrënë’ nga Berisha në këtë të shkretë emër, pasi ka ngrënë miliona e miliona euro e dollarë nga arka e shtetit të Shqipërisë apo dhe ka ‘ngrënë’ jetën e dhjetra e qindra qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, gjatë qeverisjes së tij.

Mund ta pyesin dhe ku ka punuar për herë të parë, çfarë punë bën apo larg qoftë ta pyesin kur do ta ‘hajë’ pensionin, për ta bërë Berishën që të ndjehet keq , sepse për të vitet janë thjeshtë numra. Në rastin konkret është një numër, 80-të, aq sa janë dhe vitet, plot tetë dekada në këtë jetë, që nga fundi i këtyre dekadave ua ka nxirë jetën shqiptarëve dhe tashmë demokratëve që i ka lënë përjetë në opozitë.

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, filluan mesazhet dhe ‘qokat’ e ithtarëve të tij, dikush sepse e ka të lidhur përjetësisht jetën politike me Sali Berishën, futet Flamur Noka në krye të listës, dikush për një mandat deputeti thjeshtë dhe vetëm për të qënë në Kuvend. Këtu i plotëson të gjitha ‘pikët’ Gaz Bardhi me ata të cilët lëvizën nga Basha duke kaluar “ylberin’ për të shkuar te Berisha. E për të gëzuar më pas vulën e logon e PD që u dha nga ana e Gjyqësorit shqiptar. Janë ‘kolaterale’ politike këto.

Për hir të së vërtetës e gëzuar është dhe gjyqtarja e Posaçme Flojera Davidhi e cila jo vetëm që nuk është ‘kryqëzuar’ për vendimin që mori, jo vetëm që nuk është shpallur pjesë e organizatës kriminale të prokurorisë dhe gjyqësorit dhe e komanduar nga Rama, por ka pasur ‘privilegjin’ e madh të quhet gjyqtare e lirë dhe e devotshme në shërbim të ligjit dhe Kushtetutës. Në fakt e ka merituar këtë vlerësim nga Berisha dhe të tijtë, pasi e nxori Berishën nga arresti shtëpiak. Për të gjithë ishte i papritur si vendim, por nuk i diskutojmë vendimet e gjykatave. I mbështesim  ato.

Që t’i rikthehemi rikthimit të Berishës në selinë e PD pas gati një viti arrest shtëpiak dhe ku nuk kishte shkelur pragun e selisë buzë Lanës, mund të thkesojmë se atë e pritën si hero, qëndrestar dhe si një politikan që kishte detyruar “qeverinë të gjunjëzohet”, drejtësinë të ‘bilbilojë’ pro tij, madje kishte tërhequr dhe Donald Trump në betejën e tij me drejtësinë, regjimin e Ramës e tërë kundërshtarët e tij këtu në Shqipëri, që nuk janë pak, janë gati 80 përqind e popullsisë shqiptare që kanë të drejtë vote në këtë vend, kreu i PD shpoalli sot fitoren e madhe mbi qeverinë socialiste, Sorosin dhe sorosianët.

Nuk po hyjmë në vlerësimet e mbështetësve të tij për të, si për ata që e duan dhe për ata që janë nxirë që doli nga arresti shtëpiak por që janë të detyruar të bashkohen me turmën duke brohoritur lirinë e Berishës. Nuk hyjmë sepse na kujtojnë atë kohë të largët para vitit 1990 e cila na ishte mjegulluar në kujtesë, kur vlerësohej udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Por këta në PD janë në hall dhe nuk kanë çfarë bëjnë, sepse në PD kështu ka qënë për jetë e mot: i duhet ‘krehur bishti’ kryetarit për të përfituar diçka në atë parti.

Por ama njëfarë analizë të lehtë, sa për ta ‘përtypur’ pa ndonjë ‘krisje’ të madhe dhe demokratët e thjeshtë është e udhës ta bëjmë, pasi po shohim se po bën dhe Berisha sikur po e beson se ka shënuar një fitore të madhe me daljen e tij prej arrestit shtëpiak. Po e beson edhe vetë ndoshta, ose bën sikur e beson, për të karikuar ata pak njerëz që i kanë mbetur. 

Për hir të së vërtetës Berisha nuk ka fituar asgjë më daljen nga arresti shtëpiak. Si në aspektin juridik ashtu dhe në atë politik, rezultati për të ditën e sotme dhe pas vendimit të Gjykatës së Posaçme është një zero. 

Dikush mund të na akuzojë se jemi mërzitur se doli Berisha në liri, dikush tjetër mund të na cilësojë si njerëz të fiksuar kundër tij, dhe që vuajmë nga dëshira për ta parë atë në arrest shtëpiak. Për hir të së vërtetës kam qënë dhe jam kundër arrestit shtëpiak për Berishën. Madje unë nuk do dëshiroja që individi Berisha të ishte në arrest në këtë moshë. Për politikanin Berisha mendoj ndryshe, Shumë ndryshe.

Unë jam për arrest me burg me tamam, në qeli, nëse gjykata i pranon si të vërteta provat dhe faktet e SPAK për korrupsion për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, pranon si të mirëqena provat dhe faktet për ’21 janarin’, “Gërdecin”, aferën CEZ-DIA, pasurimin e paligjshëm dhe akuza të tjera që Berisha ka në kurriz. Në kokërr të burgut të shkojë, aty e dua atë dhe të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e shtetit, në cilindo krah politik qofshin, apo më keq kanë bërë korrupsion të përgjakshëm kur për t’u pasuruar kanë sakrifikuar dhe jetë njerëzish. Për këto po. Dhe mbi të gjitha t’i kthejnë lek më lek të gjitha ato që kanë vjedhur e grabitur nga arka e shtetit.

Praktikisht Berisha është çliruar nga akuza e thyerjes së vendimit të Gjykatës për ‘detyrim paraqitje’ në SPAK. Pra sipas vendimit i është revokuar kjo masë sigurie, për t’u rikthyer tek masa e parë. Nëse e thyen sërish masën e ‘detyrimit të paraqitjes’ Berisha shkon prap në arrest shtëpiak. Ama nuk është çliruar as nga akuzat për korrupsioin pasiv në favor të dhëndrit të tij që përfitoi me mbështetjen e vjehrrit kryeministër plot 54 milionë euro me vetëm 120 metra tokë truall në Tiranë, dhe ai i diskutueshëm. Apo për akuzat e tjera ku vijon hetimi dhe ka dosje të hapuara në SPAK. Që për hir të së vërtetës po bën punë shumë të mirë dhe shumë profesionale.

Në fund të herës Berisha është rikthyer në pikën e nisjes, aty ku ishte para një viti, me ‘detyrim paraqitje’ para oficerit të SPAK. E thënë në terma politikë, Berisha nuk ka fituar asgjë gjatë tërë këtij viti sakrifice për një vendim të mbrapshtë të tij kundër vetes për shkak se nuk njohu vendimin e gjykatës, duke ‘xhiruar bosh’ për një vit, dhe duke u rikthyer në pikën e nisjes. Pikërisht 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare të majit të vitit të ardhshëm. Praktikisht Berisha mbetet person nën hetim për disa dosje të rënda dhe nuk ka hequr asnjë ‘gram’ akuzë nga kurrizi për një vit rresht, pavarësisht se ‘preu thumba’ në arrest shtëpie për fajin e vet një vit rresht.

Në vend që të ishte marrë me riorganizimin e PD, me ngritjen e strukturave në bazën tepër të shkatërruar të kësaj partie, Noka nuk e ka takatin për këtë punë, po ashtu as Bardhi, ky i fundit nuk ka as dëshirë për këtë punë, Berisha humbi një vit kot në arrest shtëpie, duke dalë çdo pasdite në dritaren e shtëpisë së vet për të folur para një turme që shterronte çdo ditë, duke organizuar ‘mosbindje civile’ nëpër kryqëzime rrugësh, ku u ka plasur shpirtin qytetarëve, dhe krijuar një situatë të rëndë mbështetje ku dhe ata që nuk votojnë Ramën, janë të betuar se nuk votojnë as Berishën, mbështetësit e të cilit ua kanë nxirë jetën shumë herë nëpër kryeqëzime rrugësh. Mosbindja civile është keqkuptuar, rëndë nga mbështetësit e Berishës, me urdhër të Berishës, është drejtuar kundër qytetarëve në vend që të drejtohej kundër kundërshtarëve politikë. Po punë këllqesh kjo.

Nga ana tjetër Berisha humbi dhe kauzat tashmë, që mund t’i përdorte në zgjedhje për të marrë ndonjë votë, nëse do të prekte ‘telat’ e zemrave të shqiptarëvë të dobët me viktimizimin e tij si i ‘arrestuar i regjimit të Ramës’. PD nuk mund të protestojë dhe as të hyjë në fushatë me ‘barrën’ e kryetarit nën arrest. Nuk qajmë hallin e bluzave që mbante sidomos Muli ku shkruhej thirrja për lirimin e Berishës. Kreu i PD tashmë e ka të lirë ‘shtegun’ për t’i rënë kryq e tërthor Shqipërisë, ndonëse akush nuk e ka menduar të quajë Berishën të ardhmen e vendit, aq më tepër të tij. Mosha dhe konsumimi politik nuk e lejojnë këtë ‘luks’. Është i tepërt. Këtu futet dhe rënia e alibisë së humbjes së zgjedhjeve. Ishte përgatitur kjo ‘recetë’ për demokratët pas humbjes së thellë të paralajmëruar në zgjedhje, duke përdorur arrestin shtëpiak të Berishës. Tashmë duhet të ‘shtrëngohet’ dhe të gjejë alibi tjetër kreu i PD, ia ‘dogjën’ këtë mundësi të artë.

Berishës i ka rënë dhe kauza e luftës kundër përdorimit të drejtësisë nga Edi Rama. Pasi me këtë drejtësi, e cila për hir të së vërtetë nuk pyet as për Ramën të cilit i ka futur një pjesë të mirë të qeverisë dhe të grupit parlamentar në burg, si dhe shumë kryetarë bashkish të PS, Sali Berisha ka marrë vulën dhe logon e PD, që shumica e shqiptarëve e mendojnë se nuk i takonte, pavarësisht se kjo shumicë shqiptarësh nuk i diskuton vendimet e drejtësisë, si dhe ka marrë pjesërisht pro vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetueses apo dhe të Gjykatës së Posaçme. 

Berisha nuk ka skrupuj, e akuzon prap SPAK-un dhe gjyqësorin nëse merr vendime që nuk i shkojnë për shtat. Por ama në sytë e qytetarëve duket shëmtuar, kur vlerëson gjyqtarët me standarde të ndryshme: i quan heronj për vendimet pro tij, kriminelë kur nuk marrin vendime që i pëlqejnë Berishës. Pavarësisht se drejtësia në të dyja rastet respekton ligjin dhe Kushtetutën.

Sa për pjesën e mbështetjes ndërkombëtare që po përmend Berisha dhe ithtarët e tij, janë dy rezoluta që kanë mbështetur zgjedhjet e lira në Shqipëri. Të gjithë bëjnë thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme, madje dhe Albana e Damiani bënë thirrje në SHBA për zgjedhje të lira presidenciale në Amerikë këtë herën e fundit teksa ishin atje. Mbi të gjitha janë parti të djathta që bëjnë thirrje për të drejta të barabarta për një parti të djathtë anëtare ose të asociiuar në këto dy grupime të djathta.

 PPE-të bëjnë thirrje partiake si grupim i djathtë për një parti të djathtë si PD, siç bëjnë dhe socialdemokratët e socialistët evropianë thirrje për PS-në shqiptare. Urojnë dhe fitore për partitë anëtare respektive. Por ama nuk kërkuan as daljen nga arresti të Berishës PPE-të me gjithë lobimin e Belerit, nuk kërkuan as presionin ndaj drejtësisë për t’i hequr akuzat. Dhe as për t’i hequr ‘non gratën”. Kjo është e vërteta e ‘mbështetjes së madhe ndërkombëtare’ që thotë Berisha.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

GJKKO i hoqi 'arrestin shtëpiak' Berishës, Kthupi në Repolitix: Praktikë gjyqësore, dosja ka shkuar për hetim, Berisha nuk prish më provat! Gazetari: Bien akuzat e PD për kapje të drejtësisë

GJKKO i hoqi 'arrestin shtëpiak' Berishës, Kthupi në Repolitix: Praktikë gjyqësore, dosja ka shkuar për hetim, Berisha nuk prish më provat! Gazetari: Bien akuzat e PD për kapje të drejtësisë