Jakin Marena: ‘Rëndësi ka pjesëmarrja’, slogani i Berishës dhe PD për 2025

Jakin Marena: ‘Rëndësi ka pjesëmarrja’, slogani i Berishës dhe PD për 2025

Sali Berisha ka emëruar drejtuesit e fushatës elektorale të PD dhe të deleguarit e kësaj partie në të gjitha qarqet e vendit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka, i ndihmuar dhe nga kreu i Këshillit Kombëtar të kësaj partie Edi Paloka, do të jenë dyshja që do marrë në dorë drejtimin e fushatës, në mungesë të Berishës, i cili është nën arrest shtëpiak dhe direktivat i jep nga maja e ballonit të pallatit të tij në katin e tetë.

Ndërkohë që ka shpërthyer një debat i fortë brenda PD se çfarë pune ka Gaz Bardhi në Fier si i deleguar i PD, përderisa ai gjithë aktivitetin e tij njerëzor dhe politik e ka pasur në aksin Kavajë-Elbasan. Mund t’i hiqej Elbasani, sipas zërave në PD, pasi në zgjedhjet e kaluara u shkaktua gjakderdhje me pasojë vrasjen e një veprimtari socialist, Pjerin Xhuvani, dhe dërgimi sërish aty i Bardhit mund të shkaktonte përshtjellim. Mund të caktohej diku tjetër, por jo në Fier për të zemëruar deputetin ithtar të Berishës, Luan Baçin që ka mbajtur peshën e Rithemelimit këto vite në kryeqendrën e Myzeqesë.

Ndërkohë që ka shkaktuar debat dhe emërimi i Luçiano Boçit si drejtues politik në Shkodër, ndërsa vendin e tij në Elbasan e ka zënë Ervin Salianji. Shkodra kishte Bardh Spahinë që i dha ‘oksigjen’ Berishës me fitoren e tij në bashkinë e Shkodrës në mars në zgjedhjet e pjesëshme të zhvilluar dy vite më parë, duke e mbajtur “Foltoren’ në lojë, derisa mori tërë partinë.

Gjithashtu debat ka shkaktuar dhe riemërimi i Tritan Shehut në Gjirokastër, fshirja e Tomor Alizotit në Berat dhe emërimi në vendin e tij i Eno Bozdos, mënjanimi i Edmond Spahos në Korçë dhe zëvendësimi i tij me Ivi Kason, largimi i Jozefina Topallit nga Lezha dhe rikthimi i Agron Gjekmarkajt. Ndërkohë që në Durrës është lënë sërish Oerd Bylykbashi, me shpresën se mund të ‘thithë’ ndonjë votë socialiste, të paktën nga familja e tij.

Ndërsa kryeqytetin ia kanë besuar një humbësi funksional dhe të akuzuari brenda PD për ‘flirte’ me përfaqësues të mazhorancës, Belind Këlliçi, i cili vetëm në zgjedhjet e fundit për kryetar bashkie në kryeqytet humbi me një diferencë prej mbi 60 mijë votash përballë rivalit socialist. Pjesa tjetër nuk ia vlen të diskutohet.

Pra po bëhet debat, për këto emërime më të fundit të Berishës, i cili i gjendur në vështirësi nga mungesa e mbështetjes dhe gjetja e besnikëve për të mbuluar të gjitha qarqet por dhe fushatën zgjedhore për garën elektorale të vitit të ardhshëm, si dhe stabilizimin e të ardhurve të minutës së fundit nga grupi i Bashës, që gjithsesi i nevojiten për qëllimin e tij përballë drejtësisë që p[o e heton si dhe ndërkombëtarëve, është munduar të gjejë një zgjidhje të mesme.

E themi këtë, sepse emërime janë këto të shkretat, si gjithnjë në PD, parti në të cilën nuk njihen zgjedhjet normale, teksa dhe struktura të tjera që janë e drejtë e forumeve të PD për t’u zgjedhur, janë emëruar nga Berisha, duke filluar nga Gaz Bardhi e vijuar me të tjerët.

Duke parë me detaje listën e Berishës për strukturën kapilare të drejtimit të fushatës zgjedhore të vitit të ardhshëm, nga qendra në bazë, ajo që vihet re me sy të lirë është se janë pikërisht të gjithë humbësit funksionalë të të gjithë këtyre viteve në krye, duke filluar nga “dueti’ Noka-Paloka, dy nga më besnikët e Berishës ata që do të drejtojnë fushatën, duke treguar qartë që kreu aktual i PD më shumë se sa për fitoren në zgjedhje përballë Ramës, është i interesuar për vazhdimësinë e drejtimit dhe mbajtjes nën kontroll të kësaj partie, të cilën e ka pronë. Madje tregon dhe një mungesë të theksuar serioziteti për fushatën zgjedhore, të cilën e quajnë të mbyllur pa nisur ende me sa duket! 

Berisha e di fort mirë se me drejtues fushate binomin Noka-Paloka, PD sado përpiqet me të tëra mundësitë, nuk do të marrë rezultat të ndryshëm nga zgjedhjet paraardhëse. Përkundrazi, kuotat politike pritet të ulen akoma më shumë, përderisa në PD nuk ka frymë, ndërkohë që poshtë në bazë ka plasur sherri mes qëndrestarëve të Berishës që ishin që në krye të herës me të, dhe atyre që kaluan “ylberin’ politik, duke lëvizur nga Basha drejt Berishës, thjeshtë e vetëm për një karrige deputeti.

Shtuar këtu dhe këto ‘përbetimet’ e Palokës që do të dorëzojë mandatin e deputetit nëse PD nuk fiton zgjedhjet e vitit të ardhshëm, që tani kjo parti është ‘minus Paloka’, nëse ai e mban fjalën. Gjë të cilën asnjëherë nuk e ka mbajtur.

Pra PD hyn në fushatë me njerëz që kanë zënë kupolën drejtuese, të cilët janë të ‘certifikuar’ si humbës tërë këto vite, nuk shkojnë me njëri tjetrin, madje u dhembin sytë e nuk e shohin njëri tjetrin me sy, për të bindur elektoratin që t’u japë votën. Pa përjashtuar këtu faktin se nga trungu i PD kanë dalë dhe po dalin parti të tjera të reja, duke filluar me atë të Agron Shehajt, vijuar me atë të Enkelejd Alibeajt për t’u ndalur tek partie në ‘inkubator’ e Lulzim Bashës i cili është në pritje të Gjykatës së Lartë për të vendosur sërish për vulën dhe logon e PD, pas rekursit të bërë kundër vendimit të Apelit që ia kaloi Berishës këto ‘elementë’ regjistrues të partisë më të madhe opozitare.

Pra nga ajo që shohin, PD po mobilizohet thjeshtë dhe vetëm për të hyrë në zgjedhje, sepse e ka të sigurtë humbjen përballë Edi Ramës dhe PS në garën elektorale të vitit të ardhshëm. Këtë e tregojnë dhe deklaratat kapitulluese që kanë shoqëruar gjatë tërë këtyre ditëve lidershipin e PD duke filluar nga Berisha në majë të ballkonit, ku deklaron se “Rama do t’i blejë zgjedhjet”, ‘nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër” si dhe kërkesa për qeveri teknike, e deri tek vartësit e Berishës të cilët herë bëjnë thirrje për rrëzim me dhunë, herë me revolucion, paçka se nuk mbledhin dot askënd në protestë. Shtuar këtu dhe qëndrimi i dyzuar i Bardhit, i cili kërkon nga mazhoranca që ta respektojë opozitën aktuale, pasi nuk janë armiq me njëri tjetrin.

Pra më shumë se sa përgatitje për zgjedhje të PD dhe opozitës, më shumë se sa besim për fitore në zgjedhjet, Berisha dhe të tijtë po mundohen të gjejnë një alibi të fortë për humbjen e sigurtë që pritet të jetë dhe e thellë, në zgjedhjet e ardhshme.

E themi këtë referuar situatës në të cilën gjendet PD, e cila ka rikthyer në krye një 80 vjeçar që jo vetëm nuk ka asgjë për të dhënë më në krye të kësaj partie, por është dhe subjekt i rëndshëm i drejtësisë së re për korrupsion madhor si dhe ‘non grata’ nga SHBA e Britani për korrupsion, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me krimin e organizuar.

Të gjitha sondazhet serioze tregojnë një humbje të thellë të PD e opozitës, tregojnë se lidershipi opozitar është më i urryeri nga qytetarët, dhe alibia për blerjen e votës nga ana e mazhorancës lë shumë pak vend për t’u besuar nga shqiptarët. Pasi gjithkush në Shqipëri e kupton se dhe sikur të ketë tërë mendjen e mbrapshtë të Zotit kjo mazhorancë për të blerë votat, s’ka pse harxhon kokërr leku për këtë punë, pasi fitoren e thellë e ka të sigurtë përballë Berishës dhe kësaj opozite të shpartalluar.

Ia ka mundësuar Berisha, lidershipi aktual i opozitës këtë fitore Edi Ramës dhe PS, përmes vetë-shkatërrimit të PD dhe partive opozitare, shuarjes së frymës në këto parti, shuarjes së të gjithë elementëve ripërtëritës në këto parti, emërimet familjare në PD dhe më tej. Përfshirë këtu dhe Ilir Metën, aleatin në letër të Berishës, i cili megjithë ‘eskursionet’ e vazhdueshme nëpër male dhe përrenj, nuk ka sjellë asnjë rritje mbështetjeje në Partinë e Lirisë. Përkundrazi.

Prandaj, rënia në këto kuota tepër të ulta politike të PD dhe opozitës, tregon qartë se humbja është e sigurtë përballë mazhorancës socialiste, e cila jo vetëm që ka të sigurtë fitoren e mandatit të këtërt por kërkon thjeshtë e vetëm të kalojë numrin 84 të mandateve për shumicën e cilësuar në Kuvend.

Berisha, PD e opozita hyjnë në zgjedhje me sa duket vetëm për të plotësuar detyrimin kushtetues për pjesëmarrje dhe jo bojkot, të cilin e provuan me zgjedhjet vendore dhe s’fituan asgjë. Prandaj për opozitën e drejtuar nga Berisha s’ka rëndësi rezultati, ‘rëndësi ka pjesëmarrja’. Ky do jetë me sa duket ‘slogani’ i ri i Berishës, PD dhe opozitës për zgjedhjet e vitit 2025. E dhimbshme por e vërtetë, kjo është një humbje e paralajmëruar. Dhe nga vetë Berisha.

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër