Kur të shtunën po shihnim live mbërritjen e makinave të diasporës në pikat kufitare shqiptare në Shkodër, vumë re një ngërç të fortë të organizatorëve të protestës, përsa i përket qëndrueshmërisë së numrave të deklaruar! Pasi bëhej fjalë për 35-40 makina që kishin udhëtuar të mbuluara me flamurin kuqezi, dhe dihet sa është numri, dhe sikur të jenë dingas dhe mbi normën e lejuar!
Në fillim justifikimi ishte real, se helbete, pushimet në Evropë janë kryesisht në muajin gusht, dhe nuk është se këta të diasporës tonë i kemi drejtues të korsorciumeve dhe kompanive të fuqishme nëpër botë, që mund t’i lejojnë vetes luksin e dhënies së lejes, po vetes! Ne e dimë ku punojnë emigrantët tanë, kemi dhe ne njerëzit tanë nëpër botë të cilët bëjnë punën më të nderuar, duke dhënë dhe kontributin më të çmuar për familjet e tyre, atje ku jetojnë e këtu në atdhe!
Por ama kur dëgjuam më pas nga ana e disa prej organizatorëve të vetëdeklaruar justifikimin se kolona e diasporës ishte ndarë në dy pjesë, për arsye se kishin frikë se do të ndaleshin në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe se shumica kishin udhëtuar përmes Serbisë për të mbërritur në Kosovë e më pas në Shqipëri, sikur u ‘thyem’ pak! Se mund të akuzosh për gjithçka shqiptarin, por ama për budalla, kurrë! E akuzon si të keqin e vetes, po, por aspak për budalla!
E themi këtë sepse as në ëndrrën më të bukur, makinat e mbuluara me flamurin shqiptar kuqezi dhe shqiponjën dykrenare, nuk mund të parakalojnë në mënyrë demonstrative përmes Serbisë! Ta harrojnë dhe optimistët më të çmendur! Madje serbët të kontrollojnë deri në detaje se mos e ke fshehur në bagazh, nëpër çanta apo në kroskot! Nëse ky udhëtimi ‘epik’ nëpër Serbi i këtyre ‘patriotëve’ me flamurin kombëtar mbi makina ka ndodhur, atëherë duhet që këta organizatorët të na shpjegojnë se çfarë kompromisi kanë arritur, sa e kanë shitur b... andej nga serbi, apo ka ndërhyrë dikush me autoritet nga Kosova që të lejohet ky kalim i lirë etj! Duhen shpjeguar këto! Se nuk mund të vijsh përmes Serbisë, me kompromis me Serbinë, për të ‘çliruar’ Shqipërinë nga Rama! Është absurditet dhe ta mendosh, jo më që ta shesësh si të vërtetë!
Se po na konvergojnë shumë gjëra me këtë rast, pasi njëri prej të deklaruarve organizatorë të ‘Revolucionit Flamingo’ në Tiranë, deklaroi publikisht se “ka grupe greke e serbe në protestë, do t’i nxjerrim me emra”! Po na dalin të lidhura këto gjëra dhe duhen zbardhur. Pasi vetë fakti se, megjithëse e pranojnë se ka grupe nga Serbia, Greqia por dhe grupe islamike që tentojnë të realizojnë axhendat e tyre, të fshehur në radhët e kësaj proteste paqësore, madje po i japin tonin protestës duke tundur flamurin kuqezi dhe vënë qeleshen mbi sy, ndërsa nuk i përjashtojnë nga tubimi apo maksimumi s’bëhen vegla të tyre, dhe nuk marrin masa, deri në pushim një ditë sa të qartësohen dhe pastrohen gjërat, tregon se po u vjen ‘ëmbël’ nga pjesëmarrja e tyre në protestë!
Dhe që të rikthehemi tek ‘diaspora’ që erdhi këtu në Shqipëri për të protestuar, duke udhëtuar me makina të mbuluara me flamurin kuqezi përmes Serbisë, përmes Kosovës, madje duke shtuar dhe ata që kanë ‘prerë biletë vetëm ardhje’ sipas organizatorëve, pra që kanë bërë ‘def’ punën në emigracion, familjen atje dhe këtu në Shqipëri, vetëm e vetëm për të marrë pjesë në protestën shumëngjyrëse, amorfe, pa kokë e pa këmbë dhe me pak shanse për të arritur ndonjë qëllim këtu në Tiranë, faktet treguan se ishin në masën 99.999 përqind nga Kosova, RMV e trojet shqiptare!
“Diaspora’ jonë nga Kosova, me këta anëtarët dhe mbështetësit e Vetëvendosjes, të cilët nën thirrjen e drejtuesve politikë të tyre që kanë qënë ‘non stop’ në Tiranë për organizimin dhe shumëfishimin e protestës, përmendim për ilustrim Elvis Hoxhën që është dhe këshilltar i Albin Kurtit dhe Hysamedin Ferrajn ‘gurunë’ e islamit politik tek Albini, mbërriten mëngjesin e së shtunës në Shqipëri dhe u shpërndanë në Shëngjin, Velipojë, Tale dhe Durrës duke u ‘rrezitur’ dhe bërë plazh. Thuhet se kishin marrë dhe bukë me vete, pasi në këtë mënyrë e kanë bërë plazhin në fundjavë vëllezërit tanë nga Kosova! Dhe pas dreke, pasi hoqën rrobat e plazhit dhe u ‘armatosën’ me flamuj kombëtarë e qeleshe, ndonjë parullë të shkruar shpejt e shpejt, me makina dhe autobusë mbërritën në Tiranë, për të pritur orën 19.00, ora e caktuar për të nisur tubimin e madh në kryeqytet për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama e për ta ‘futur në burg’! Me gjysmë zëri dhe dhimbje në zemër fusin për të qënë në rregull me protestën, dhe Sali Berishën, kreun e PD dhe të opozitës shqiptare, si kontigjent për ta mbyllur në burg!
Nga ana tjetër, të favorizuar dhe nga ndërtimi i rrugës së Arbrit, po Vetëvendosja nga Maqedonia e Veriut si dhe VLEN në qeverisje me Mickoskin, të dyja këto bashkë arritën që shqiptarët në RMV t’i shfaktorizonin në atë farë feje deri në humbjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare apo vendosjen e emrit të Titos në Tetovë (Marshall Tëjta, quhej në atë kohë nga shqiptarët ish udhëheqësi komunist) pa bërë as gëk e as mëk kundër Miackoskit, të cilin edhe vetë Kurti e ka shumë xhan, të drejtuar nga zyrtari më i lartë i këtij grupimi politik shqiptar në vendin fqinj, kanë mbërritur dhe ata në Tiranë, për të protestuar dhe kërkuar rrëzimin e Ramës nga qeveria!
Kështu, të gjitha palët, nga Kosova, RMV, duke shtuar dhe shqiptarët nga Mali i Zi, ku kanë ndikimin Albin Kurti dhe Vetëvendosja (Kurti është nga Vladimir i Malit të Zi për ata që nuk e dinë) e mbi të gjitha dhe shqiptarë me dy emra nga vendi ynë fqinj Greqia, kanë mbërritur në kryeqytetin e kombit shqiptar në Ballkan, për të rrëzuar qeverinë e vetme në rajon që ka stabilitet dhe është bërë qendër e rajonit për sigurinë, e vlerësuar dhe nga aleatët tanë të mëdhenj, stabilitet e siguri që ndikon për mirë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjithë shqiptarët! Sipas parimit të vjetër shqiptar ‘unë nuk dua dhuratë shtëpi për shërbimin, dua vetëm t’i rrëzosh shtëpinë që i dhurove vëllait tim’, njerëzit e Kurtit në Kosovë dhe të VLEN në Maqedoninë e Veriut udhëtuan drejt Tiranës, për të ‘mbrojtur’ Shqipërinë nga Edi Rama. A thua Rama është pushtuesi, jo i zgjedhuri me votë për të qeverisur, as më pak dhe as më shumë se një vit më parë!
Tani duhet të sqarojmë sipas versionit tonë disa gjëra fare të vogla, por shumë thelbësore, për të qënë korrektë në fillim me veten, pastaj me shqiptarët në Shqipëri, dhe më pas dhe me vëllezërit tanë shqiptarë në rajon, të cilët janë në shtetet e tyre, në Kosovë shtet më vete, në Maqedoninë e Veriut si etnitet shtetformues sëbashku me maqedonasit dhe në Malin e Zi po në të njejtin model!
Po! Jemi vëllezër të një gjaku, kemi të njejtën traditë, të njejtën rrugë zhvillimi, të njejtat këngë, zakone, qajmë dhe këndojmë shqip, kemi të njejtët heronj, dhe mburremi me ta, kur nuk na hyn ndasia në mes! Madje bëjmë dhe të njejtat gomarllëqe, ku më pak dhe ku më shumë! Por ama, jemi vëllezër të ndarë, pa dëshirën tonë për hir të së vërtetës, në shtete të ndryshme në rajon! Kemi ndihmuar dhe vetë në këtë ndarje, herë duke thirrur në momente historike ‘duam baba dovletin’, herë duke ia futur njëri tjetrit! Ama fuqitë e mëdha na ndanë, kemi një kufi mes nesh!
E thënë më shqip, jemi vëllezër por që jemi të ndarë, kemi secili ‘kullën’ e vet, i kemi futur dhe me kërkesën e fuqive të mëdha por dhe si rregull ndërkombëtar një gardh(kufi) mes dy vendeve tona, dhe mblidhet secili çdo natë me familjen e vet, brenda shtëpisë së vet! Marrim e japim me njëri tjetrin si vëllezër, ndihmojmë njëri tjetrin në raste të vështira si vëllezër, por ama në fund të ditës, leckat dhe kockat i mbledh në shtëpinë e vet gjithsecili vëlla! Ligji i jetës ky!
Nuk është e udhës që vëllai të ndërhyjë dhe të thotë, ‘rrëzoni zotin e shtëpisë se kështu dua unë’, të fusë spicat tek njerëzit e tjerë të familjes, duke mbështetur herë njërin e herë tjetrin, për të rrëzuar të parin e shtëpisë! Pra vëllain tënd nga gjaku që të është gjendur në të mirë e në të keq, sa herë ka pasur nevojë! Nëse nuk arrin t’i pajtosh, lëri ta zgjidhin vetë problemin në familjen e vëllait! Por ka akoma më keq! Të të vijë vëllai dhe të qëndrojë në shtëpi, si te vëllai me një fjalë, por në vend që të rrijë e të sillet si vëlla, fillon e godet miqtë dhe shokët, bashkëpunëtorët në biznes apo aleatët e mëdhenj që vëllai ka zgjedhur, mirë apo keq puna e tij, jo nga frëngjia e shtëpisë së vet, por nga frëngjia e shtëpisë së vëllait! Kjo është paburrëri, është legenllëk dhe maskarallëk!
Kështu ndodhi në protestën e organizuar në Tiranë, ku vëllezërit tanë shqiptarë të VV, nga Kosova, të VLEN nga Maqedonia e Veriut, apo ‘bashkëfshatarët’ e Albinit nga Mali i Zi, të mbështetur dhe nga grupe të caktuara, sipas organizatorëve, serbe, islamike dhe greke që ishin me ta apo që i gjetën dhe në Shqipëri, të armatosur me flamurin kombëtar dhe me qeleshe me shqiponjë, krijuan situata të pakëndshme, deri dhe thirrje për të rënë shehid (dëshmor) në përpjekjen për rrëzimin e Ramës, i cili po e kthente Shqipërinë sipas tyre, në një Gaza të dytë, duke ua dhënë izraelitëve! Mot a mot si ajo parada në Prizren, javë më parë, teksa imitoheshin kohët e ‘arta’ të pushtimit osman! Duke bashkuar zërin dhe me këta radikalët shqiptarë të Shqipërisë, që bëjnë ‘duanë’ e Iranit, Gazës dhe vendeve të islamit radikal!
Për më tepër që na morën erzin duke na fëlliqur me miqtë tanë, hebrejtë, të cilët i shpëtuam gjatë luftës së dytë botërore duke krijuar procedentin më pozitiv të besës së shqiptarit, mbështetje që Izraeli na e ktheu vit pas viti, që me njohjen e shtetit të Kosovës e deri në zgjerimin e aleancës strategjike me Shqipërinë! Dhe çfarë ndodhi! ‘Shehidët’ në mbrojtje të Gazës dhe vendeve të tjera radikale islamike, që Kosovën as që e kanë njohur e as do ta njohin kurrë si shtet, mbështetën dhe ngjitën tek ambasada izraelite në Tiranë, një vajzë me maskë, dhe ajo ‘shehide’ moderne, për të shkulur flamurin e këtij vendi aleat! Duke krijuar një precedent të rrezikshëm, duke tentuar për të na minuar aleancat me aleatët tanë, Izraelin por dhe SHBA-në, pasi, shumë nga këta vëllezërit tanë thërrasin më fort kundër Trump dhe akuzojnë Ramën se ka shitur tokë tek vajza dhe dhëndri i Trump, ngrenë në ‘qiell’ Albin Kurtin se nuk lejon asgjë amerikane të ‘qarkullojë’ në Kosovë! Desh harruam, lejon vetëm ushtarët e KFOR për ta ruajtur Kosovën!
I thamë të gjitha këto,për të treguar se vërtetë jemi vëllezër, por ama secili në shtëpinë e vet! Pasi nuk mund të përcaktojë se kush do ta drejtojë shtetin shqiptar, dikush shqiptar nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut e Presheva! Kanë shtetet e veta! As shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë punë të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës, askujt nuk i shkon mendja këtej kufirit për të protestuar kundër Albin Kurtit, përballë zyrës së tij kryeministrore, duke kërkuar rrëzimin e tij si kryeministër i zgjedhur me votat e qytetarëve të Kosovës! Pavarësisht se shumica këtu në Shqipëri, jemi të bindur, nuk e do Kurtin kryeministër, sepse e ka izoluar Kosovën, ka futur përçarjen ndër shqiptarë dhe mbi të gjitha e ka lënë vendin këtu e dy vite pa qeveri! Por ama, askush nuk e çon në mendje të shkojë nga Shqipëria të protestojë në Prishtinë për rrëzimin e kryeministrit! Madje dhe të bëjë skena patriotizmi para institucionit! Për lirimin e Thaçit po!
Larg qoftë në protestat e vjeshtës në Kosovë për ligjin për shtetësinë që pas 5 vitesh do ta kthejë Lëvizjen Serbe në parti të dytë në vend, pasi bëhen shtetas të Kosovës e gjithë trupa pushtuese serbe e vitit 1998, përfshi dhe armatën e gjashtë që ishte aty si pushtuese, trupat paramilitare të Arkanit dhe policinë që mbante nën kontroll Kosovë dhe trashëgimtarët e tyre, apo në protestën kundër anti-amerikanizmit të Kurtit, vjedhjes masive deri dhe rezervat e grurit dhe të vajit, si dhe ambasadorit të Kosovës që akuzohet për abuzim me energjinë përmes Serbisë, Martin Berisha, askujt të mos i shkojë mendja se do të shkojnë shqiptarë nga Shqipëria me qeleshe dhe flamur për të mbushur sheshet e Prishtinës e të thërrasin për rrëzimin e Kurtit, e larg qoftë të shkulin flamujtë e ambasadave të akredituara në Kosovë! Nuk shkohet as nëpër mend një gjë e tillë! Pavarësisht se në Shqipëri ka me shumicë mbështetës të PDK, LDK apo AAK!
Ne shqiptarët e Shqipërisë, i kemi kryer sa herë ka qënë nevoja detyrimet ndaj vëllezërve tanë në Kosovë, RMV, Malin e Zi e Preshevë! Madje i kryejmë dhe do t’i kryejmë gjithmonë! Nuk po përmendim ato para vitit 1945! Por përmendim vetëm detyrimet e kryera si vëllezër pas vitit 1990, që me stërvitjen e ushtarëve të luftës për liri në bazat tona ushtarake, me mbështetjen e UÇK me armë, ushqime dhe logjistikë, madje dhe duke qëlluar për matanë kufirit për të hapur rrugën e tyre drejt lirisë. Ma sa mundëm dhe fuqi që kishim! Pritëm gati 1 milionë vëllezër shqiptarë të Kosovës, të deportuar nga okupatori serb nga vendlindja e tyre, Kosovë! I strehuam, i ndihmuam nëpër të gjitha familjet shqiptare, pa kokërr leku! Me atë varfërinë tonë, por me zemër të bardhë! Si detyrim ndaj vëllezërve të një gjaku! E kanë bërë pa dallim të gjithë shqiptarët e “Shqipërisë londineze”, gjë që e bëjnë dhe sot, dhe nesër larg qoftë, në momente të vështira! Shqipëria dha dhe mbi 100 dëshmorë në luftën e Kosovës, të cilën e nderojnë dhe sot!
Pavarësisht se tashmë në Kosovë është bërë ‘sport kombëtar’ denigrimi i kësaj lufte të UÇK, luftëtarëve të UÇK, komandantëve që janë në Hagë, duke mbërritur deri aty sa të bëjnë dhe dëshmi për krime lufte kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit! Madje dhe zyrtarë të lartë, a thua nuk u ‘dilnin’ ish komandantëve akuzat e serbëve, ku dosjet e Hagës u mbushën me të dhënat e tyre! Madje ngrihesh dhe në detyrë, bëhesh deputet dhe bën karrierë me VV në Kosovë nëse flet kundër luftës, UÇK, akuzon për bashkëpunim me Serbinë deri Ramush Haradinajn, dy vëllezër të të cilit dhanë jetën në luftë, apo deri dhe Thaçin e ish luftëtarët e tjerë! Megjithëse që në kohën e luftës ishin këto simptoma, na e thanë që më 1999, kur deklaronin se ‘katunarët e Drenicës na morëm më qafë, pasi ishim rehat! Mos i ngacmo serbët, s’të ngacmojnë’!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mes të Beogradit e përballë Vuçiç, i kërkoi presidentit serb njohjen e Kosovës, pasi pavarësia e saj është realitet i pakthyeshëm dhe i bëri të qartë se Mitrovica dhe Trepça kanë qënë, janë dhe do të mbeten të Kosovës! Ishte kryeministri Rama, të cilin këta të Vetëvendosjes janë dyndur në Tiranë për ta rrëzuar, ai që në mes të Nju Jorkut, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi me zë të lartë njohjen e Kosovës nga ato pak vende që nuk e kanë njohur, duke u përplasur me rusët e serbët! S’foli skutave!
Kryeministri i Shqipërisë, në mes të Strasburgut, në Këshillin e Evropës, kërkoi ndryshimin e raportit të Dick Martyt, dhe çlirimin e Thaçit e ish komandatëve të tjerë nga akuza e krimeve kundër njerëzimit! Madje bëri një rezolutë që ia dërgoi Strasburgut për këtë qëllim, duke marrë kosto mbi vete, pasi iu refuzua darka e thirrur për këtë qëllim në zemër të KiE! Pa përmendur disa rezoluta të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë qëllim! Pa përjashtuar krijimin e një porti enkas për Kosovën e qarkullimin e mallrave të saj, pa përmendur këtu që të gjitha ambasadat e Shqipërisë në botë, sidomos në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, bëjnë punë të dyfishtë, për Shqipërinë dhe për Kosovën! Dhe mbështetje të tjera!
Janë detyrime do të thotë dikush! Po, patjetër dhe Shqipëria i ka kryer detyrimet një më një ndaj Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, kudo në hapësirën e tyre në rajon. Madje vende vende pa marrë asnjë faleminderit! Por ndonjë detyrim duhet të kryejë dhe vëllai i vogël Albin, sado mistrec dhe zevzek të jetë?! Aq më tepër s’duhet të marrë mendjen e disa fantazmave që pasi nuk bënë hajr në Shqipëri, po marrin më qafë Kosovën e marrëdhëniet e saj me shtetin amë! Se me SHBA e kanë qelbur! Njëri si neomarkist, tjetra si ithtare greke, sa dhe pushimet e Kurtit tani e disa vjet bëhen vetëm në Greqi, tjetri, si përfaqësues i islamit politik! Duke na marrë fytyrën në Ballkan e botë me këto që bëjnë! E mbi të gjitha, duke e ngritur mosmirënjohjen në institucion!
Unë nuk jam aq optimist sa të them se Kurti nuk di gjë që dy këshilltarët e tij më të ngushtë i ka në Tiranë në organizimin e protestës për rrëzimin e qeverisë së Shqipërisë! Dhe nuk ka komunikuar me ta këto ditë! Për punët e Vetëvendosjes themi! Teksa dhe këshilltarja tjetër apo të tjerët drejtojnë në distancë protestën në Tiranë! Me gjithë makinerinë e baltës! Nuk i kushton gjë që t’i pyesë se çfarë po bëjnë sëpaku në Tiranë, janë në takim me robtë e shtëpisë?! Madje, si gjithë të tjerët jamë shumë i bindur se në Tiranë është fort dora e Albin Kurtit! Me tërë ‘patriotët’ e Vetëvendosjes e VLEN, në përpjekje për të lënë dhe Shqipërinë pa qeveri, pa institucione, pa miq e pa aleatë! Se kjo protesta bërtet fort për shembjen e klasës politike, por nuk thotë asgjë se si do të qeveriset ky vend! Madje dhe organizatorët janë në ilegalitet! Nuk shfaqen në publik!
Dhe në fund të herës, teksa përmenda të gjitha këto që na dalin nga shpirti, thjeshtë e vetëm mund të bëjmë dhe një pyetje tjetër që del po nga shpiri: Ore vëllezër shqiptarë të Vetëvendosjes e VLEN, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e deri në Sarajavë, çfarë borxhi ju kemi që po ndërhyni në punët tona, të vëllezërve tuaj në Shqipëri, e po na e nxini jetën në tentativën për destabilizim por dhe po na merrni erzin duke na fëlliqur përballë miqve e aleatëve tanë të mëdhenj?! A ka mundësi të qetësoheni, t’i lini mistrecllëqet, se nuk ua kemi për borxh! Vëllezër, vëllezër, por secili në shtëpi të vet! Sepse vonohet sa vonohet, por nuk përjashtohet karma! Plas shpirti, dhe vëllai ta kthen njëherë ‘nderin’! Sheh rrushi rrushin e piqet!
Komente











Bravo shume bukur ke shkruajur,keta shpellare duan ta destabilizojn vendin tani qe Shqiperia po ecen drejt EU nepermjet punes qe ka bere Edi Rama.
Përgjigju