Franc Çopja dhe disa anëtarë të tjerë të dyshuar të klanit të tij, janë paraqitur ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Brukselit.

Lajmin e ka bërë të ditur media belge Le Soir, e cila i ka kushtuar një artikull klanit Çopja dhe veprimtarisë së tyre të pretenduar kriminale.

Klani Çopja po gjykohet në Belgjikë për vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua për vdekje në mes të rrugës në Molenbeek.

Artikullli i plotë nga Candice Bussoli, LE SOIR:

Presidentja e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, Isabelle De Saedeleer, ka vendosur: as ndarje e çështjes, as shtyrje e procesit. Gjyqi do të zhvillohet sipas planit.

Janë nëntë persona që gjykohen për një nga narko-vrasjet e para në Belgjikë me përmasa ndërkombëtare, por vetëm pesë prej tyre janë fizikisht të pranishëm në bankën e të akuzuarve, në sallën e madhe të drejtësisë “Justitia” në Bruksel.

Endrit Sadedini mungon. “Klienti im është plotësisht i pamundur të jetë i pranishëm në Bruksel, pasi ndodhet i paraburgosur në Shqipëri që nga 19 shkurti”, deklaroi avokati Michel Bouchat para gjykatës. Ai kërkoi që dosja e klientit të ndahej nga të tjerat dhe të shqyrtohej më vonë. Disa avokatë të tjerë kërkuan gjithashtu shtyrjen e procesit, duke argumentuar se prania e të akuzuarve është thelbësore për garantimin e të drejtave të mbrojtjes. Pas disa orësh diskutimi, presidentja e gjykatës njoftoi se kërkesa për ndarje u refuzua, ashtu si edhe ajo për shtyrjen e procesit. Gjyqi do të vazhdojë sipas planit.

Endrit Sadedini u dënua më 2 dhjetor nga një gjykatë e shkallës së parë në Shqipëri me tre vjet e katër muaj burg për armëmbajtje pa leje. Në Belgjikë, Prokuroria Federale e dyshon atë si njërin nga tre ekzekutorët e vrasjes së Ardit Spahiut, që ka tërhequr vëmendje të madhe.

Ngjarja ndodhi pasditen e 27 nëntorit 2020. Ardit Spahiu po largohej nga një lokal në ‘Avenue du Condor’ në Molenbeek, kur një makinë iu afrua. Një person zbriti dhe hapi zjarr disa herë. Viktima u godit nga nëntë plumba. Ardit Spahiu u rrëzua dhe vdiq në vend, para syve të dëshmitarëve.

Franc Çopja, i pandehuri në qendër të vëmendjes

Në sallën e gjyqit, një i pandehur tërheq gjithë vëmendjen: Franc Gergely, i njohur si “Çopja”, rreth të tridhjetave. Përballë jurisë, gjashtë gra dhe gjashtë burra, ai deklaron identitetin e tij me një ton të prerë: “Jam shqiptar dhe agjent imobiliar”. Një heshtje mbizotëron në sallë. Emri “Çopja” njihet shumë përtej këtyre mureve. Ai i përket një klani të drejtuar nga dy vëllezër, i cili vetëm në vitin 2020 ka importuar më shumë se 28 ton kokainë në Europë nga Amerika Latine.

Sot, Franc Çopja po gjykohet si porositësi kryesor i vrasjes së Ardit Spahiut, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Mikael Qosja, është ende në arrati. Në kohën e ngjarjeve, të dy jetonin në Dubai, duke përdorur identitete të shumta për të menaxhuar aktivitetet e tyre larg vëmendjes së autoriteteve. Klani i tyre kishte investuar masivisht në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Elbasan, duke blerë apartamente, ndërtesa, bare e restorante, me synimin për të pastruar paratë dhe për t’u paraqitur si investitorë të domosdoshëm për zhvillimin rajonal.

Rivalitete mes klaneve

Ardit Spahiu, gjithashtu shqiptar, jetonte i izoluar në Belgjikë që nga viti 2019, nga frika për jetën e tij në vendlindje, ku kishin ndodhur disa vrasje me porosi. Ai i përkiste një klani rival me Çopjat, klanit Alibej, po ashtu i përfshirë në trafikun e drogës. Hetimet tregojnë se vrasja e tij lidhet me rivalitete të dhunshme mes këtyre klaneve shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës – një luftë e fshehtë që, sipas dëshmive, zgjat prej vitesh.

Një nga ngjarjet që e përshkallëzoi këtë rivalitet ishte vjedhja, në Londër në vitin 2017 ose 2018, e një ngarkese prej rreth 50 kilogramësh kokainë, pronë e klanit Çopja, e cila dyshohet se përfundoi në duart e klanit Alibej–Spahiu. Ardit Spahiu ishte arkëtari i klanit të tij familjar dhe po hetonte personalisht vrasjet e të afërmve të tij, gjë që e bëri atë një objektiv kryesor.

Provat digjitale: Sky ECC

Klani Çopja ra shpejt në shënjestër të autoriteteve ndërkombëtare. Për muaj të tërë, hetimet ngecën. Por në qershor 2021 ndodhi kthesa: analiza e të dhënave nga serverët e koduar të aplikacionit Sky ECC bëri të mundur lidhjen e vrasjes me disa persona. Franc Gergely u identifikua përmes tre kodeve Sky.

Më 30 dhjetor 2023, ai u ekstradua nga Dubai me kërkesë të autoriteteve belge për t’u gjykuar në Bruksel, duke u bërë personi i parë i ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës për t’u përballur me drejtësinë. Ekstradime të tjera kanë pasuar më vonë mes dy vendeve.

I përshkruar nga hetuesit shqiptarë si “jashtëzakonisht ambicioz”, Franc Çopja ndodhet në burgun e Haren që prej 30 dhjetorit 2023. Edhe pse pa precedentë penalë në Belgjikë, që nga 3 shtatori 2024 ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare për vrasje dhe drejtim të një organizate kriminale aktive në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Pas një dite të parë të seancës, e cila iu kushtua vetëm pengesave procedurale, gjyqi do të rifillojë këtë të premte me leximin e aktakuzës prej 200 faqesh.