Maximus Textoris Pulcher, macja e kryeministrit të Belgjikës Bart De Wever, është shndërruar në një fenomen në rrjetet sociale, duke ofruar një imazh më njerëzor dhe të ngrohtë të kreut të qeverisë.
Maximus, një mace gri e shpëtuar nga një strehë kafshws, u shpall zyrtarisht rezidente e selisë së kryeministrit belg në Rue de la Loi 16 në Bruksel në muajin gusht. Që atëherë, ajo ka grumbulluar mbi 142 mijë ndjekës në Instagram, duke u bërë profili politik i dytë më i ndjekur në Belgjikë, pas vetë kryeministrit Bart De Wever.
Emri i plotë i maces, Maximus Textoris Pulcher, është një lojë me latinishten dhe pasionin e De Wever për historinë romake, me kuptimin “Maximusi i bukur i De Wever-it”. Kryeministri e adoptoi macen e rracës Scottish Fold, dhe shpesh e përmend me humor në daljet e tij publike.
Postimet e Maximusit, ku ai shfaqet duke u shtrirë në zyrë, duke luajtur apo duke “vëzhguar” mbledhjet qeveritare, kanë ndezur rrjetet sociale. Por ndryshe nga macja Larry e Downing Street në Britani, Maximus shpesh shoqërohet me komente ironike që prekin jetën politike belge, nga grevat kombëtare te negociatat e vështira buxhetore të qeverisë.
Sipas analistëve politikë në Bruksel, profili i Maximusit përcjell një “mesazh politik subliminal”, duke paraqitur De Wever si një lider punëtor dhe më të afërt me qytetarët, në kontrast me imazhin e tij si debatues i ashpër dhe figurë politike e ftohtë.
Macja, që në postime shpesh paraqitet si “shefi i vërtetë”, ka krijuar një valë simpatie edhe te qytetarët që zakonisht qëndrojnë larg politikës. Ndërsa kundërshtarët që janë ankuar për përmbajtjen e profilit nuk kanë gjetur mbështetje publike, përkundrazi, sipas ekspertëve, kritikat vetëm sa kanë forcuar imazhin pozitiv të kryeministrit.
Në Belgjikë, ku politika shpesh shihet si e ndërlikuar dhe konfliktuale, Maximus duket se ka arritur atë që politikanët e kanë të vështirë: të tërheqë vëmendjen dhe simpatinë, pa mbajtur asnjë fjalim.
Komente










