TOKIO, 9 mars /ATSH-AFP/ - E përfshirë në debatin për ishujt Senkaku, kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi sot, gjatë një vizite në Japoni, se historia duhet të shihet në sy, sipas modelit të Gjermanisë për rindërtimin e Evropës pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
"Gjermania pati fatin të riintegrohet në komunitetin ndërkombëtar, pas përvojës së hidhur që botës iu desh të përjetojë gjatë periudhës së nazizmit dhe Holokaustit", theksoi Merkel, e pyetur gjatë një fjalimi publik në Tokio mbi rivalitetet që vazhdojnë në Azinë Lindore.
Merkel filloi një vizitë dyditore në Tokio, e para që prej shtatë vitesh në vendin aziatik, në ndërkohë që do të takohet edhe me perandorin Akihito dhe me kryeministrin Shinzo Abe.
"Besoj se kjo ka qënë e mundur sepse Gjermania e ka parë në sy të kaluarën e saj, por edhe sepse aleatët që kontrollonin Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore, ranë dakort se përbënte një fakt të rëndësishëm që Gjermania të rishikonte të kaluarën e saj", theksoi ajo.
"E kam të vështirë t'ju jap këshilla përsa u përket marrëdhënieve tuaja me fqinjët, por mendoj se historia dhe përvoja na detyrojnë të gjejmë mjete paqësore për rindërtimin e tyre", përfundoi Merkel.
Në marrëdhëniet e Japonisë me fqinjët kanë mbetur ende shenjat e kujtimeve të tmerrshme të hyrjes së trupave perandorake gjatë pushtimit të pjesshëm të Kinës (1931-45) dhe kolonizimit të Gadishullit Korean (1910-45).
/k.p/ a.jor.










