Një tërmet me magnitudë 6,9 është regjistruar në Japoninë jugperëndimore, duke bërë që autoritetet lokale të lëshojnë një alarm për cunami.
Tërmeti, i regjistruar nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (US Geological Survey), është lokalizuar në prefekturën Miyazaki, në rajonin Kyushu, rreth orës 21:19, ose 13:19 sipas orës shqiptare.
Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, e cituar nga faqja Kyodo News, tërmeti me magnitudë paraprake prej 6,4 ka shkaktuar një paralajmërim për valë cunami deri në një metër, që prek prefekturat Miyazaki dhe Kochi.
Evakuimet
Banorëve të disa zonave bregdetare u është kërkuar të evakuohen për arsye sigurie pas tërmetit. Një burrë është plagosur lehtë në Kyushu pasi ra nga shkallët, raportoi televizioni NHK. Trenat ndaluan qarkullimin në stacionin e Miyazakit. Gjithashtu, disa pjesë të linjës së trenit me shpejtësi të lartë Kyushu Shinkansen u pezulluan përkohësisht.
Një cunami, me një lartësi të vlerësuar deri në 1 metër, arriti në tokë më pak se 30 minuta pas tërmetit. Në portin e Miyazakit u regjistruan nivele uji me lartësi 20 centimetra.
Fossa e Nankait
Agjencia Meteorologjike Japoneze (JMA) po heton nëse tërmeti është i lidhur me një rritje të mëtejshme të rrezikut për një tërmet të fuqishëm në Fossën e Nankait, zona që shtrihet rreth 900 kilometra larg bregut të arkipelagut dhe që është shkaktare e tërmeteve më shkatërrimtare gjatë shekujve të fundit.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të qëndrojnë larg bregut. Sipas vlerësimeve të qeverisë japoneze, ekziston 70-80% mundësi që një tërmet me magnitudë 8-9 të ndodhë përgjatë kësaj fosse brenda 30 viteve të ardhshme, me një numër viktimash që mund të kalojë 320 mijë.
Një tjetër tërmet në Tibet
Një tërmet me magnitudë 5 ka goditur gjithashtu Tibetin në të njëjtat orë. Ky është tërmeti i dytë pas atij me magnitudë 6,8 që ndodhi javën e kaluar dhe shkaktoi të paktën 126 viktima.