Hyrja për në sallën e seancave plenare për deputetët nuk ishte aspak e lehtë. Punimet nisën me 30 minuta vonesë, ndërsa në sallë ishin vetëm socialistët. PD vendosi në moment të fundit të bojkotonte seancën plenare dhe tërhoqi mbrapsht edhe ata pak deputetë që kishin arritur të futeshin në sallë.

Edhe pse PD argumentoi bojkotin me mosfutjen në kalendarin e Kuvendit të shfuqizimit të 4 projektligjeve që vjen si kërkesë edhe nga protestues, Taulant Balla, kishte shpjegimin e tij për këtë vendimmarrje.

“Ende nuk i dimë arsyet se pse Partia Demokratike, ndjesë pastë, e ka bojkotuar këtë seancë. Këta e humbën davanë që ditën e parë nuk kam patur kurrë besim se mund të jenë një parti që dinë çfarë është shteti. Sot arritën deri aty sa u trembën nga vezët dhe nuk erdhën në parlament”, tha Balla.

Me gjithë kërkesat për dorëheqje, qëndrimi i socialistëve nuk duket të ketë ndryshuar

“Jo sot, por çdo ditë, deri në maj 2029 ky Kuvend do vazhdojë të ushtrojë mandatin që i kanë besuar qytetarët”, theksoi Balla.

Protesta sipas Ballës po merret në dorë nga një grup i dhunshëm, ndërsa për herë të parë artikulon nxitjen e kësaj vale protestash edhe nga Rusia.

“Pas protestave jo vetëm Irani, vendet fqinje por edhe Kremlini”, vijoi ai.

Për dhunën ndaj kolegëve socialistë Manja e Kadeli akuzën e kishte të drejtpërdrejtë.

“Kanë qenë duke pirë kafe pranë godinës së Kuvendit. Aty janë sulmuar fizikisht nga banda kriminale e Prognit. Është turp i policisë së shtetit që ka vonuar ndalimin e tij që pardje”, tha Balla.

Megjithatë disa kërkesa shqetësime nga sheshi i konsideron si legjitim, e pikërisht me atë grup, që i quan protestuesit e vërtetë, paralajmëron një tryezë dialogu.

“Pak ditë na ndajnë nga momenti kur koha e dialogut me ju, me ju që kishit arsye legjitime për të protestuar, po vjen”, shprehet kreu i grupit tw PS.

Në mungesë të demokratëve, debati me të vetmin opozitar në sallë, Redi Muçin e Lëvizjes Bashkë ishte ky.

Muçi: Mua më vjen turp që të vij në punë dhe të dëgjoj se populli aty jashtë bërtet parlamenti i krimit. Është e padenjë dhuna që policia po ushtron ndaj tyre. Nëse keni pak dinjitet jepni dorëheqjen.

Bido: Kështu jemi mësuar, jemi mësuar të punojmë. Ti s’ke punuar ndonjëherë, prandaj ta mirëkuptoj habinë tënde. Para një jave këtu ishte seancë për Çamërinë, ti s’erdhe. Kam problem vorio-epirotizmin tënd dhe po të ishe ndryshe do të të hiqja kapelen, por ti nuk flet për Çamërinë. Ti je tradhtar!”

Seanca u mbyll rreth dy orë më pas me projektligjet e projektrezolutat e miratuara vetëm me votat e socialistëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:42
Protestat/ Balla: Dritan Goxhaj paguhet nga Irani, më vjen keq që Prokuroria nuk vepron

 

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, pas përfundimit të seancës plenare komentoi protestat duke thënë se dihet kush janë urdhëruesit dhe porositësit. Ai u ndal tek rasti i Dritan Goxhajt duke thënë se paguhet nga Irani dhe se prokuroria nuk vepron.

“Urdhëruesit dhe porositësit dihen. Ne kemi që ditën e parë që ju themi këtu ka persona të paguar. Dritan Goxhaj është person që paguhet nga Irani. Kemi prova, fakt publik më të pakundërshtueshme se ku person, që publikisht sulmon SHBA për hesap të Iranit kjo është një provë që duhet administruar urgjentisht. Të dalësh e të thuash në mes të studios se këtu duhen vrarë udhëheqësit politikë me plumb ballit, më vjen keq që prokuroria”, tha Balla.

Ora 12:36
Balla: Manja dhe Kadeli u sulmuan fizikisht nga grupi kriminal i Gent Prognit, turp që policia s'i ka arrestuar më parë  

 

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla në një komunikim për mediat pas mbylljes së senacës, tha se dy deputetët Ulsi Manja dhe Admir kadeli janë sulmuar fizikisht nga grupi i protestuesve që u futën brenda lokalit pranë Akademisë së Shkencave. Balla se ata jaën sulmuar nga banda e Gent Prognit duke thënë se është turp që policia nuk i ka arrestuar më parë, por i ka lënë të livadhisin.

“Kanë qenë duke pira kafe pranë godinës së Kuvendit. Aty janë sulmuar fizikisht nga banda kriminale e Prognit. Kjo bandë është turp i policisë së shtetit që ka vonuar ndalimin e tij që pardje. Publiku që na ndjek duhet të jetë i shqetësuar për goditjen me urë në kokë të efektivit,. Nuk ka vend në botë që pasi goditen deputetë duke ushtruar mandatin dhe goditet polica dhe Policia të mos reagojë me ndalimin e personave. Në momentin që personi nuk pranon të dorëzohet gjatë ndalimit, është e detyruar ta shoqërojë me forcë.

Shërbëtorë të Iranit dhe të grupeve të ndryshëm kriminale, janë përfshirë sot në sulme ndaj institucioneve. Koha do ta sjellë këtë grup të distancuar nga dhuna tek ne”, tha Balla.

Ora 12:30
‘I dënuar 15 herë në 20 vjet, në kërkim nga policia’, Balla nxjerr emrin e protestuesit me precedent kriminal

 

Ndër protestuesit që janë evidentuar me precedentë penalë, Taulant Balla tha se një prej tyre është Anton Frroku, i dënuar 15 herë në 20 vjet.

“Protestuesit e vërtetë sot ndahen qytetarët që mbushin bulevardin dhe një grup personash me precedentë penalë. Kush bën dhunë, është element me precedent të rëndë kriminal. Kur kemi filluar të bëjmë transparencën, sapo kam njoftuar që njëri prej tyre, person në kërkim që s’është ndaluar, por vjen të bëjë dhunë aty, i dënuar në 20 vjet, 15 herë. Anton Frroku, është në kërkim nga policia, e keni aty”, tha Balla.

Ora 12:28
Përfundon seanca plenare në Kuvend, votohen projektligjet! Miratohen ndryshimet për funksionimin e administratës shtetërore dhe Shërbimit Informativ Kombëtar

1782988131_ftuoo.JPG

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 3 projektligjet dhe 1 projektrezolutë që ishin pjesë e rendit të ditës.

Projektrezoluta e miratuar kishte të bënte me vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025.

Ndërkohë u miratuan edhe projektligjet për ndryshime në funksionimin e administratës shtetërore, për ndryshimet në Shërbimin Informativ Kombëtar, si dhe për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë mes “Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për ‘Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë’”.

Projektligjet e miratuara në Kuvend:

Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025” u miratua me 71 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për ‘Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë’” u miratua me 71 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, ‘Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore’” u miratua me 72 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar” u miratua me 72 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Ora 12:25
‘Nuk zmbrapsemi për një grup mbeturinash’, Balla: Do të bisedojmë me protestuesit e vërtetë

 

Në një fjalë për gazetarët pas daljes nga Kuvendi, Taulant Balla tha se qeverisa nuk zmbrapset për një grup mbeturinash sociale e politike. Ai përsëriti mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit pas sulmeve të protestuesve ndaj efektivëve. Shefi i grupit parlamentar të PS tha se protesta është ndarë në dy, protestuesit e vërtetë, për të cilët tha se do të dialogojnë dhe ata që kanë precedentë penalë.

“Unë jam mësuar në këto 13 vite të qeverisjes sonë. Ne s’mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale e politike mendojnë që parlamenti duhet të shpërndahet. Sot, edhe shqiptari më skeptik sa i përket pjesës që këtu është një skenar tërësisht jo shqiptar, në dëm të Shqipërisë, ky skenar nuk është surprizë. Për ne s’është surprizë, e kemi pritur, kemi kohë që e presim. Kush ka dyshime që brenda atij grupi atje, dhunon punonjësit e policisë. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Mbështes policinë e shtetit. Kushdo që ngre dorë, do të përballet me forcën e Policisë së Shtetit. Pse 28 ditë s’pati asnjë akt dhune dhe pjesëmarrja ishte më e madhe? PS, qeverisja e saj, pas pak ditësh do të vijë momenti kur do të ulet me protestuesit e vërtetë, ata që u ngritën për natyrën, për arrogancën e çdo punonjësi të administratës që ka zënë karrigen. Protestuesit e vërtetë sot ndahen qytetarët që mbushin bulevardin dhe një grup personash me precedentë penalë”, u shpreh Balla.

Ora 12:06
‘PD ndjesë pastë u tremb nga vezët’- Balla në Kuvend: Kremlini ka dorë te protestat! Individë kriminalë në tubime, Anton Frroku është një nga profilet më banditeske

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se Kremlini ka dorë në protestat që po zhvillohen në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se elementë kriminalë, mes të cilëve përmendi Anton Frrokun, kanë marrë peng protestën.

Me ironi, Balla tha se deputetët e PD-së nuk morën pjesë në seancën e sotme, pasi sipas tij, u trembën nga vezët e qëlluara seancën e kaluar nga protestuesit.

“Ende nuk i dimë arsyet se përse PD ndjesë pastë e ka bojkotuar këtë seancë, por shpresoj shumë që të jetë në seancat në vijim. Kush mendon se mund t’u bëjë presion deputetëve për të ushtruar detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimin që Kuvendi ka për të vijuar punën në këtë moment historik të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, e ka shumë gabim. Jo sot, por çdo ditë ky Kuvend do vijojë ta ushtrojë mandatin që na kanë besuar qytetarët shqiptarë dhe grupi i PS do i qëndrojë besnik plotë 856 mijë e 177 votave që na kanë sjellë në këtë sallë. Dua që në emër të grupit të PS të dënojmë aktet e dhunës të inspiruara nga individë kriminalë të përfshirë brenda protestës. Ne i kemi treguar qytetarëve shqiptarë vetëm pak prej tyre që janë të përfshirë në aktivitet kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Në aktivitet kriminal të grabitjes, të dhunës. Sëfundmi një individ nga Lezha, një farë Anton Frroku, që është një nga profilet më të paimagjinueshme të banditizmit të kësaj proteste, i cili në këto momente që flasim është në kërkim nga Policia për dhunë brenda familjes. Sepse vetëm nga këta mund të kesh që ditën në protestë dhe natën në mënyrë barbare dhunojnë bashkëshorten e vet. I bëj thirrje Policisë ta arrestojë këtë person dhe t’ua tregoj këtyre flamengove. 3 punonjës policie janë këto momente të plagosur, të dëmtuar rëndë. Kushdo që tenton të ngrejë dorën kundër punonjësve të Policisë, ka ngritur dorën ndaj vetë shtetit.

Gjaku i punonjësve të Policisë është gjaku i shtetit. Nazizmi kështu lindi, duke sulmuar Parlamentin. Këta nuk kanë asnjë dallim, pranda qëndrimi i këtij Kuvendi duhet të jetë i qartë dhe jo i ndarë në krah. Këta arritën deri në pikën sa u tremën edhe nga vezët. Protestuesve në emër të Grupit të PS, dua të jem i drejtpërdrejtë. Pak ditë na ndajnë kur koha e dialogut me ju që kishit shqetësime reale po vjen. Arsyet e sinqerta të protestës jemi të gatshëm t’i dëgjojmë dhe të reflektojmë. Kam besim se qytetaria e flamengove do distancohet nga dhuna e elementëve kriminalë. Kush në Shqipëri nuk e beson dot që këtu është dorë e huaj që po paguan para për të destabilizuar Shqipërinë, duhet ta kuptojë qartë që këtu është jo vetëm Irani apo vende fqinje që s’duan ta shohin Shqipërinë të zhvilluar në turizë, por edhe Kremlini”, tha mes të tjerash Balla.

Ora 11:25
Redi Muçi në Kuvend: Dënoj gjenocidin e shtetit grek ndaj popullit çam! Reagon ashpër Bido: O i pacip, po bën përçarje! Mos krahaso shqiptarët e Çamërisë me Palestinën

 

Deputeti socialist, Ardit Bido dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, u përfshinë në replika të ashpra ditën e sotme në Parlament.

Ishte fillimisht Bido i cili deklaroi se Muçi dhe Lëvizja Bashkë nuk e kanë ngritur zërin kurrë për çështjen Çame, pasi sipas tij, ata janë anti-shqiptarë.

Duke folur për çështjen e Zvërnecit, Bido tha se SPAK po bën një punë shumë të mirë dhe paratë e sekuestruara (128 milionë euro) nga shitja e pronës, do i kalojnë atij që do të rezultojë pronari real.

“Sot ne miratojmë Rezolutën për punën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Unë dua të qëndroj vetëm në një aspekt. Në aspektin që në debatin tonë publik u zhduk befas javët e fundit nga këta sharlatanët dhe populistët e pafre, antishqiptarët e tradhtarët që mbysin debatin tonë publik. Për Zvërnecin, për atë që me gjasme u çuan këta sharlatanë dhe që me të drejtë u çuan mijëra shqiptarë, që pastaj këta mijëra shqiptarë ikën nga sheshi dhe pastaj mbetën vetëm këta sharlatanët. E drejta e pronës së banorëve të Zvërnecit është një e drejtë legjitime.

Si deputeti i vetëm që ka folur me emra bashkë me kolegë të PS-së kur këtë populistë antishqiptarë qepnin gojën, e them sërish, banorët e Zvërnecit kanë të drejtën e plotë mbi pronësinë me ligjin 7501 dhe fiset Balliu e Moçka me dokumentet që kanë. Sot ne jemi në një ditë të mirë në këtë drejtim. SPAK ka nisur hetimet. Shuma e shitblerjes e asaj prone është e bllokuar. Dhe kush të rezultojë në fund që është pronar i asaj prone, atij do i kalojë. Sot ne shohim në protestë sesi një grup prej 60 huliganësh, të frymëzuar nga sharlatanët politikë, mirëpresin këta 60 individë me vezë në xhep, Vangjel Dulrat e Red Muçrat, që i kam ftuar të flasin për Çamërinë, çohen dhe thonë një asgjë të madhe dhe vetëm për plagën tonë kombëtare nuk flasin dot. Antishqiptarët nuk kanë bri. Vorioepirotizmi nuk ka pri, por kanë fytyrë, kanë fytyrë brejtësi. Ka njerëz që nuk kanë din e iman dhe e vetmja gjë që dinë është si t’i bëjnë dëm vendit tonë”, tha Bido.

Nga ana tjetër, deputeti Muçi iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk kishte aspak kompleks që të denonconte nga salla e Kuvendit, gjenocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të cilët i quajti ‘populli Çam’.

Muçi tha gjithashtu se ishte i vetmi deputet në Kuvendin e Shqipërisë që kishte denoncuar gjenocidin izraelit në Gaza.

“Mesa duket zoti Bido nuk më ndjek në rrjetet sociale. Lëvizja Bashkë ku unë bëj pjesë krenarisht, është e vetmja forcë politike që në programin e vet politik përmend në mënyrë specifike popullin Çam dhe të drejtën e tij për t’u njohur nga shteti grek. Këtë gjë nuk e bën as qafa ku është kacavjerr zoti Bido. Unë jam i vetmi nga Parlamenti që kam denoncuar gjenocidin ndaj popullit palestinez, sepse për ne në Lëvizjen Bashkë, padrejtësia ndaj një populli, është padrejtësia që i bëhet çdo populli. Prandaj s’kam asnjë kompleks që nga kjo sallë të denoncoj gjenocidin ndaj popullit çam nga shteti grek. Eksodin e imponuar nga populli grek ndaj popullit Çam. Nacionalizmi është skuta e fundit e maskarenjve”, tha mes të tjerash Muçi.

Por Bido rimori fjalën dhe akuzoi Muçin për përçarje Kombëtare, pas termit ‘populli Çam’ të përdorur prej tij. Më pas Muçi i kërkoi Bidos që të mos krahasoi shqiptarët e Çamërisë me Palestinën.

“Populli Çam thuaja ndonjë tjetri. Përçarje brenda Kombit tonë bëje jashtë këtij Kuvendi. Sepse je i pacipë dhe i paturp. Krahason shqiptarët e Çamërisë me Palestinën. Sa jemi ne, PS, një forcë që juve do iu mbysë, ju nuk bëni dot përçarje”, tha Bido.

Ora 10:41
Redi Muçi-Bidos në Kuvend: Më je qepur me bukë në trastë me urdhër të Ballës! S’të marr seriozisht, më kujton Ceken me radiomarrës që dilte nga ferra

 

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka replikuar ditën e sotme në Kuvend me deputetin socialist Ardit Bido.

Muçi tha se Bido, me urdhër të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballës, e ka vendosur në shënjestër dhe i është ‘qepur me bukë në trastë’.

Më tej Muçi duke iu drejtuar Bidos i tha se nuk e merrte aspak seriozisht dhe me ironi shtoi se deputeti socialist i kujtonte komenditë e viteve 1990.

“Shoku Bido, me urdhër të Taulantit që para disa javësh tha se më ka vënë në shënjestër, më është qepur pas me bukë në trastë. Në atë kohë të rrasnin në hetuesi dhe të vërshonin përrenjtë e akuzave. Veçse unë ty o Bido, jo që s’të marr seriozisht, por ti s’më dukesh as si ata maskarenjtë që ishin hetues në kohën e Enverit. Ti mua më kujton vetëm komeditë e viteve 90. Më kujton Ceken që me radiomarrës në dorë dilte nga ferra. Prandaj Bido vazhdo me fushatën e kundërzbulimit dhe asnjë hap pas”, tha mes të tjerash Muçi.

Ora 10:37
Muçi: Më vjen turp që të vij në punë dhe të dëgjoj se populli aty jashtë bërtet parlamenti i krimit (VIDEO)

 

Deputeti i ‘Lëvizjes Bashkë’, Redi Muçi tha sot në seancën parlamentare se i vjen turp që të vij në punë, kur populli brohoret parlament i krimit.

Në lajme lexova se kolegët e PS erdhën 2 orë para në punë sot. Mua më vjen turp që të vij në punë dhe të dëgjoj se populli aty jashtë bërtet parlamenti i krimiit. Është e padenjë dhuna që policia po ushtron ndaj tyre. Sot në ditën e 33 të protestës ku numri i tyre ka rënë ju bëni ndarjen sorra dhe flamingo. Jo mo jo ata janë populli i thjeshtë. Ju vazhdoni t’i mbyllni veshët edhe pse populli thërret ‘dorëheqje’. Nëse keni pak dinjitet jepnni dorëheqjen”, tha Redi Muçi.

Ora 10:36
‘Tradhtar, ti s’flet për Çamërinë!’ Bido i kthehet Muçit: Jemi mësuar të vijmë herët në punë, por ti s’ke punuar ndonjëherë (VIDEO)

 

Pas fjalëve të Redi Muçit se deputetët e PS erdhën në parlament dy orë më herët për t’iu shmangur protestuesve, Ardit Bido ia ktheu deputetit se kjo është rutinë pune për ata që janë mësuar të punojnë.

Më tej, i tha se është tradhtar pasi nuk flet për Çamërinë dhe është “vorio-epirot.”

“Kemi një parti të establishmentit më të rëndë. Vjen e na thotë që do të turpërohej pse vijmë më herët në punë. Jemi mësuar të vijmë në punë, të punojmë, të nxjerrim lekët me djersën e ballit, të mos shkojmë në zona të mbrojtura. Të mos themi që kemi bërë shkollën te Koto Hoxhi dhe dilnim nga shtëpia që mami i dha leje babit për ta bërë në oborrin e shkollës. Kështu jemi mësuar, jemi mësuar të punojmë. Ti s’ke punuar ndonjëherë, prandaj ta mirëkuptoj habinë tënde. Ti nuk je agjent, nuk e di, s’e vendos dorën në zjarr. Para një jave këtu ishte seancë për Çamërinë, ti s’erdhe, kisha aktivitet në Qafë-Botë, të kam ftuar, ti nuk erdhi. Unë me minoritarët nuk kam asnjë problem se janë pjesë e shëndetshme e kësaj shoqërie, janë shqiptarë patriotë e grekë të pashuar. Kam problem vorio-epirotizmin tënd dhe po të ishe ndryshe do të të hiqja kapelen, por ti nuk flet për Çamërinë. Ti je tradhtar!”, tha Bido.

Ora 10:29
Protestuesit jashtë Kuvendit, Spiropali: Qeveria duhet të reflektojë dhe të ofrojë zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve!

1782979762_spiropali.jpg

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është shprehur se Qeveria duhet të reflektojë, të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të ofrojë zgjidhje.

Komentet Spiropali i bëri teksa po futej në Kuvend, ku jashtë po zhvillohej protesta e paralajmëruar.

Spiropali tha gjithashtu se është me rëndësi që Kuvendi i Shqipërisë të përdoret për të folur për vendin, për shqetësimet e qytetarëve dhe për të ofruar zgjidhje.

“Duhet të reflektojmë, të dëgjojmë dhe të ofrojmë edhe zgjidhje. Nuk duhet të merremi me protestuesit, por duhet të merremi me veten. Diskutimet vijnë nga të gjithë, nuk jepen këtu aty për aty. E rëndësishme është që Kuvendi i Shqipërisë të përdoret për të folur për vendin, për njerëzit, për shqetësimet, për të ofruar zgjidhje, për të parë më shumë nga vetja. Dhe secila forcë politike, secili kah në atë Kuvend duhet të bëjë analizën e vetes, përpara se të bëjë analizën e kundërshtarit”, tha mes të tjerash Spiropali.

 

Ora 10:26
Protestë e Kuvend njëherazi, PD bojkoton seancën: Të përfshihen 4 projektligjet në rendin e ditës

1782980876_1776619537partiademokratike.jpg

Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë të pranishëm në Kuvend, teksa seanca nuk ka nisur ende dhe jashtë dyerve të parlamentit, ka tensione mes protestuesve e policisë.

Në një reagim, grupi parlamentar i PD thotë se do të bojkotojë seancën e sotme plenare pasi mazhoranca nuk përfshiu shqyrtimin e 4 projektligjeve në rendin e ditës dhe rrëzoi mocionet me debat për rezolutën e PE dhe protestën në seancën e kaluar.

Gjithashtu thonë se nëse parlamenti vijon punimet kur jashtë ka protestë, humbet roli i tij si përfaqësues i qytetarëve.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.

Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.

Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për:

1.     Projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;

2.     Projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;

3.     Projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;

4.     Projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Këto iniciativa ligjore përputhen drejtpërdrejt me kërkesat e qytetarëve që protestojnë dhe me shqetësimet e ngritura në Rezolutën e Parlamentit Europian. Për këtë arsye, ato duhej të ishin përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme, pasi trajtojnë çështje me interes të lartë publik.

Për sa kohë mazhoranca refuzon të përfshijë këto projektligje në rendin e ditës ose të përcaktojë shqyrtimin e tyre brenda këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marr pjesë në punimet e Kuvendit në seancën e sotme dhe kërkojmë me forcë përfshirjen në procedurë parlamemtare të katër projektligjeve për diskutim dhe miratim në Kuvend.

Nga ana tjetër, konstatojmë se godina e Parlamentit është rrethuar me qindra punonjës Policie për të penguar qytetarët të protestojnë. Nëse Parlamenti zhvillon punimet nën rrethimin e Policisë së Shtetit, vetëm me qëllim të shuarjes së zërit të qytetarëve, atëherë ai humbet misionin e tij të përfaqësimit të qytetarëve.

Në kushtet kur mazhoranca vijon të refuzojë shqyrtimin e nismave ligjore të opozitës dhe Kryeministri, së bashku me Qeverinë, shmang sistematikisht llogaridhënien për çështje që prekin drejtpërdrejt interesin publik, prania jonë në seancë plenare sot nuk do t'i shërbente mbrojtjes së interesave të qytetarëve, por vetëm do të legjitimonte një proces parlamentar që po zhvillohet në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare.