15 aktivitete muzikore, në teatër, arkitekturë, dizajn, ushqim dhe modës do të zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Butrint gjatë Javës Italiane të Kulturës në Shqipëri. Ambasadori Marco Alberti tha se qëllimi është të promovohet identiteti italian përmes dialogut dhe bashkëpunimit me Shqipërinë.
“Kemi folur shumë kohët e fundit për ekonominë. Italia është angazhuar shumë për investime të reja në këtë vend. Është e rëndësishme të rikthehemi të flasim edhe për kulturën; ekonomi dhe kulturë, diplomacia ekonomike dhe diplomacia kulturore janë të dyja vektorë të politikës sonë të jashtme këtu në Shqipëri.”, tha ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.
Edhe zv.ministrja e Kulturës, Lira Pipa, e cilësoi këtë javë si një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve.
“Kjo javë faktikisht është një javë goxha intensive ashtu siç çdo javë e kulturës italiane, të cilat ne i presim me shumë kënaqësi. Kjo flet shumë dhe për raportin shumë të shkëlqyer që ne kemi midis dy vendeve tona.”, tha zv.ministrja e kulturës, Lira Pipa.
Një nga aktivitetet më të shumëpritura do të jetë koncerti i Mario Biondit më 1 qershor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Programi përfshin gjithashtu një retrospektivë kushtuar dizajnerit italian Gaetano Pesce, dokumentar për arkitektin Renzo Piano, shfaqje me marionetat tradicionale siciliane dhe evente të modës italiane.
“Më 3 qershor hapim dhe inaugurojmë një retrospektivë kushtuar Gaetano Pesce-s, i cili është një nga dizajnerët italianë më inovativë dhe më jashtë skemave të gjysmës së dytë të shekullit XX, dhe sigurisht një nga ata që kanë pasur ndikimin më të madh në dizajnin global ndërkombëtar.”, tha drejtuesi i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.
Aktivitetet do të mbyllen më 6 qershor në Amfiteatrin e Butrintit me shfaqjen teatrale “Vizita”, një bashkëprodhim mes Teatrit të Sardenjës dhe Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, me regji të Davide Iodice.
Pjesë e Javës Italiane të Kulturës do të jetë edhe promovimi i modës dhe dizajnit “Made in Italy”, me prezantimin në Tiranë të disa markave italiane në bashkëpunim me Consorzio Showroom Milano.
Duke qenë se ky vit shënon 80-vjetorin e Republikës italiane, kjo datë, e cila do të kremtohet në mënyrë të veçantë do të bëhet duke përdorur një metaforë, që shpreh thelbin e Italisë: mozaiku, pasi Italia ka qenë dhe është një mozaik traditash, kulturash, shpirtrash të ndryshëm e të veçantë, që së bashkë përbëjnë pasurinë e saj.
Komente









