Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot stërvitjen e parë me grupin e plotë, pasi të hënën në mbrëmjen në Barcelonë kanë mbërritur lojtarët e fundit që duhet të grumbulloheshin. Sot, në prag të sfidës që luhet të enjten me Andorën, e para për kualifikueset e Botërorit, kanë folur kapiteni i Kombëtares Elseid Hysaj dhe mesfushori Gjasula. Sipas Hysaj është shumë me rëndësi që kundër Andorës ta nisim me fitore.
“Të fillojmë me këmbën e mbarë, ndeshjet e para janë më të rëndësishme. Të jemi kompakt si në ndeshjet e fundit dhe të vazhdojmë përpara. Mund ta nisim mbarë me Andorrën. Kemi shumë lojtarë me minutazh të madh dhe formë të mirë. Jemi një grup fantastik, lojtarë si Bajrami mund të na japin një dorë më shumë,"-tha Hysaj.
Më tej të dy futbollistët e Kombëtares thonë se kanë nxjerrë mësime nga ndeshja e fundit me Andorën dhe të enjten do luajnë vetëm për tre pikët.
“Është më mirë kur e njeh një kundërshtar. Janë lojtar që dinë të luajnë futboll. Duhet të jemi të përqendruar dhe ta bëjmë ndeshjen e lehtë për të mos pasur problem,”-deklaroi Hysaj.
“E bëmë njëherë gabimin, besoj që ketë radhë do të jetë ndryshe. Do të jemi më të përqendruar. Është kundërshtar i fortë që na ka marrë pikë në Shqipëri, tani duhet të marrim ne 3 pikë,”-u shpreh Gjasula.
Gjasula, i cili vjen pas një dëmtimi të gjatë, thotë se nuk është në formën optimale, por do japë maksimumin për kombëtaren.
“Nuk jam në 100 % nga fuqia, por ndihem gati për të ndihmuar, aq minuta sa do të më japë trajneri, do të jap maksimumin për skuadrën,”-tha Gjasula.
UEFA ndërkohë ka zbuluar katërshen e arbitrave për ndeshjen me Andorën që do jenë nga Bullgaria me kryesor Volen Chinkov.