TIRANE-Pak orë pas takimit të sotëm mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, Zv/ ministri i Ekonomisë dhe Financave, Elton Haxhi detyrohet që të japë dorëheqjen. Vendimi pas skandalit me hapësirat Duty Free në aeroportin 'Nënë Tereza', që shkaktoi reagime të shumta edhe në nivel ndërkombëtar nga ambasada amerikane duke rrezikuar imazhin e qeverisë. Ministria e Financave humbi betejën me kompaninë Albania Duty Free Distribution, pasi gjyqtari Avni Sejdi vendosi në favor të gruas së Gjin Gjonit, Elona Caushi dhe jo kompanisë amerikane, që fitoi tenderin. Por si rrodhën ngjarjet deri në dorëheqjen e zv/ ministrit?

Në kulmin e sezonit turistik në Shqipëri, në muajin gusht në datë 16, zv/ ministri Haxhi duke përfituar nga një delegim i përkohshëm i firmës nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj që ndodhej jashtë vendit, firmosi në kohë rekord brenda 24 orëve rinovimin e licencës për gruan e Gjin Gjonit, edhe pse tenderin e ishte fituar kompania amerikane Cruise Duty Free për administrimin e këtyre ambienteve.

Më pas Ministria e Financave është njoftuar se dokumentacioni i ADFD-së nuk ishte i saktë, dhe  me kërkesë të TIA-as, i është anuluar licenca më datë 30 shtator. Por, çështja më pas përfundoi në Gjykatë, ku përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë pohuar para gjykatës se kishin vepruar në mirëbesim, pra nuk se nuk e dinin se kompania e gruas së Gjin Gjonit, po fshihte rrethana që diktonin refuzimin e autorizimit, por gjyqtari Sejdi tre ditë më parë vendosi në favor të gruas së Gjin Gjonit.

Haxhi i kontaktuar nga Report TV u shpreh se e ka dhënë dorëheqjen pasi i ka mbaruar mandati, por  sqarojmë se ministrat dhe zëvendësministrat emërohen dhe shkarkohen me urdhër të kryeministrit. Ndërkohë një mandat me afat normal zgjat 4 vite, por Haxhi e ka marrë postin e zëvendësministrit në tetor të vitit 2017 si përgjegjës për sektorin e të ardhurave fiskale, kontabilitetin, auditimin si dhe kontrollin financiar.

I pyetur nëse në dorëheqjen e tij, ka ndikuar skandali me hapësirat në Rinas, Haxhi u shpreh për Report TV, se kjo çështje nuk ka pasur ndikim duke e mohuar. Haxhi ishte edhe drejtues i procesit të “screening” për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për kapitujt që lidhen me tatimet, doganat, ligjin e shoqërive tregtare, kontabilitetin, auditimin dhe kontrollin financiar.

Por 'puçi' në muajin gusht duke përfituar nga delegimi i firmës i ka kushtuar, pasi shkaktoi një reagim të fortë ndërkombëtar. Ambasada e SHBA-së në Tiranë pas vendimit të gjykatës administrative që i dha të drejtë kompanisë së gruas së Gjin Gjonit për dyqanet në Rinas duke rrëzuar atë amerikane me tone të forta i kërkoi qeverisë shqiptare që të garantojë transparencë dhe barazi për të gjithë bizneset.